2009-04-30 14:10:37

Osservatore Romano: “Njëqind ditë që nuk e tronditën botën”, kushtuar muajve të parë të presidencës së Barak Obamës


(30.04.2009 RV)Kështu e titullon sot gazeta vatikanase ‘L’Osservatore Romano’ një shkrim kushtuar muajve të parë të presidencës së Barak Obamës. Në këtë analizë, gazeta e drejtuar nga profesor Giovani Maria Vian, këshillon të priten 1361 ditët e ardhshme, për të dhënë një gjykin përfundimtar, por njëkohësisht vë theksin edhe mbi temat e politikës së jashtme, posaçërisht mbi përpjekjen për t’i hapur portat e mirëkuptimit Iranit e Kubës. Pranon edhe se mbi temat e bioetikës, presidenti i ri i SHBA-.ve në njëqind ditët e para të mandatit të tij, u tregua më i moderuar sesa pritej. ‘Lidhur me çështjet etike, për të cilat, që në krye të fushatës zgjedhore, ipeshkvijtë katolikë shprehën shqetësimin e tyre të thellë – nuk duket që Obama t’i ketë konfirmuar risitë të thella për të cilat pati folur. Posaçërisht - nënvizon gazeta vatikanase - vijat e reja udhëheqëse që kanë të bëjnë me kërkimet shkencore në fushën e qelizave staminale embrionale, nuk flasin për ndryshimet e parashikuara muaj më parë, e nuk krijojnë kushte për krijimin e embrioneve të reja në shërbim të kërkimeve shkencore ose të mjekimeve, të klonimeve ose të qëllimeve riprodhuese, e fondet federale mund të përdoren vetëm për eksperimente me embrionet e tepruara. Nuk mund të themi - pohon L’ Osservatore Romano - se nuk ka më arsye për kritika përballë formave të papranueshme të bioixhinierisë, që i kundërvihen identitetit njerëzor të embrionit, por sidoqoftë, rregulli i ri nuk i lejon ta shtrijnë më tej veprimtarinë.
Një farë habije – vërehet në artikull- shkaktoi këto ditë paraqitja e një projekt-ligji nga krahu demokratik: është Pregnant Women Support Act (Dekret mbi ndihmën për gratë shtatzëna), që ka si qëllim kufizimin e aborteve në SHBA, përmes nismave të ndihmës që u duhet dhënë grave shtatzëna. Nuk është mohim i doktrinës së shprehur nga Obama për ndërprerjen e shtatzanisë, por projekt–ligji mund të krijojë një drejtpeshim të ri për mbrojtjen e amësisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.