2009-04-29 18:12:25

Imzot Marketo: Kisha është kundër paragjykimeve, që kanë të bëjnë me turizmin.


(29.04.2009 RV)“Realitete e sfida të turizmit sot” është tema e takimit dyditor evropian, hapur sot paradite në Pallatin e Shën Kalistit në Romë, organizuar nga Këshilli Papnor i baritorisë për emigrantët dhe endacakët. Të pranishëm, ipeshkvijtë dhe drejtuesit kombëtarë të baritorisë për turizmin nga 20 vende të ndryshme të botës, të ftuar për të marrë pjesë në kremtimin e 40-vjetorit të Udhëzuesit “Shtegtarë mbi tokë’, botuar më 1969, gur kilometrik në udhën e impenjmit të Kishës në fushën, asokohe ende në fasha, të turizmit masiv.
Pra, nuk është thjesht një takim formativ, por sidomos, një takim i përbashkët pune, për të kujtuar të kaluarën, me sytë drejtuar nga e sotmja e, sidomos, nga e ardhmja. “Gjatë takimit do të shkëmbehet përvoja e punës baritore me turizmin dhe do të vihet theksi mbi shqetësimet, që lindin nga kjo fushë e re masive e punës baritore të Kishës”. Kështu u shpreh kryeipeshkvi Antonio Maria Velio, kryetar i dikasterit organizues, në fjalimin e hapjes, duke i inkurajuar pjesëmarrësit në kuvend të japin ndihmesën e tyre ngjatë takimit, që do të përfundojë nesër. Do të mundemi kështu – vijoi prelati - t’i japin Kishës një përgjigje të trifishtë për problemet që e shqetësojnë në këtë fushë të veprimtarisë së saj: për turizmin në përgjithësi, për njohjen e të gjitha aspekteve të tij si edhe për rreziqet e devijimet.
Diskutimet e posafilluara po përqendrohen posaçërisht rreth turizmit drejt viseve të krishtera, përvojë e vërtetë feje, si dhe turizmit të të krishterëve, me qëllim që ta përdorin kohën e lirë për rritjen e tyre njerëzore e fetare.Turizmi – shtoi kryeipeshkvi Agostino Marketo, sekretar i të njëjtit dikaster – përveçse përvojë jete, ka edhe një përmasë njerëzore, që duhet arsyetuar teologjikisht. Prandaj Kisha është kundër paragjykimeve e dyshimeve që kanë të bëjnë me turizmin, një realitet shumplanësh, i cili duhet parë si fushë e rëndësishme e misionit ungjillor. Prej këndej, propozimi i Kishës për të bashkuar ndihmesën e saj të posaçme me impenjimet e institucioneve civile që merren me turizmin – shtoi prelati – me bindjen se baritoria e turizmit është pjesë përbërëse e veprimtarisë kishtare, që ka të bëjë jo vetëm me udhëtarët, por edhe me të gjithë veprimtarët e sektorit.
Kujtojmë se turizmi në përgjithësi e turizmi fetar në veçanti, nuk janë më një ëndërr për shqiptarët. Prej kohe kanë nisur të organizohen lëvizje masive në drejtim të viseve të ndryshme të botës, që dallohen për bukuri natyre, për vlera artistike e kulturore.
Nuk mungojnë as shtegtimet fetare, brenda e jashtë vendit. Brenda vendit, kryesisht drejt shenjtëroreve kombëtare. Mjafton të kujtojmë shtegtimin e madh të së hënës së kaluar drejt shenjtëroreve të Zojës së Këshillit të Mirë në Shqipëri e në Kosovë, apo shtegtimet masive në Shenjtëroren e Shëna Ndout në Laç, që s’mundi t’i ndalojë as diktatura.
Por tashmë besimtarët kanë nisur shtegtime fetare edhe më të largëta, siç janë ato në Tokën Shenjte, për të cilat në Shkodër është krijuar edhe një qendër turistike fetare, nën drejtimin e françeskanëve.
Prandaj puna baritore me këtë turmë shqiptarësh, që dynden për të parë botën e madhe, deri dje të ndaluar, është një mundësi e njëkohësisht edhe një sfidë e veprimtarisë baritore të Kishës katolike në vend.







All the contents on this site are copyrighted ©.