2009-04-22 18:30:02

Papa për jetëshkrimin e Ambrozit Autpert.


(22.04.2009 RV)Në fillim të audiencës së sotme të përgjithshme, Benedikti XVI theksoi se kush dëshiron ta njohë Kishën e t’ia kuptojë misterin, duhet të njohë edhe njerëzit që e jetuan e e jetojnë mesazhin e saj, misterin e saj. Prandaj – vijoi Ati i Shenjtë – po flas prej kohe në katekizmat e së mërkurës, për njerëz nga të cilët mund të mësojmë kush është Kisha. Filluam me Apostujt dhe me Etërit e Kishës e dalë-nga-dalë arritëm në fund të shekullit VIII, periudhë e sundimit të Karlit të Madh.
E sot – vijoi Papa- dëshiroj të flas për Ambrozin Autpert, autor që, për fat të keq, mbeti i panjohur: pjesa më e madhe e veprave të tij iu atribuan disa prej personaliteteve më të njohura, që nga Shën Ambrozi i Milanos, tek Shën Hildefonsi, pa folur, pastaj, për murgjërit e Montekasinos, që ngulnin këmbë se vepra e Autpertit kishte dalë nga penda e njërit nga murgjërit me të njëjtin emër, të kësaj abacie, por që kishte jetuar një shekull më vonë.
Për jetën e Autpertit – vijoi Papa - kemi vetëm pak të dhëna biografike, të cilat gjinden kryesisht në krye të komentit të tij të madh të Apokalipsit (Zbulesës). Leximi i vëmendshëm i veprave, të cilat dalëngadalë kritika i njeh si të dala nga penda e tij, na krijon mundësinë të zbulojmë në mësimin e murgut të panjohur, një thesar të çmuar teologjik e shpirtëror, me vlerë edhe për kohët tona.
I lindur në Provansë, nga një familje në zë, Ambrozi Autpert, sipas një biografi të tij të vonë, me emrin Gjon, jetoi ca kohë në oborrin e mbretit frank Pipinos së Shkurtër ku, përveç detyrës zyrtare, u bë një një farë mënyre edhe mësuesi i perandorit të ardhshëm, Karlit të Madh. Mendohet se në vitet 753-54 u nis nga oborri frank, bashkë me grupin që shoqëronte Papën Shtjefni II, pas përfundimit të vizitës së këtij të fundit në oborrin e mbretit, për në Itali. Këtu pati rastin të vizitonte abacinë benediktine të Shën Vinçencit, pranë burimet e Volturnos, në dukatin e Beneventos. E themeluar në fillimet e shekullit VIII nga tre vëllezërit beneventanë Palloni, Tatoni e Tasoni, abacia njihej si oazë e kulturës klasike e kristiane. Pak pas vizitës së tij, Ambrozi Autpert vendosi të bëhej rregulltar e hyri në këtë manastir, ku mundi të formohej posaçërisht në fushën e teologjisë e të pëshpirtërisë, sipas traditës së Etërve të Kishës. Rreth vitit 761 u shugurua meshtar e më 4 tetor të vitit 777 u zgjodh abat, me ndihmën e murgjërve frankë, ndërsa longobardët ishin krejtësisht kundër kësaj zgjedhjeje, sepse kërkonin që në fronin e abatit të ulej njeriu i tyre, longobardi Potoni. Tensioni me sfond nacionalistik vijoi edhe pas zgjedhjes. I hidhëruar pa masë për këtë situatë, një vit më pas, më 778, Autperti mendoi të jepte dorëheqjen e të strehohej, së bashku me disa murgjër frankë, në Spoleto, ku mund të mbështetej në ndihmën e Karlit të Madh. Por kjo nuk e paqtoi aspak situatën në manastirin e Shën Vinçencit, ku ndonjë vit më vonë, pas vdekjes së abatit që zëvendësoi Autpertin, u zgjodh pikërisht Potoni (viti 782). Kjo zgjedhje rindezi tensionin aq, sa u arrit që abati i ri të paditej tek Karli i Madh. Mbreti e dërgoi përmbajtjen e padisë në gjykatën e Papës, i cili i thirri të gjithë të paditurit në Romë. Thirri edhe Autpertin, si dëshmitar, por ai, më në fund, u çlirua nga kjo ngatërresë, që ia tronditi seriozisht jetën, sepse vdiq papritmas, ndoshta i mbytur, më 30 janar të viti 784.







All the contents on this site are copyrighted ©.