2009-04-24 17:08:42

Katër vjet më parë Benedikti XVI niste Shërbimin Papnor.


(24.04.2009 RV)RealAudioMP3 Katër vjet më parë, më 24 prill 2005, Benedikti XVI kryesonte, në Sheshin e Shën Pjetrit, Meshën Shenjte për fillimin e papnisë. T’i kujtojmë disa nga fragmentet më të rëndësishme të homelisë, mbajtur me këtë rast, që tingëllojnë gjithnjë aktuale:

Fjalët e para të Papës na kujtojnë se feja e mund vetminë. “Kush beson, nuk është kurrë i vetëm – nuk është i vetëm as në jetë e as në vdekje”. Me këtë bindje e niste Benedikti XVI Papninë e tij:
“Unë, shërbëtor i ligshtë i Hyjit, duhet ta marr mbi vete këtë detyrë të pashembullt, që e kapërcen çdo aftësi njerëzore. E si mund ta bëj këtë? Si do të jem në gjendje ta bëj? Ju të gjithë, miq të dashur, sapo u jeni lutur aradheve të shenjtorëve, të përfaqësuar prej disa emrave të mëdhenj të historisë së Hyjit me njerëzit. Në këtë mënyrë, edhe në shpirtin tim ngjallet kjo vetëdije: nuk jam i vetëm! Nuk do ta mbart i vetëm këtë barrë, të cilën në të vërtetë nuk do të mund ta mbartja kurrë i vetëm. Aradhet e shenjtorëve të Hyjit më mbrojnë, më ndihmojnë e më mbajnë në krahë. E lutja juaj, miq të dashur, ndjesa juaj, dashuria juaj, feja juaj e shpresa juaj më shoqërojnë”.
Feja nuk është ideologji: prandaj ‘Kisha është e gjallë’ edhe tani, pas dymijë vjetësh. Është e gjallë – pohon Papa - sepse Krishti është i gjallë, sepse Jezusi u ngjall me të vërtetë.
Vërtetësi e përvujtëri janë dy përmasat kyçe të gjithë papnisë së Benediktit XVI. Feja e vërtetë është e tillë vetëm në se jetohet përvujtërisht. Benedikti XVI, ashtu si shumë të tjerë, mund të ketë ide nga më të ndryshmet mbi programin e tij. Por ajo që ka rëndësi të dorës së parë, është tjetër:
Programi im i vërtetë i qeverisjes është që të mos bëj vullnetin tim, të mos ndjek idetë e mia, por t’ia vë veshin, së bashku me gjithë Kishën, fjalës e vullnetit të Hyjit e ta lë Atë të më prijë, të jetë ai vetë që e udhëheq Kishën në këtë orë të historisë sonë”.
Një fjalë tjetër kyçe e Papnisë, është afërsia me njeriun. Vikari i Krishtit duhet ta ndjekë Mësuesin në kërkim të deles së humbur:
“Shqetësimi i shenjtë i Krishtit duhet të jetë shqetësimi i bariut: ai nuk i shikon me indiferencë njerëzit e shumtë, që vijojnë të jetojnë në shkretëtirë. E shkretëtira ka një mori formash. Ka formën e varfërisë, të urisë, e të etjes, të braktisjes, të vetmisë, të dashurisë së shkatërruar”.
Afërsia me njeriun – na kujton Papa - kërcënohet nga lakmia e nga hipokrizia e pushtetit, që premton çlirim. Por, “Nuk është pushteti ai që të shpëton. Njeriun mund ta shpëtojë vetëm dashuria, mund ta shpëtojë “Zoti që u bë qengj e që na thotë se botën e shpëton i Kryqëzuari e jo kryqëzuesit”:
“Prandaj thesaret e tokës nuk janë më në shërbim të ndërtimit të kopshtit të Hyjit, në të cilin të gjithë mund të jetojnë, por u shërbejnë forcave shfrytëzuese e shkatrrimtare. Kisha në tërësi, e barinjtë në gjirin e saj, ashtu si Krishti, duhet të vihen për udhë, për t’u prirë njerëzve jashtë shkretëtirës, drejt vendeve ku ka jetë, drejt miqësisë me birin e Hyjit, drejt Atij që dhuron jetë, e jetë me begati”.
Benedikti XVI kujton fjalët që Jezusi ia tha Pjetrit: “Kulloti delet e mia!”:
“Të kullotësh do të thotë të duash, e të duash do të thotë edhe të jesh gati të vuash. Të duash do të thotë: t’u japësh deleve atë që është vërtetë e mirë, t’i ushqesh me të vërtetën e Hyjit, me fjalën e Hyjit, me praninë e tij, me shujtën që na dhuron në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dashur miq! … lutuni për mua, që unë të mos ik, nga frika, përballë ujqërve”.
Njeriu shpesh beson se është i lirë. Ndërsa Papa na kujton se jetojmë si të sëmurë, në errësirë, në vuajtje e në vdekje. Ja, atëherë, detyra e të krishterëve:
Ne ekzitojmë për t’u treguar Hyjin njerëzve. E vetëm atje ku shihet Zoti, fillon vërtetë jeta. Vetëm kur në Krishtin takojmë Hyjin e gjallë, kuptojmë ç’do të thotë jetë. Nuk jemi prodhim rastësor e pa kuptim i evolucionit. Secili nga ne është fryt i një mendimi të Hyjit. Secili nga ne është i dëshiruar, secili është i dashur, secili, i nevojshëm. S’ka gjë më të bukur se të prekesh nga hiri i Ungjillit, i vetë Krishtit. Gjë më të bukur s’ka, sesa ta njohësh Krishtin e t’ua komunikosh edhe të tjerëve dashurinë e tij”.
“Vetëm përmes kësaj miqësie” – pohon Papa – ne provojmë gjithçka është e bukur, gjithçka të çliron.
Fjalët e fundit të homelisë janë thirrje drejtuar të rinjve:
Kështu, sot, dëshiroj, me forcë të madhe e bindje të madhe, të nisem nga pervoja e jetës sime të gjatë, për t’ju thënë juve, të rinj të dashur: mos kini frikë nga Krishti! Ai nuk ju merr asgjë e ju dhuron gjithçka. Kush ia dhuron atij vetveten, merr njëqindfishin. Po, hapjani, në dy kanatat, portat Krishtit – e do të gjeni jetën e vërtetë. Amen!".







All the contents on this site are copyrighted ©.