(25.04.2009 RV)Papa Gjon Pali II dhe ngjarjet më të rëndësishme të Kishës katolike
në Shqipëri: një lidhje historike, e pazgjidhshme, që pushton thuajse një gjysëm shekulli.
Duke qenë përherë një nga gjymtyrët më të ligshta të Kishës universale, Papa Gjon
Pali II, ashtu si parardhësit e Tij, e ka rrethuar gjithnjë Kishën katolike në Shqipëri
me atë kujdes që tregojnë prindërit për fëmijën e vogël. Gjon Pali II ka qenë përherë
i gatshëm ta mobilizojë Kishën universale në ndihmë të Shqipërisë e të shqiptarëve,
si dhe të ndërmjetësojë vazhdimisht pranë bashkësisë ndërkombëtare për fatet e vendit
të shqiponjave e jo më pak, të Kosovës. Por, të ndjekim një kronikë të shkurtër,
që flet vetë për këtë interesim: - 3 shtator 1951: Sekretaria e Shtetit të Qytetit
të Vatikanit vendosi që Radioja e papës të flasë edhe në gjuhën shqipe. Udha e saj
nisi me: "Udhën e Krygjës", për të ndjekur pastaj hap pas hapi, për 26 vjet me radhë
Papën e ardhur nga larg, që u ul në fronin e papnisë më 26 qershor 1967. - Më
5 tetor 1960, gjatë vizitës në Otranto të Italisë, Papa Gjon Pali II nga brigjet e
përtejme të Adriatikut, i drejtoi popullit shqiptar mesazhin e tij të parë të dashurisë
atërore dhe të kujdesit për grigjën e vogël të martirizuar të katolikëve, nën thundrën
e diktaturës komuniste. Në homelinë e Meshës shenjte, kushtuar martirizimit të të
krishterëve në shekuj, Papa sensibilizoi mbarë botën me fjalët: “E kështu sot nuk
mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet
thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj:
ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë rregulltare e besimtarë të thjeshtë”. - Më 6
maj 1988 një grup shqiptarësh të diasporës së Amerikës shtegtuan drejt Romës për t’u
takuar me Gjon Palin II. Ishte takimi i parë i drejtpëdrejtë i Karol Wojtylës me shqiptarët
- shumica të ikur nga atdheu për t’i shpëtuar diktaturës. Shtegtimi fillon më 5
maj, me arritjen e shtegtarëve të largët. Më 6 maj – audienca në sallën Klementine
në Vatikan; fjalimi programatik i Papës dhe lutja drejtuar Zojës së Këshillit të Mirë
për popullin shqiptar. - 1989: vizita e parë e Nënë Terezës në Shqipëri. -1990
kremtimi Meshëve të para të pas diktaturës. 4 nëntor 1990 – kremtohet Mesha e parë
në varrezën e Rrëmajit në Shkodër. 11 nëntor 1990 – kremtohet Mesha solemne në
kapelën e varrezave të Rrëmajit. - 17 tetor 1990: Përurohet në Shkodër seminari
ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të Mirë”. - 2 qershor 1991 – Në solemnitetin e
Korpit të Krishtit kremtohet Mesha solemne me procesion e kryesuar nga Imzot Ercole
Lupinaçi, anëtar i delegacionit të Selisë së Shenjtë në Shqipëri. - Rivendosen
marrëdhëniet diplomatike në rang nunciature apostolike për Selinë e Shenjtë dhe ambasade
për Shqipërinë. - 22 prill 1993: Ambasadori i parë Willy Kamsi paraqet letrat kredenciale
pak ditë para shtegtimit të Papës Gjon Pali II drejt Shqipërisë; Nunc i parë apostolik
emërohet prelati indian, Imzot Ivan Dias. - 25 prill 1993 - Papa Gjon Pali II viziton
Shqipërinë, duke u ndaluar në Shkodër dhe Tiranë: gjatë vizitës i dhuron Kishës së
martirizuar hjerarkinë e re të pasdiktarurës- katër ipeshkvij të rinj: Imzot Frano
Illinë, Imzot Rrok Mirditën, Imzot Robert Ashtën dhe Imzot Zef Simonin. - 26 nëntor
1994 - Ati i Shenjtë krijon kardinalin e parë shqiptar, Hirësinë e tij, Mikel Koliqin. -
27 maj 1995 - organizohet shtegtimi i madh i shqiptarëve ne Gjenacan me rastin e 100
vjetorit te shpalljes se Zojës se Këshillit te Mirë, Pajtore të Shqipërisë dhe mbarë
popullit shqiptar. - 17 nëntor 1995 – ipeshkvijtë e ish-Jugosllavisë, ndërmjet
të cilëve Imzot Nikë Prela, ipeshkëv i dioqezit Shkup-Prizren, takohen me Papën Gjon
Pali II në Vatikan: flitet për kontributin e posaçëm që duhet të japin katolikët përmes
përvojës së faljes e të pajtimit. - 7 dhjetor 1966 - Shenjtëria e Tij Gjon Pali
II riorganizon dioqezat e Kishës katolike në Shqipëri: themelon Dioqezën e Rrëshenit
(Mirditë) në vend të abacisë së Oroshit dhe emëron si të parin Ipeshkëv të Rrëshenit
dhe administrator apostolik të dioqezës së Lezhës, Atë Angelo Massafrën OFM, asokohe
Këshilltar i Provinçës Françeskane Shqiptare dhe Famullitar i Troshanit; ndërsa si
administrator apostolik të Shqipërisë së Jugut, emëron Atë Hil Kabashin, OFM, asokohe
kapelan i besimtarëve shqiptarë në Gjermani. - Papa Gjon Pali II shuguron ipeshkvij
të rinj: Imzot Mark Sopin, ipeshkëv i Kosovës më 6 janar 1996 në bazilikën e Shën
Pjetrit në Vatikan; Imzot Angelo Massafrën, më 6 janar 1997 në bazilikën e Shën Pjetrit
në Vatikan; Imzot Hil Kabashin më 6 janar 1997 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan;
28 mars 1998 - Imzot Angelo Massafra emërohet kryeipeshkëv metropolit i Shkodrës,
duke zënë vendin e Monsinjor Illisë, pas vdekjes dhe më 29 qershor 1998 merr nga duart
e Papës Gjon Pali II në Vatikan palion e kryeipeshkvit metropolit. Më 10 korrik
1998 Imzot Zef Gashi emërohet kryeipeshkëv i Tivarit; shugurohet më 19 shtator 1998,
në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. - Maj 1998 – Kardinali Jozef Tomko, Prefekt
i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, viziton Shqipërinë, takohet me përfaqësuesit
më të lartë të Kishës në vend, vlerëson rolin e Kishës në procesin e zhvillimit të
vendit dhe bekon Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë të saporindërtuar. - Maj 1999:
Ambasadorët e vegjël të Paqes, mbledhës të gëzhojave vrasëse të revoltës së 1997-tës,
për të bërë me to Këmbanën e Paqes, priten në audiencë nga Papa Gjon Pali II. -
25 janar 2001: Papa zhvendos Selinë kryeipeshkvnore nga Kisha e Shën Luçisë në Durrës
në katedralen e Shën Palit të Tiranës. - 2 deri më 4 shkurt 2001 - vizita "ad Limina"
e ipeshkvijve të Shqipërisë më 12 deri më 17 shkurt 2001 - e ipeshkvijve të Kosovës
në Vatikan: takimi me Papën Gjon Pali II. - 8-12 nëntor 2002: kardinali Crescenzio
Sepe, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve viziton Shqipërinë: më 9 nëntor
takohet me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë; më 10 nëntor kryeson Meshën në katedralen
e Shkodrës, ku hap procesin dioqezan për beatifikimin e 40-martirëve, shumica viktima
të diktaturës dhe viziton dioqezin e Sapës; më 11 nëntor kremton në Bajzë e në Lezhë. -
23 prill 2003: i dërguari i posaçëm i Shenjtërisë së Tij, Papës Gjon Pali II, kardinali
Ivan Dias, kryeipeshkëv i Bombeit, merr pjesë, në emër të Shenjtërisë së Tij, në kremtimet
që organizoi Kisha katolike me rastin e përkujtimit të 10-vjetorit të vizitës së Papës
Gjon Pali II në Shqipëri dhe i sjell kishës katolike e mbarë popullit shqiptar, mesazhin
e Atit të Shenjtë. Këto kremtime shënojnë kulmin e Vitit 1993 shpallur nga ipeshkvijtë
shqipfolës Vit Jubilar, me rastin e 300-vjetorit të Kuvendit të Arbënit, që na kujton
lidhjet shekullore të pakëputura të popullit shqiptar me papët e Romës. - Romë,
19 tetor 2003 – Nënë Tereza shpallet e Lume. - 14 nëntor 2004 – Papa Gjon Pali
II u krijon mërgimtarëve shqiptarë në Itali mundësinë të mblidhen në një kishë për
të përmbushur nevojat e tyre shpirtërore në gjuhë shqipe: përurohet për besimtarët
shqipfolës, Kisha e Shën Gjonit të mullagave në lagjen romake Trastevere. - 11
janar 2005: Papa Gjon Pali II i drejton përshëndetjen pjesëmarrësve në Sinodin Ndërheparkial
të Heparkive të Arbëreshëve të Italisë: asaj të Lungros në Kalabri, të Horës së Arbëreshëve
në Sicili dhe murgjërve të Abacisë së Grottaferratës, ku u zhvillua Sinodi ndërherparkiak,
i cili nisi më 15 tetor 2004, për të përfunduar pas tre muajsh, më 14 janar 2005. -
25 janar 2005 – Gjon Pali II miraton riorganizimin e dioqezave të Kishës katolike
në Shqipëri, si vijon: - ngre në rangun e Selisë metropolite, Kryedioqezën e Tiranë-Durrësit,
duke e ndryshuar kështu emërtimin aktual Kryedioqeza e Durrës-Tiranës e duke i caktuar
si sufragane Dioqezën e Rrëshenit dhe Administraturën Apostolike të Shqipërisë së
Jugut; - i bashkëngjet Dioqezën e Pultit, Kryedioqezës Metropolite të Shkodrës,
që emërtohet Kryedioqeza e Shkodër-Pultit, duke lënë si sufragane të të njëjtës Kryedioqezë,
dioqezën e Lezhës e të Sapës.- 18 mars 2005 – Imzot Mirditës i dorëzohet bula papnore
për kthimin e kryedioqezës së Tiranë-Durrësit në seli metropolite.