Paraqitet libri i autorit Filip Anastasit “Atë Piu: zëri, historia e tij.”
(23.04.2009 RV)Pranë Radio Vatikanit u paraqit libri “Atë Piu: zëri, historia
e tij” botuar nga shtëpia Padre Piu nga Pietrelçina. Autori i librit Filipo Anastasi,
është përgjegjësi për informimin fetar të emisionit të lajmeve të RAI - radiotelevizionit
italian. Në paraqitjen e librit - i cili është i pajisur edhe me një kompakt disk
- mori pjesë ndër të tjerë edhe kardinali Anxhelo Komastri. Po, si shprehet vetë
shkrimtari? Ta dëgjojmë:
Përgjigje: Unë do t’ju këshilloja nxehtësisht ta njihnit
Atë Piun. Për të njohur një shekull të tërë duhet ta lexoni dhe ta dëgjoni, që është
po e njëjta gjë.
Ndër dëshmitë që përmblidhen në kompakt diskun që shoqëron
librin ka edhe dokumente unike siç është zëri i fratit nga Pietrelçina. Jemi në vitin
1967 dhe kjo është hera e vetme që Atë Piu pati pranuar të jepte një intervistë në
qelën e vet fratnore. Intervistën e pati realizuar Franko Bukareli, i dërguar i Radio
Vatikanit. Le ta ndjekim:
Atë Piu: Zoti ju shenjtëroftë
Gazetari: Si
ndiheni?
Atë Piu: I dërrmuar.
Gazetari: Ju e dini se sa njerëz janë
pranë jush nëpërmjet përzemërsisë, lutjes...
Atë Piu: Po, me zemër jam pranë
të gjithëve. Kjoftë falendëruar Zoti, ju bekoj të gjithëve.
Gazetari: Dhe unë
në emër të të gjithë dëgjuesve ju uroj, juve, Atë Pio, edhe njëqind vjet të tjera...
Atë
Piu: Prap!
Gazetari: Zoti dhashtë që të vazhdoni veprat e Tija.
Atë
Piu: Shko në paqë, Zoti të bekoftë.
Gjatë paraqitjes së librit kardinali
Anxhelo Komastri kujtoi edhe episodin e ndodhjes së njëkohshme të Atë Piut në dy vende,
episodin që ka si personazh kryesor gjeneralin Kadorna, i cili ishte shefi i shtabit
i ushtrisë italiane gjatë Luftës së Parë Botërore në frontin austriak:
“Pas
disfatës së Kaporetos, ai gjindej në çadrën e vet. I kishte dhënë urdhër rojeve që
asnjë të mos hynte sepse kishte marrë vendimin të vriste veten. Ndërsa ndodhej aty,
një frat hyn dhe i thotë: “Ju nuk do ta bëni këtë gjë, apo jo? Nuk do ta bëni!” Pastaj
frati zhduket. Gjenerali del nga çadra dhe pyet rojet: Mor, po kë lejuat të hynte?
– “Asnjeri”, i përgjigjen rojet. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, gjenerali
Kadorna shkon në San Xhovani Rotondo ku jetonte, në kuvend, Atë Piu. Kur kalojnë fretnit
që shkojnë të këndojnë në kishë, kalon edhe Atë Piu, i cili sheh gjeneralin Kadorna
dhe i thotë: Gjeneral, e patme pisk punën atë natë... Sigurisht që ngjarje të tilla
të thonë se këtu ka gisht Zoti”.