2009-04-22 18:14:52

Kryqi i Ditës Botërore të Rinisë.


(22.04.2009 RV)Para se të flasim për Kryqin e DBR-së(Ditës Botërore të Rinisë), po kujtojmë ç’kuptim ka Kryqi. Kur bëjmë shenjën e Kryqit, me fjalë shprehim Njëninë dhe Trininë e Zotit (në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt), ndërsa simboli i Kryqit na kujton Mundimet, Vdekjen e Ringjalljen e Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit.

Të njihemi, pra, me këtë simbol, që tashmë ka përshkuar rrugët e mbarë botës, deri në skajet më të humbura të saj, duke çuar kudo dritën shpërblyese të Krishtit të Ngjallur.
Kryqi është i lartë 3 metra e 80 centimetra.
Krahët e tij janë 1 metër e 75 centimetra.
Peshon 31 kilogram.
Vendoset në një piedestal 51 centimetra të lartë, 45 centimetra të gjërë.

Si lindi Kryqi i DBR.
Gjatë Jubileut të shpërblimit të 1984-tës, Papa Gjon Pali II ua besoi të rinjve të mbarë botës një kryq të thjeshtë, bërë me dy copa të zakonshme druri të kryqëzuara, që ta mbartnin si simbol i fesë së tyre. Ky Kryq sot është simbol i DBR-së. Ashtu si të rinjtë që marrin pjesë në DBR, edhe kryqi shtegton nëpër botë dhe i inkurajon ta thellojnë fenë e tyre e ta jetojnë në mënyrën më të sinqertë. Hiret që kanë shoqëruar kryqin e DBR-së janë të panumërta. Ai tashmë është pranuar si dhuratë e Zotit për të rinjtë e për Kishën.
Duke pranuar Kryqin edhe për ngjarje të tjera të mëdha, të rinjtë dëshmojnë fenë e tyre. Nga ana e jashtme, ata e nderojnë dhe e mbartin në publik. Nga ana e brëndshme, hiret që fitojnë janë domethënëse, ndonëse shumë prej tyre nuk njihen publikisht. Të gjithë ata që e kanë mbartur, e kanë kundruar e e kanë adhuruar Kryqin, kanë pohuar se i ka ndihmuar ta kuptojnë më mirë Shëlbimin. Të gjithë, në saje të Kryqit, janë bërë më të vetëdijshëm për dashurinë e Krishtit, që u ka dhënë guxim të jetojnë si të krishterë të vërtetë.

Fjalët e Papës Gjon Pali II për Kryqin e DBR-së
"Të dashur të rinj, në përfundim të Vitit Shenjt, jua dorëzoj simbolin e këtij viti jubilar, "Kryqin e Krishtit": çojeni nëpër botë si shenjë të dashurisë së Krishtit për njerëzimin e kumtojini të gjithëve se vetëm në Krishtin e vdekur e të ringjallur, gjindet shëlbimi e shpërblimi i njerëzve.

(Nga Homelia e Vitit Shenjt , 22 prill 1984).

Fjalët e Papës Benedikti XVI në kujtim të 25-vjetorit të Kryqit të DBR-së
“Të dashur miq, jua besoj përsëri këtë Kryq! Vijoni ta çoni në të katër anët e tokës, që edhe breznitë e ardhshme ta zbulojnë mëshirën e Hyjit e ta mbajnë gjallë në zemra shpresën në Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur”.

 
(Nga audienca e përgjithshme , 22 prill 2009).







All the contents on this site are copyrighted ©.