2009-04-23 15:54:44

Papa: Koncili Vat. II ka ripohuar vlerën e traditës për leximin e interpretimin e Biblës


(23.4.2009 RV)RealAudioMP3 Bibla duhet të interpretohet në dritën e Traditës kishtare. “Vetëm konteksti kishtar mundëson që Shkrimi Shenjtë (Bibla) të kuptohet si Fjalë e vërtetë e Hyjit” e “ kjo nënkupton refuzimin e çdo interpretimi subjektiv” : kështu tha Papa sot paradite gjatë takimit që pati në Vatikan me anëtarët e Komisionit Biblik Papnor, të udhëhequr nga kardinali president William Joseph Levada, mbledhur në asamblenë plenare, që sivjet i është kushtuar temës “Frymëzimi dhe e vërteta e Biblës”.
Tema e trajtuar nga asambleja plenare e Komisionit Biblik Papnor – pohoi Papa – i përgjigjet “një shqetësimi” të cilin “ e ka posaçërisht për zemër, pasi që interpretimi i Shkrimit Shenjtë është i një rëndësie themelore për fenë e krishterë e për jetën e Kishës”. Benedikti XVI, që lidhur me këtë argument citoi shumë herë Koncilin e II të Vatikanit, e kujtoi se ekzegjetët katolikë janë të thirrur “ të arrijnë deri te zgjidhja e të gjitha çështjeve në përkim të plotë me doktrinën e Kishës, duke pasur parasysh me doemos edhe ndihmesën pozitive të shkencave profane”.
Kushtetuta konciliare ‘Dei Verbum’ ( Fjala e Zotit) nënvizon “para së gjithash se Hyji është Autori i Shkrimit Shenjt”: librat si ato të Besëlidhjes së Vjetës, po kështu edhe të ato Besëlidhjes së Re kanë qenë shkruar “nën frymëzimin e Shpirtit Shenjt” e këndej “mësojnë vendosmërisht, besnikërisht e pa gabim të vërtetën që Hyji për shpëtimin tonë deshi që të dorëzohej në Letrat e shenjta”. Në njëjtën kohë, dokumenti i Koncilit të II të Vatikanit, “na kujton se në Shkrimin Shenjt, Zoti i flet njeriut në mënyrë njerëzore”:
“Për një interpretim të drejtë të Shkrimit Shenjt, duhet pra të kërkohet me vëmendje ajo që agjiografët patën dashur më të vërtetë të pohonin e atë çka Zotit i pëlqeu të shfaq përmes fjalës së tyre. “ Vërtetë, fjalët e Zotit, të shprehura me gjuhën njerëzore, janë bërë të ngjajshme me fjalorin e njerëzve, si Fjala e Atit të amshuar, që duke marr dobësinë e natyrës njerëzore, u bë i ngjashëm me njerëzit” ( Dei Verbum, 13)”.
Këtyre udhëzimeve me karakter historiko-letrar, Papa vuri në pah një element të rëndësishëm:
Duke qenë Shkrimi Shenjt i frymëzuar, ekziston një parim tepër i madh dhe tejet i rëndësishëm i interpretimit të drejtë, pa të cilin shkrimet e shenjta do të mbesnin letra të vdekura: Shkrimi Shenjt duhet të “jetë i lexuar dhe i interpretuar me ndihmën e Shpirtit Shenjt përmes të cilit ka qenë shkruar” ( Dei Verbum, 12)”.
Në vijim Papa kujtoi tri kriteret që Koncili II i Vatikanit i propozon për një interpretim në kontekstin e traditës së gjallë të tërë Kishës. Së pari, thotë Papa Racinger, duhet “ t’i kushtojmë vëmendje të madhe përmbajtjes dhe unitetit të tërë Shkrimit Shenjt”, në rend të dytë, “ekzegjetët katolikë duhet të jenë të kujdesshëm ta perceptojnë Fjalën e Zotit në këto tekste, brenda vet fesë së Kishës”, së fundi lypet të kujtohet se tekstet biblike “nuk i janë dhënë hulumtuesve e studiuesve individualisht, për të shuar kureshtjen e tyre apo për t’i furnizuar ata me argumente studimi apo kërkimi në mënyrë personale e individuale”, por “ i janë besuar bashkësisë së besimtarëve, Kishës së Krishtit, për të ushqyer fenë e udhëhequr jetën e dashurisë. Në mënyrë të veçantë “ respektimi i këtij qëllimi kushtëzon vlerëshmërinë dhe efikasitetin e hermeneutikës biblike”. Pra studiuesit duhet gjithmonë të konfrontohen e të jenë në përkim me Traditën e gjallë të Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.