2009-04-28 15:46:33

Papa Benedikti XVI përqafon Abrucon: nuk jeni vetëm.


(28.04.2009 RV)RealAudioMP3 Një përqafim i ngrohtë për popullsinë e dëmtuar nga tërmeti i 6 prillit, impenjimi i Kishës për të mos lënë askënd vetëm gjatë rindërtimit të shtëpive e institucioneve, kërkesa për të bërë “shtëpi të qëndrueshme”, edhe në respekt të viktimave. Filloi nën një shi të vazhdueshëm vizita e Papës Benedikti XVI në Abruco, kohë e keqe që e detyroi Atin e Shenjtë të heqë dorë nga helikopteri e të shkojë në zonat e tërmetit me makinë, duke e shtyrë krejt programin për rreth një orë.
Etapa e parë në Ona, fshat me 300 banorë, që ka pasur 40 viktima nga tërmeti. Papa përshëndeti njerëzit nëpër tenda e pastaj bëri një xhiro të vogël me fuoristradën, së cilës i jepte kreu i Mbrojtjes Civile Italiane, Guido Bertolazo. Me Benediktin XVI, një përfaqësues i qeverisë së Romës dhe kryeipeshkvi i Akuilës, Xhuzepe Molinari:
“Do të doja t’ju përqafoj me dashuri një e nga një… Kam admiruar guximin, dinjitetin dhe fenë me të cilat keni përballuar këtë sprovë të rëndë, duke shfaqur vullnetin e madh për të mos iu nënshtruar vështirësive” – tha Papa në fushën me tenda të Onës, ku inkurajoi institucionet dhe ndërmarrjet të punojnë me mençuri për rindërtimin.
Pas Onës, Papa shkoi në bazilikën e Kolemaxhos për t’u lutur para relikeve të Çelestinit V, në një skenar surreal: një pjesë e kupolës së kishës ka rënë dhe shtyllat e mbetura në këmbë ishin përforcuar e lidhur me shiritat e Mbrojtjes Civile. Benedikti XVI, gjithnjë i kontrolluar nga zjarrfikësit, vendosi palion papnore mbi arkivolin e xhamtë, ku ruhen reliket e Çelestinit V.
Çast prekës i vizitës ishte takimi me të rinjtë e mbijetuar nga rënia e shkatërrimi i Shtëpisë së Studentit, ku humbën jetën 8 vetë. Papa, veçanërisht i mallëngjyer, u ndal të fliste me disa prej tyre e më pas vështroi gjatë ç’ka mbetet nga ndërtesa, duke u lutur sëbashku me të rinjtë. “Bëhuni inxhinjerë të zot”, u tha Ati i Shenjtë studentëve, duke iu referuar përgjegjësisë së inxhinjerëve dhe arkitektëve, që kanë ndërtuar pa kritere antisizmike, banesa e institucione në Akuila. Vlejnë edhe për studentët, fjalët ngushëlluese që Papa u tha banorëve të Onës:
“Papa është këtu, sot, mes jush për t’ju thënë edhe një fjalë ngushëllimi për të vdekurit: ata janë gjallë në Hyjin e presin prej jush dëshminë e guximit e të shpresës. Presin ta shohin të rilindë këtë tokën e tyre, që duhet të zbukurohet sërish me shtëpi e kisha, të bukura e të qëndrueshme. Është pikërisht në emër të këtyre vëllezërve e motrave, që duhet të impenjohemi sërish për të jetuar, me atë që nuk vdes e që as tërmeti nuk e shkatërroi dot: dashurinë. Dashuria mbetet përtej kufirit të kësaj ekzistencës sonë të brishtë tokësore, sepse Dashuria e vërtetë është Zoti. Kush do fiton, në Zotin, mbi vdekjen dhe e di se nuk i humb ata që ka dashur”.
Etapa e fundit e vizitës së Benediktit XVI në Abruco ishte takimi me autoritetet civile e fetare, me qindra persona, banorë të vendit e vullnetarë, në kazermën e Rojes së Financës, në Kopito. Kisha, theksoi Papa, është këtu me mua, pranë vuajtjes suaj, merr pjesë në dhimbjen për humbjen e familjarëve dhe të miqve, me dëshirën për t’ju ndihmuar të ndërtoni shtëpitë, kishat, ndërmarrjet e shkatërruara ose të dëmtuara rëndë nga tërmeti:
“Por – shtoi Ati i Shenjtë – edhe Bashkësia civile duhet ta shqyrtojë seriozisht ndërgjegjen, në mënyrë që të mos mungojë niveli i lartë i përgjegjësisë, në çdo çast. Me këtë kusht, Akuila (Shqiponja), megjithëse e plagosur, do të fluturojë sërish”.
Para se të nisej për në Vatikan, në përfundim të ceremonisë në Sheshin e Armëve të kazermës së Rojes së Financës, Benedikti XVI mbajti për disa çaste në kokë kaskën e një oficeri të zjarrfikësave. Para shtatores së Zojës së Roios, Papa vendosi një trëndafil të artë, dhuratë tradicionale e papëve për Shën Marinë, dhe u lut që Nëna e Shpresës t’i ndihmojë abrucezët të shohin përtej vdekjes e vështirësive të momentit, dritën e ringjalljes. U mbetet abrucezëve, bekimi dhe premtimi i Atit të Shenjtë në Ona:
“Lutja ime është me ju; jemi bashkë e Zoti do të na ndihmojë. Faleminderit për guximin, për fenë e shpresën tuaj”.







All the contents on this site are copyrighted ©.