Papa ipeshkvijve katolikë të Argjentinës, Kisha të sjell mesazhin e paqes e të pajtimit
ungjillor e të mos frymëzohet prej ideologjive.
(30.4.2009 RV)Në Amerikën Latine Kisha duhet të sjell “mesazhin e paqes e të
pajtimit” e jo “të frymëzohet prej skemave që pretendojnë përmirësimin e botës duke
ndjekur një ideologji”. Shërbimi ipeshkvnor, roli i meshtarëve, kontributi i laikëve
në jetën e Kishës e të shoqërisë: këto janë tri temat kryesore që Benedikti XVI i
trajtoi në fjalimin e tij drejtuar sot paradite grupit të tretë të ipeshkvijve të
Argjentinës, në vizitën e tyre pesë vjeçare ‘Ad Limina Apostolorum’, të cilët i priti
në Sallën e Konçistorit në Vatikan. Ndërsa në fjalimin përshëndetës drejtuar Papës,
zëvendës presidenti i episkopatit argjentinas, imzot Luis Villalba, u ndal mbi sfidat
kryesore të cilat Kisha e Argjentinës është e thirrur t’i përballojë. Ipeshkvi
të sillet me besimtarë gjithmonë porsi ai që shërben, duke u frymëzuar vazhdimisht
nga shembulli i Krishtit Zot: ky është këshilli që Benedikti XVI u drejtoi ipeshkvijve
të Argjentinës në përfundim të vizitës së tyre pesë vjeçare në Vatikan. Më të vërtetë,
tha Papa, ai i ipeshkvit “është titull nderi “ kur jetohet me shpirtin ungjillor të
shërbimit e pjesëmarrjen e përvujtë në misionin e Krishtit “Kundrimi i përhershëm
i figurës së Bariut të Mirë, do të shërbejë si shembull e inkurajim në përpjekjet
tuaja për kumtimi n e mbrojtjen e Ungjillit”. Pastaj do t’u jap shtytje në misionin
e përkujdesjes tuaj ndaj besimtarëve “me ëmbëlsi e përdëllim, duke i mbrojtur të dobëtit
e duke shpenzuar jetën në një përkushtim të vazhdueshëm e bujar ndaj popullit të Zotit”.
Kështu pra, Papa i ftoi ipeshkvijtë argjentinas të promovojnë në bashkësitë e
tyre kishtare dioqezane ushtrimin e dashurisë dhe të bamirësisë, posaçërisht ndaj
më nevojtarëve e të jenë shenjë e dukshme e dashurisë së Krishtin në mesin e njerëzve. “Ky
kontakt i pareshtur me Krishtin në lutje – tha Papa – e shndërron zemrën e besimtarëve,
duke e hapur ndaj nevojave” të njerëzve. E megjithatë, shtoi Ati Shenjtë duke cituar
enciklikën Zoti është Dashuri, nuk duhet të “frymëzohemi prej ideologjive të përmirësimit
të botës, por të lejojmë të udhëhiqemi nga feja e cila në dashuri bëhet vepruese”.
Pastaj duke iu drejtuar meshtarëve, Papa i nxiti të identifikohet gjithnjë më
tepër me Krishtin Zot e të jenë shembuj virtytesh për grigjën e tyre. Në vijim të
fjalimit, Ati i Shenjtë Racinger përmendi besimtarët laikë e thirrjen e tyre specifike
në jetën kishtare. Besimtarët, vuri në dukje Papa, “ të nxitur nga dashuria e Krishtit”
duhen të “marrin pjesë në mënyrë aktive në misionin e Kishës ashtu si në jetën shoqërore,
politike, ekonomike e kulturore të Vendit të vet duke qenë shembullor në ushtrimin
e detyrave civile e në ushtrimin e virtyteve njerëzore e të krishtera që kontribuojnë
për të mirën e përbashkët të të gjithë qytetarëve të një Vendi.