2009-04-22 18:12:13

Nesër takim kushtuar teknologjive e lidhjeve të reja për kulturën e respektit, të dialogut e të miqësisë.


(2.04.2009 RV)Nesër, në sallën Piu XI të Universitetit Lateranens, do të hapen punimet e takimit me temë: “Teknologji të reja, lidhje të reja, për promovimin e kulturës së respektit, të dialogut e të miqësisë”.
Tema e nismës është marrë nga mesazhi i Benediktit XVI për Ditën e 43-të Botërore të Komunikimeve 2009, që këtë vit ka për qëllim të analizojë marrëdhëniet e ndërlikuara ndërmjet mjeteve të reja të komunikimit dhe shndërrimeve shoqërore e kulturore, që përcaktohen prej tyre.
Simpoziumi, me tri seanca, organizohet e promovohet nga Instituti Papnor Baritor Redemptor Hominis, i Universitetit të Lateranit, në bashkëpunim me Zyrën Kombëtare për Komunikimet Shoqërore të Konferencës ipeshkvnore italiane dhe Qendrën Paoline për Kulturën e Komunikimin. Një bashkëpunim ky, që fuqizon bindjen mbi vlerën e Ditës Botërore të Komunikimeve Shoqërore.
Kujtojmë se më 23 janarin e kaluar, me Mesazhin e Papës për Ditën e komunikimeve shoqërore, Vatikani hyri në “You Tube.
Mesazhi, sipas traditës, u botua në festën e Shën Françeskut të Sales, doktor i Kishës, shpallur pajtor i shtypit katolik nga Piu XI me Enciklikën Rerum Omnium të 26 janarit 1923. Një ditë para kësaj feste, u hap një faqe e re në historinë e Selisë së Shenjtë: në kanalin ‘You Tube” mund të shihet figura e Papës e mund të dëgjohet fjala e tij, mesazhi i tij, edhe në gjuhën shqipe në rastet e mëdha. E për herë të parë Papa përcolli shqip mesazhin ‘Urbi et Orbi’, Ditën e Pashkëve 2009. Kanali i ri i Vatikanit në You Tube, i cili mund të ndiqet kryesisht në anglisht, spanjisht, gjermanisht e italisht, u krijon mundësi të reja të pakufishme njerëzve, që dëshirojnë të dinë ç’mendon Papa e ç’propozon Kisha katolike për problemet e mëdha të botës së sotme.
Ndërsa në Mesazhin për Ditën Botërore të Komunikimeve shoqërore 2009, që do të kremtohet më 24 majin e ardhshëm, Papa u drejtohet sidomos të rinjve ‘breznisë dixhitale’, që posaçërisht prej saj të vijë hovi i ri për ta ungjillëzuar internetin, këtë ‘dhuratë të vërtetë të njerëzimit’, duke e bërë mjet të aftë për të promovuar vlerat e mëdha të jetës, e jo për t’i banalizuar marrëdhëniet njerëzore. Papa, pasi bën thirrje për t’iu kundërvënë çdo gjëje që ushqen urrejtjen e intolerancën, që poshtëron intimitetin seksual njerëzor, që shfrytëzon të ligështit e të pambrojturit, i fton të rinjtë të vihen në kërkim të së vërtetës, të së mirës e të së bukurës.
Në takimin, punimet e të cilit do të hapen nesër, kushtuar teknologjive e lidhjeve të reja – për kulturën e respektit, të dialogut e të miqësisë, që do të drejtohet nga imzot Klaudio Maria Çeli, kryetar i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, do të flasin disa nga personalitetet më të njohura të Universiteteve Papnore në fushën e komunikimit, që do të prekin temat e mprehta lidhur me marrëdhëniet ndërmjet kulturës e teknologjisë.
Takimi do të përfundojë me dorëzimin e Çmimit Paolin ‘Komunikimi e Kultura 2009’, i cili sivjet do t’i jepet don Fortunato di Noto dhe shoqatës së themeluar prej tij Meter Onlus, e cila prej vitesh impenjohet në luftën kundër pedopornografisë në internet.







All the contents on this site are copyrighted ©.