2009-04-29 18:10:35

Dhimbja e Benediktit XVI për vuajtjet që disa anëtarë të Kishës u shkaktuan aborigjenëve të Kanadasë


(29.04.2009 RV)Pas audiencës së përgjithshme, Benedikti XVI u takua, në Sallën e Palit VI, me një delegacion përfaqësues të indianëve të Kanadasë, ndërmjet të cilëve, edhe Fil Fontenë, udhëheqës kombëtar i Asamblesë së vendasve, si dhe kryetari i ipeshkvijve kanadezë, kryeipeshkvi Xhejms Vaisgjerber.
Benedikti XVI – njofton një komunikatë e Selisë së Shenjtë - dëgjoi historitë dhe shqetësimet e aborigjenëve. Papa kujtoi se, që në zanafillë të pranisë së saj në Kanada, Kisha ka qenë gjithnjë pranë popullsisë vendase. Prandaj shprehu keqardhjen e tij të thellë për vuajtjet e shkaktuara nga sjellja e dënueshme e disa njerëzve të Kishës, të cilët drejtojnë shkollat rezidenciale për fëmijët e popullsisë vendase të Kanadasë. Papa i siguroi mysafirët se merr pjesë në shqetësimin e tyre dhe u shprehu solidaritetin e tij, duke theksuar me forcë se shpërdorime të tilla janë krejtësisht të palejueshme. Së fundi – shkruhet në notë – Ati i Shenjtë u lut për ata që kanë vuajtur, uroi që të gjejnë sa më shpejt ngushëllim dhe i inkurajoi përfaqësuesit e aborigjenëve të ecin përpara me shpresa të reja.

Kujtojmë se nga fundi i viteve 1800, qeveria federale e Kanadasë ngriti disa shkolla të njohura si ‘rezidenciale’ për fëmijët aborigjenë. Është fjala – shpjegon një notë e episkopatit kanadez – për struktura të financuara nga shteti e të drejtuara nga organizata të ndryshme fetare, të cilat vijuan të funksionojnë deri 30 vjet më parë. Prej 76 shkollave rezidenciale, të ndjekura nga rreth njëqind mijë nxënës, 45 mbarështoheshin nga organizmat katolike. Fëmijët vendas, kujton nota, u shkëputën nga familjet e u detyruan të hiqnin dorë nga gjuha e tyre, nga feja e tyre e nga mënyra e tyre e jetesës, për t’iu përshtatur kulturës evropiane. Disa nga nxënësit qenë viktimë e shpërdorimeve fizike e seksuale.
Ipeshkvijtë nënvizojnë se të gjitha bashkësitë rregulltare e dioqezat, ashtu si dhe Kishat e tjera, u kanë kërkuar zyrtarisht falje aborigjenëve të Kanadasë. E kërkesë publike për falje u bëri aborigjenëve, më 11 qershor 2008, edhe kryeministri Stefen Harper, në një seancë të posaçme të Dhomës së Komuneve. Bashkësitë vendase kanë arritur një marrëveshje për shpërblim ekonomik me qeverinë kanadeze si dhe me bashkësitë fetare të përfshira në këtë shkandull.







All the contents on this site are copyrighted ©.