2009-04-29 18:59:54

Skandali i shitjes së territorit Greqisë nga Shqipëria


(29.4.2009 RV)Skandali i shitjes së territorit Greqisë nga Shqipëria: reagon Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë duke mohuar që të ketë ndryshime në kufijtë mes Greqisë e Shqipërisë, por pa deklaruar shifër sesa km është distanca detare. Deputetët e Parlamentit shqiptar i kërkojnë kryeministrit Berisha të bëjë transparente marrëveshjen Shqipëri- Greqi për kufijtë detarë. Disa organe shtypi botojnë ekskluzivisht se me nënshkrimin e marrëveshjes së delimitimit qeveria e Tiranës i dhuron Greqisë rreth 225 km2 sipërfaqe ujore dhe grekët afrohen 11 kilometra drejt Karaburunit.


(29.4.2009 RV)Në vitet e ardhshme Shqipëria mund të shndërrohet në një surprizë të Ballkanit. Kështu tha Komisioneri evropian i zgjerimit Oli Ren, i cili e mori në mbrojte kandidaturën e Shqipërisë gjatë një simpoziumi mbajtur në Berlin me rastin e pesëvjetorit të raundit të parë të zgjerimit të BE së. Ren tha se Shqipëria ka të drejtë të shtrojë kërkesën për anëtarësim e shtoi se "gjatë këtyre viteve Shqipëria ka bërë përparime në rrugën e reformave si dhe në luftimin e korrupsionit e të krimit të organizuar”. Deri diku ka vuajtur nga imazhi i keq i së kaluarës", ka thënë komisioneri Ren, duke shtuar se "është e mundshme që në dhjetë vitet e ardhshme Shqipëria të shndërrohet në një surprizë të Ballkanit Perëndimor.
Me titullin "Mirësevjen Shqipëri," gazeta londineze "Fajnenshëll tajms" ("The Financial Times") në një editorial të saj shkruan në lidhje me aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ndërsa BE ja është e goditur nga kriza ekonomike, pohon Fajnenshëll tajms, debatet rreth kushtetutës dhe shqetësimet për marrëdhëniet me Rusinë, do të jetë lehtë që udhëheqësve të saj t'u shpëtojë nga vëmendja kërkesa zyrtare për anëtarësim në BE e bërë nga Shqipëria e vogël. Sipas gazetës, zgjerimi i Bashkimit Evropian drejt lindjes është suksesi i tij më i madh, dhe ky duhet të pasurohet me përqafimin e shteteve të brishta të Ballkanit perëndimorë, përfshirë dhe Shqipërinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.