2009-04-30 17:40:33

Revista “Civilta Cattolica”: Italia dhe Evropa e paragjykojnë Papën dhe Selinë e Shenjtë.


(30.04.2009 RV)Evropa, sipas revistës “Civiltà Cattolica” ushqen armiqësi “a priori” kundër doktrinës së Kishës dhe kundër vetë Papës. Ndaj tyre ka paragjykime të papjekura, aq sa duket se kemi të bëjmë me një rast të “psikologjisë të adoleshentëve”.
“Kundër tij, - pohon e përjavëshmja e etërve jezuitë duke folur për Benediktin XVI, -ushtrohet vazhdimisht superkritika. Shprehet bezdi dhe mospranim ndaj mësimeve të tij por edhe ndaj vetë personit të tij”.
Por një qëndrim i tillë, thuhet në këtë revistë, ekziston edhe në botën katolike, ndonëse me doreza dhe i moderuar. Njeriu që është bërë Papë e që disa gazeta e kanë quajtur “teolog abstrakt” apo “mbrojtës i pozicioneve të prapambetura”, është përkundrazi një person me një mirësi të thellë, me një përshpirtshmëri të jashtëzakonshme, ka kërshëri prej intelektuali për çdo gjë, dhe mbi të gjitha, Benedikti XVI ka një qetësi të shpirtërore të brendshme.”
Më tej në artikull thuhet se ky Papë u jep bezdi laikëve, të cilët nuk arrijnë të kuptojnë rolin dhe magjisterin e Papës Racinger, veçanërisht kur flitet për ato të mira “që nuk janë të diskutueshme”- është fjala këtu për abortin, eutanazinë, pastrinë e të tjera.
Por artikulli në fjalë përmend edhe laikë të cilët përkundrazi e vlerësojnë lart rolin e Papës Benedikti XVI, si për shembull filozofi Andre Gluksman apo përfaqësuesi i bashkësisë hebraike të Livornos Guido Guastala. Këta kritikojnë neoiluminizmin laicist të këtyre kohëve, por edhe ata që mendojnë se gjithnjë ka konflikt ndërmjet besimit fetar dhe shkencës. Sidoqoftë ka edhe personalitete të tjera të cilat vërejnë tek papa aktual një person i cili po i kundërvihet shëndërrimit të njeriut në objekt si edhe konsumizmit si qëllim në vetvete.







All the contents on this site are copyrighted ©.