2009-04-25 13:46:08

Shenjtorët e Javës së ardhshme sipas Kalendarit Kishtar


RealAudioMP3 Më 26 prill, Kisha kremtoi të dielën e 3-të të Pashkëve e po sot kalendari kishtar kremton edhe festën e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtoren e shqiptarëve. Festa e Zojës së Këshillit të Mirë, i bashkon shpirtërisht gjithë shqiptarët rreth figurës së Nënës Qiellore në shenjtëroren kombëtare rrëzë Kështjellës Rozafa në Shkodër, rrenimi dhe rindërtimi i së cilës do të mbetet në shekuj si simbol i ikjes dhe i rikthimit të përsëritur të Zojës së Këshillit të Mirë në trojet e në zemrat e shqiptarëve. Figurja e mrekullueshme, origjinali i së cilës ndodhet në Gjenacan të Italisë, pasqyron pra, gjithë historinë e katolicizmit në Shqipëri.

Të hënën, më 27 prill, kalendari kishtar përkujton Shën Simeonin, ipeshkëv i Jeruzalemit e martir. Liturgjia e kësaj dite e nxit besimtarin t’i bëjë vetes një pyetje që përshkon shekujt: “Si është e mundur që Jezusi të na ftojë të hamë korpin e Tij?”- e njëkohësiht të marrë përgjigjen: “Buka e tij nuk është si ajo hëngrën etërit e vdiqën. Korpi dhe gjaku i Tij janë bukë e vërtetë e pije e vërtetë!

Të martën më 28 prill, sipas calendari kishtar do të përkujtohen Shën Pjetri Shanel, meshtar e martir i Oqeanisë dhe Shën Luigji Grinjon de Montfort, meshtar, themelues i Shoqërisë së Marisë. Liturgjia e festës së tyre na kujton se, për fat të keq, shumë nga nxënësit, nuk i pranuan fjalët e Jezusit e u larguan nga Ai. Juda e tradhtoi. Ndërsa feja e Kishës u shpreh në besojmën e Pjetrit Apostull, që na kujton se e vetmja rrugë e drejtë është ajo që na çon te Krishti, sepse vetëm Ai i “ka fjalët e jetës së pasosur!”.

Të mërkurën e ardhsme më 29 prill, do të kremtohet Shën Katerina e Sienës, virgjër, doktoreshë e Kishës, Pajtore e Italisë dhe bashkëpajtore e Evropës, e cila me jetën e saj tregoi se vetëm dashuria e pasionuar për Krishtin e Kryqëzuar i sjell dritën e Zotit të ngjallur Kishës e shoqërisë civile.
Liturgjia e ditës na kujton se gjithë jeta e Krishtit dëshmon se në zemrën e Zotit ka gjithnjë vend për çdo njeri, këndej edhe për ne. Gjithçka bëri Jezusi, e sidomos vdekja e ngjallja e Tij, janë vepër e Atit. E edhe gjithçka na ndodh në jetë, në se besojmë në Krishtin, na çon te Ati, që është gati t’i shpëtojë gjithë njerëzit e mbarë popujt.


Të enjtën më 30 prill, do të kremtohet festa e Shën Piut V papë dhe e Shën Kuirinit martir. Liturgjia e festës na kujton se secili nga ne ka nevojë të gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim. Liturgjia e të martes na fton të bashkojmë zërin në thirrjen: “Bekoje, o Zot, veprën e duarve tua”.

Të premtën më 1 maji, bie festa e Shën Jozefit punëtor që, duke e mbajtur Familjen Shenjte me mundin e duarve të veta, u bë shembull e pajtor i të gjithë punëtorëve e të gjithë njerëzve që plotësojnë nevojat e familjes së tyre e të mbarë familjes njerëzore me punën e përditshme të duarve të tyre.
Po me 1 maj për Kishën katolike fillon edhe muaji i Zojës.

Të shtunën më 2 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Athanasin, ipeshkëv i Aleksandrisë dhe doktor i Kishës. Liturgjia e kësaj dite na thotë se Jezusi na dëftoi Fjalën e Zotit e fytyrën e Atit: të besosh në Të do të thotë ta shpëtosh jetën tënde të përkohshme, të ecësh në dritë e të gjesh jetën e pasosur me Hyjin Atë.

Të dielën e ardhshme më 3 maj, kisha do të kremtoi të dielën e 4.të Pashkëve e po më 3 maj kandalei liturgjik do të përkujton edhe festën e Shenjtorëve Filipit dhe Jakut të Vogël, apostuj, të Evecit, Aleksandrit e Teodulit, martirë. Liturgjia e ditës Na kujton se përmes Jezusit hyjmë në bashkim me Atin në Shpirtin Shenjt. Jezu na prin te Ati për të na bërë të jetojmë në Të jetën e vetë Trinisë Shenjte.







All the contents on this site are copyrighted ©.