Sot më 27 prill, kalendari kishtar përkujtoi Shën Simeonin, ipeshkëv të Jerusalemit
e martir
(27.4.2009 RV)Ipeshkvi Shenjt Shën Simeoni qe prijësi i dytë, pas Shën Jakut
Apostull, i bashkësisë së parë të krishterë, që u formua në Jerusalem e që jetoi në
një frymë vëllazërim të plotë, sipas urdhërit të dashurisë, predikuar nga Jezusi:
"Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si ju desha unë". Shën Simeoni pati fatkeqësinë
të shikonte rrënimin e Jerusalemit, parafolur prej Jezusit. Bashkësia e vogël e krishterë,
duke kujtuar këtë parafolje, u largua me kohë dhe shpëtoi nga fati tragjik, që u takoi
banorëve të tjerë të Qytetit Shenjt, në të cilin romakët nuk lanë gur mbi gur.
Si kaloi stuhia, bariu i mirë i priu grigjës drejt shtëpive tashmë të shkatërruara
dhe filloi, bashkë me besimtarët, rindërtimin e Kishës, Nënë e të gjitha kishave,
duke arritur t'i kthejë në fe të Krishtit shumë hebrenj, që vërtetimi i profecisë
së Jezusit i kishte shtyrë të meditonin mbi mesazhin ungjillor, të cilin më parë nuk
kishin dashur ta pranonin. Simeoni jetoi gjatë. I udhëhoqi të krishterët
e Jerusalemit për më se dyzet vjet e, kur dha dëshminë e gjakut për Krishtin, gjatë
periudhës së dytë të persekutimit të madh, që shpërtheu në të gjithë perandorinë romake,
e kishte kapërcyer pragun e njëqindtës. Pas persekutimit të parë, që goditi vetëm
bashkësinë e krishterë të Romës, të cilën Neroni e akuzoi për djegien e qytetit në
vitin 64, bashkësia katolike gëzoi një farë paqeje. Por shumë shpejt, nën
perandorin Domician, salvimi rifilloi me furi dhe çoi në vdekje disa përfaqësues të
shquar të aristokracisë romake, në gjirin e së cilës kishte nisur të depërtonte feja
e krishterë. Një persekutim tjetër, që shpërtheu nën Perandorin Trajan, u shtri në
të gjitha provincat e Perandorisë, ndonëse qëllimi i tij nuk ishte aq t'i dënonte
me vdekje të krishterët, sa t'i bënte të hiqnin dorë nga Krishti. Vendosmëria e mahnitshme,
me të cilën të krishterët refuzuan ta mohonin fenë, përbën një nga faqet më të lavdishme
të historisë së Kishës. E pikërisht në kohën e Trajanit, Simeoni, ipeshkvi i Jerusalemit,
"vëlla me Jezu Krishtin", i mbaroi ditët në kryq, si Zoti i vet!