2009-05-01 17:05:11

Kisha festoi Shën Jozefin punëtor: Benedikti XVI na mëson se njeriu duhet të jetë në qendër të ekonomisë.


(01.05.2009 RV)RealAudioMP3 Sot, në ditën e parë të majit, Festë ndërkombëtare e punës, Kisha kujton Shën Jozefin Punëtor. E me këtë rast, edhe se gjatë muajve të fundit, Papa ka prekur gjithnjë më shpesh problemet e mprehta, shkaktuar nga kriza ekonomike, duke vënë theksin mbi rifitimin e përmasës etike të punës dhe mbi qendërsinë e njeriut në marrëdhëniet ekonomike. Reflektime që i paraprijnë botimit të Enciklikës shoqërore të Benediktit XVI.

Për ta bërë ekonominë të shëndetshme, është e nevojshme që njerëzit të rifitojnë besimin e humbur: më 8 janarin e kaluar, në fillim të vitit 2009, në Fjalimin drejtuar Trupit Diplomatik, Benedikti XVI e ftoi bashkësinë ndërkombëtare të mos e humbasë besimin përballë krizës ekonomike dhe i kujtoi parimet mbi të cilat duhet bazuar sistemi ekonomik, që respekton dinjitetin e njeriut:
Cet objectif ne pourra être atteint que par la mise...
“Ky objektivkujtoi Ati i Shenjtë – mund të realizohet vetëm përmes vënies në jetë të një etike të bazuar mbi dinjitetin e patjetërsueshëm të njeriut”.
Për politikat ekonomike Benedikti XVI foli në audiencën me administratorët lokalë të Romës e të Lacios, më 12 janarin e kaluar, duke kërkuar politika solidare për shtresat më të varfëra të shoqërisë e ndihmë të anasjelltë me strukturat kishtare për përballimin e krizës dhe duke ripohuar se detyra e Kishës është të formojë ndërgjegjen e qytetarëve vullnetmirë, përmes doktrinës së saj shoqërore:
“Ndoshta sot, më shumë se kurrë, shoqëria civile e kupton se vetëm me stile jetese të frymëzuara nga përkora, solidariteti e përgjegjësia, mund të ndërtohet një shoqëri më e drejtë e një ardhmëri më e mirë për të gjithë”.
Prandaj – shpjegon Papa - është detyrë e dorës së parë edukimi për respektimin e normave, pranimin e përgjegjësive, për një jetesë, që e kufizon individualizmin e mbrojtjen e interesave të pjesëshme, për të mirën e të gjithëve, duke pasur posaçërisht për zemër shpresat e shtresave më të ligështa të popullsisë, pa i konsideruar si barrë, por si burim, që duhet vlerësuar.
E një thirrje të fuqishme për krijimin e kulturës së re të solidaritetit Benedikti XVI e bëri edhe në audiencën me drejtuesit e Federatës Italiane të Sindikatave të Punëtorëve (Cisl), më 31 janarin e kaluar:
“Për ta kapërcyer krizën ekonomike e shoqërore, që po jetojmë, e dimë se duhet një përpjekje e lirë e plot përgjegjësi nga ana e të gjithëve; është e nevojshme, prandaj, të kapërcehen interesat e veçanta e të sektorit, për t’i përballuar të bashkuar vështirësitë që vërehen në çdo fushë të shoqërisë, posaçërisht në botën e punës. Një impenjim i tillë sot është më urgjent se kurrë!”.
Për ekonominë Benedikti XVI foli gjërësisht më 26 shkurtin e kaluar, në takimin tradicional me klerin romak. Papa u ndalua posaçërisht tek arsyet që, duke nisur nga SHBA, shkaktuan krizën ekonomike botërore:
“Duhen denoncuar këto gabime themelore, që u duken tani në shembjen e bankave të mëdha amerikane. E duhet kërkuar edhe shkaku i tyre. Thua shkaktohen nga koprracia njerëzore e parë si mëkat apo, siç thotë letra e Shën Palit drejtuar Kolosianëve, tek kopracia e parë si idhujtari? Ne duhet ta denoncojmë këtë idhujtari, që është kundër Zotit të vërtetë e që kërkon ta zevendësojë fytyrën e Zotit të vërtetë me një zot tjetër, me ‘mamonën’. Duhet ta bëjmë këtë me guxim e në mënyrë sa më konkrete. Sepse moralizmat e mëdha nuk vlejnë, në se nuk bazohen në njohjen e realitetit, gjë që ndihmon edhe për të kuptuar ç’duhet bërë konkretisht për ta ndryshuar dalëngadalë gjendjen”.
Benedikti XVI nuk harron t’u shprehë afërsinë e tij punëtorëve, që po kalojnë çaste vërtetë të vështira. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 1 marsit të kaluar, Papa duke përshëndetur punonjësit e stabilimentit Fiat të Pomiliano d’Arko dhe punëtorët e territoreve të Sulcis e të Pratos në Toskanë, të shqetësuar thellë nga thellimi i papunësisë, nënvizoi:
Dëshiroj t’i inkurajoj autoritetet politike e ato civile, si edhe sipërmarrësit, që me bashkëpunimin e të gjithëve, të përballohet ky çast kaq delikat. Ndjehet fort nevoja e impenjimit të përbashkët, pa harruar se në radhë të parë duhen ndihmuar punëtorët e familjet e tyre”.







All the contents on this site are copyrighted ©.