2009-04-27 17:04:39

Benedikti XVI gjatë kremtimit për shenjtërimin e 5 të lumëve: “Shenjtorët e rinj na tregojnë se zemra e njeriut përtërihet thellësisht nga misteri i ngjalljes së Krishtit.


(27.04.2009 RV)RealAudioMP3 Drita e fytyrës së Krishtit të ngjallur shkëlqen sot përmes tipareve ungjillore të pesë Shenjtorëve të rinj: Arkanxhelo Tadini, Bernardo Tolomei, Nuno de Santa Maria Alvares Pereira, Gjertrude Komensoli e Katerina Volpiçeli. Në kremtimin për shenjtërimin e tyre, kryesuar nga Benedikti XVI në Sheshin e Shën Pjetrit, morën pjesë shtegtarë e besimtarë të ardhur nga të katër anët e botës. Në përfundim të Meshës, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Ati i Shenjtë theksoi se shenjtorët e rinj na ndihmojnë të meditojmë për veprën shëlbuese të Krishtit.

Duke u ndaluar tek fragmenti ungjillor i djeshëm, në të cilin Krishti i ngjallur duket në Çenakull, Papa kujtoi se Jezusi u shfaqet nxënësve të tij, për t’i ndihmuar t’i kuptojnë Shkrimet Shenjte e t’i rilexojnë ngjarjet e mëdha të shëlbimit në dritën e Pashkëve. Po këtë përvojë – shpjegoi Ati i Shenjtë - e jeton çdo bashkësi e krishterë në kremtimin eukaristik. Eukaristia është vendi i privilegjuar, në të cilin Kisha njeh e pranon Autorin e jetës:
“Duke kremtuar Eukaristinë, komunikojmë me Krishtin, që u flijua për shlyerjen mëkateve të botës, e Ai na dhuron faljen e jetën. Ç’do të ishte jeta jonë e krishterë pa Eukaristinë? Eukaristia është trashëgimia e përhershme dhe e gjallë që na la Zoti në Sakramentin e Korpit e të Gjakut të vet, për të cilën duhet të mendojmë e të thellohemi vazhdimisht me qëllim që, siç pohon i nderuari Papa Pali VI, ta ndikojë forcën e vet të pashterrshme në të gjitha ditët e jetës sonë të vdekshme”.
Të ushqyer me bukën eukaristike, Shenjtorët e rinj që po i nderojmë sot – shtoi Papa – e çuan deri në fund misionin e tyre të dashurisë ungjillore në fushat e ndryshme të veprimtarisë, në përkim me karizmat e tyre të posaçme. Prandaj drita e fytyrës së Krishtit të ngjallur shkëlqen sot përmes tipareve të tyre ungjillore:
Ngjarjet e ndryshme njerëzore e shpirtërore të Shenjtorëve të rinj na tregojnë se zemra e njeriut përtërihet thellësisht nga misteri i ngjalljes së Krishtit; mister themelor, që drejton e udhëheq gjithë historinë e shëlbimit. Me të drejtë, prandaj, Kisha, gjithnjë e aq më shumë në këtë kohë Pashkësh, na fton ta drejtojmë vështrimin nga Krishti i ngjallur, vërtetë i pranishëm në Sakramentin e Eukaristisë”.
Më pas Papa skicoi biografitë e Shenjtorëve të rinj, duke vënë theksin mbi tiparet themelore të secilit prej tyre. Për Arkanxhelo Tadinin, meshtar italian nga Bresha, që jetoi ndërmjet viteve 1844-1912, theksoi se ishte ‘njeri që ia kushtoi plotësisht vetveten Zotit’. Kujtoi edhe Kongregatën e Motrave Punëtore të Shtëpisë Shenjte të Nazaretit, gra e vajza të shuguruara, por punëtore ndërmjet punëtoreve, themeluar prej tij, me vlerë të madhe aktuale:
Sa profetike qe kjo intuitë karizmatike e Don Tadinit e sa aktual mbetet shembulli i tij sot, në një epokë të pushtuar nga kriza e rëndë ekonomike. Ai na kujton se vetëm duke mbajtur lidhje të vazhdueshme e të thellë me Zotin, posaçërisht në Sakramentin e Eukaristisë, mund ta çojmë tharmin e Ungjillit atje ku punohet e në çdo mjedis tjetër të shoqërisë sonë”.
Duke folur për Bernardo Tolomein, lindur në Sienë të Italisë më 1272, Papa vuri theksin mbi jetën e tij vetmitare, të ushqyer me dashuri e lutje, mbi rolin që luajti në themelimin e kuvendit të Shën Marisë së Malit Oliveto, sipas rregullës së Shën Benediktit e mbi ndihmën që u dha, më 1348, sivëllezërve e qytetarëve gjatë epidemisë së tmerrshme të murtajës, e cila i shkaktoi edhe vdekjen.
Kujtimin e njeriut të lutjes, të pendesës e të besimit të plotë në ndihmën e Zotit la pas edhe Nunjo Alvares Pereira. Gjeneral në moshën 23 vjeçare, hero kombëtar i Portugalisë në moshë të pjekur, ndërroi shpatën me zhgunin e karmelitanit, duke u treguar të gjithëve – theksoi Papa - se vlerat dhe parimet e jetës së krishterë mund të vihen në jetë edhe në një kontekst krejt të pafavorshëm, siç është ai i betejave, ku të duket se di të flasë vetëm arma.
Duke kujtuar Katerinën Komensoli, lindur në afërsitë e Breshës, në vitin 1847, themeluese e Institutit të Adhurueseve të Eukaristisë, Benedikti XVI theksoi se adhurimi i të Shenjtnueshmit Sakrament duhet t’u paraprijë të gjitha veprave të dashurisë së krishterë, sepse nga dashuria për Krishtin e vdekur e të ngjallur, vërtetë të pranishëm në Sakramentin eukaristik, buron ajo ndjenjë ungjillore, që na bën vëllezër e motra me të gjithë njerëzit.
Dëshmitare e dashurisë hyjnore ishte edhe Katerina Volpiçeli, themeluese e Institutit të Shërbëtoreve të Zemrës së Krishtit. Bëri çmos t’i përkiste e tëra Zotit, për t’ia çuar gjithë atyre që takoi në Napolin e tetëqindës. Edhe e fshehta e shenjtërisë së saj ishte lidhja e ngushtë me Eukaristinë – theksoi Ati i Shenjtë - e shtoi:
“Për të qenë edukatore të vërteta të fesë, plot dëshirë për t’ua transmetuar breznive të reja vlerat e kulturës së krishterë, është e domosdoshme të lirohet Zoti nga burgjet ku duan ta mbyllin njerëzit”.
I përmblodhëm shkurtimisht biografitë e Shenjtorëve të rinj, duke u bazuar kryesisht tek fjalët që tha për ta Papa, sepse pesë figurat e ndritura i pasqyruam më gjërësisht në programin e djeshëm.
Në fund të kremtimit Benedikti XVI i ftoi të gjithë të krishterët të ecin në gjurmët e shenjtorëve të rinj.

Ndërsa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore Papa kujtoi se dje kremtohej Dita e Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit. 50 vjet pas vdekjes së themeluesit të këtij Institucioni të rëndësishëm, atë Agostino Gjemelit, Benedikti XVI uroi që Universiteti Katolik t’i qëndrojë besnik parimeve, nga të cilat u frymëzua, për t’u ofruar përherë një formim me vlerë breznive të reja.
Në përfundim Papa falënderoi përzemërsisht shtegtarët e shumtë, ardhur nga të katër anët e botës për të nderuar Shenjtorët e rinj:
Uroj që ky shtegtim, i jetuar nën shenjën e shenjtërisë e i përforcuar nga hiri i Vitit kushtuar Shën Palit, ta ndihmojë secilin nga ju për të vrapuar me hov të ri drejt cakut të fundit, drejt çmimit që Zoti na thërret ta marrim atje lart, në Krishtin Jezus”.







All the contents on this site are copyrighted ©.