2009-04-30 17:40:13

Universiteti Katolik i Lublinit i jep Kardinalit Bertone titullin doktor “honoris causa”: “Kumtoni vlerat e humanizmit të krishterë në këtë epokë pesimizmi”.


(30.4.2009 RV)Sot paradite Sekretari i Shtetit të Vatikanit Kardinali Tarçizio Bertoni inauguroi qëndrimin e tij në Poloni me një takim shumë prestigjoz. Kardinalit Bertone, i cili do të qëndrojë në Poloni deri të dielën, Universiteti Katolik i Lublinit i dha titullin doktor “honoris causa” në të drejtë civile, kanonike dhe administrative. Përpara kësaj ceremonie Kard. Bertone kremtoi edhe Meshën Shenjtë gjatë së cilës theksoi rolin e universiteteve katolike në formimin e njeriut të krishterë në një epokë si kjo, e mbytur nga pesimizmi i atyre që i kanë humbur marrëdhëniet me Zotin. Në një situatë si kjo, tha Sekretari i Shtetit kard. Bertone, merr rëndësi të madhe meditimi i Fjalës së Hyjit dhe reflektimi, të cilat pastaj na çojnë tek zbulimi i së vërtetës. Janë këto aspekte të cilat gjatë dymijë vjetëve jetë Kisha i ka dëshmuar vazhdimisht, sikurse tregojnë edhe rrënjët e krishtera të Evropës. Më tej ai vazhdoi duke thënë:

“Kisha nuk mbyllet në vetvete, nuk e mban për vete gëzimin e Ungjillit, por merr pjesë aktivisht në dramën njerëzore, për ta shndërruar vuajtjen me anë të forcës së Krishtit, në një ngjarje plot kuptim dhe për t’i dhënë shpresë njerëzimit.”

Sot – vazhdoi Kardinali Bertone – në një epokë ku ka shndërrime të thella kulturore, dhe në të cilën duhet zbuluar vazhdimisht solidariteti i Zotit me njeriun për të kapërcyer pesimizmin e kësaj kohe, përgjegjësia për t’i ripohuar shtyllat e besimit të krishterë, bie mbi ju mbi brezin tuaj.” tha ai duke iu drejtuar të pranishëmve.







All the contents on this site are copyrighted ©.