2009-04-24 17:08:26

72 vjet më parë në sallën e Kolegjit Saverian jepej premiera e melodramës “Rrethimi Shkoders”.


(24.04.2009 RV)Më 25 prill 1937, plot 72 vjet më parë, salla e teatrit të Kolegjës Saveriane në Shkodër, ishte përplot me spektatorë. Vihej në skenë një melodramë e re, e shkruar nga dom Ndre Zadeja, muzikuar nga dom Mikel Koliqi. Titullohej ‘Rrethimi i Shkoders’ e frymëzohej nga vepra madhore e Marin Barletit (1450-1512) ‘De obsidione Scodrensi’ (Venedik 1504). Shfaqja pasonte një sërë dramash të muzikuara, që u vunë në skenë ndërmjet viteve 1919-1937, duke filluar me ‘Ora e Shqipnís’ (1919), për të vijuar me ‘Hijet e zeza’ (1921), Rozafa’(1936), ‘Ruba e kuqe (1937) e disa shfaqje të tjera, organizuar sa nga Shoqëria ‘Bogdani, aq edhe nga ‘Scuola Cantorum’ e katedrales së Shkodrës, nën drejtimin e dom Mikel Koliqit.
Dorëshkrimet e këtyre dramave me gjithë muzikën e tyre, mbetur pa botuar për shkak të rrethanave që pasuan krijimin e shfaqjen e tyre, shpëtuan falë Tonin Harapit, i cili i ruajti dorëshkrimet për më se 45 vjet rresht. Në nëntor 1998 kori i ringritur që më 1991 me emrin e parë “Scuola Cantorum’ nën drejtimin e kompozitorit të njohur, Gjon Kapidani, ringjiti në skenë disa nga pjesët kulmore të tri melodramave.
“Rrethimi i Shkoders”, shfaqur në prag të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, lëshonte kushtrimin për mbrojtjen e trojeve shqiptare, përmes vargjeve, që jehuan shumë kohë, pasi u kënduan për herë të parë: “S’e lëshojmë aspak, e mbrojmë me gjak!”.
E autori i këtyre vargjeve do të ishte poeti i parë që lagu me gjak trojet shqiptare, kur nisi persekutimi i egër komunist, duke u bërë edhe martiri i parë i kishës katolike në shekullin XX e një nga të 40 martirët çështja e lumnimit të të cilëve vijon.







All the contents on this site are copyrighted ©.