2009-04-22 18:14:34

Benedikti XVI: lakmia, rrënjë e të gjitha të këqijave, është në bazë të krizës së sotme ekonomike. Papa kujton 25-vjetorin e Kryqit të DBR-së.


(22.04.2009 RV)RealAudioMP3 Lufta e të krishterëve kundër forcave të së keqes niset nga shpirti e është kryesisht luftë kundër lakmisë, rrënjë e të gjitha veseve. Në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI bëri të veten bindjen e një mësuesi të lashtë, gjysëm të njohur, të përshpirtërisë, Ambrozit Autpert, që jetoi në shekullin VIII në oborrin mbretëror të Karlit të Madh e më pas u bë abat. Papa nënvizoi se edhe në krizën e sotme ekonomike botërore vërehen qartë shenjat e lakmisë për para të një grushti njerëzish të pasur e të pushtetshëm.
Korniza e audiencës së sotme papnore ishte një periudhë luftërash për pushtet, konfliktesh nacionalistike, që depërtuan e lëshuan rrënjë edhe ndërmjet mureve të Kishës. Në gjysmën e shekullit VIII – tregoi Benedikti XVI – karolingët e longobardët u ndeshën ashpërsisht kur Ambroz Autperti, që kishte hyrë në oborrin e Karlit të Madh si mësues privat, u detyrua të zgjidhte njërën nga dy rrugët: vijimin e detyrës në Oborrin mbretëror, ose tërheqjen në Abacinë e Shën Vinçencit në Volturno, për t’iu kushtuar lutjes. Zgjodhi rrugën e dytë, që nuk e shpëtoi aspak nga ligësitë e punëve të botës. Atëherë reagoi vendosmërisht, e kjo situatë si dhe reagimi i murgut të lashtë, u morën si model nga Papa:
“Ai denoncoi, për shembull, kontradiktën ndërmjet pamjes së jashtme të shkëlqyer të manastireve e ftohtësisë fetare të murgjërve: sigurisht kjo kritikë drejtohej edhe kundër manastirit të tij”.
Autperti, që u bë Abat, u jepte murgjërve të vet një mësim, i cili vlen për të gjithë ata që janë të krishterë jo me fjalë, por me fakte: u mësonte se duhet të përballojnë një betejë të përditshme shpirtërore. Shpirti njerëzor – thoshte - tundohet vazhdimisht nga lakmia. Kësaj lakmie i duhet kundërvënë mospërfillja për botën. E Papa shpjegoi kuptimin real e aktual të këtij koncepti:
“Kjo mospërfillje e botës nuk është përbuzje për krijimin, për bukurinë e mirësinë e krijimit e të Krijuesit, por përbuzje për vizionin e rremë të botës, që na paraqet e na ngjall pikërisht lakmia (…) Autperti vëren, më pas, se lakmia për fitime e njerëzve të pasur e të pushtetshëm në shoqërinë e kohës së tij ekzistonte edhe në shpirtin e murgjërve dhe, që në fillim, e shikon lakminë si rrënjën e të gjitha të zezave (…). Padi kjo që, parë në dritën e krizës së sotme botërore, tingëllon thellësisht aktuale”.
Është kjo një nga ‘nyjet’ tematike të audiencës së sotme të përgjithshme, gjatë së cilës Papa i krahasoi disa herë rrethanat historike të viteve 700 pas Krishtit me ngjarjet bashkëkohore. Edhe i pasuri – theksoi Benedikti XVI – duhet të luftojë kundër lakmisë, kundër dëshirës për t’u dukur, në se do të ecë në rrugën e dashurisë.
Papa kujtoi edhe se rreth vitit 758 Autperti nisi punën për realizimin e veprës së tij më të rëndësishme, komentit të dhjetë Librave të ‘Zbulesës’ së Shën Gjonit Apostull në të cilën – shpjegoi Benedikti XVI - frymëzohet nga një autor tjetër i lashtë, afrikani Tikonio:
“Tikonio kishte formuar bindjen se Kisha qe një korp i përbërë nga dy pjesë: një pjesë – thoshte ai – i përket Krishtit, por është edhe një pjesë tjetër e Kishës, që i përket djallit (…). Agostini e lexoi këtë koment e përfitoi prej tij, por duke nënvizuar me forcë se Kisha mbetet në duart e Krishtit, mbetet Korpi i tij (…). Thekson, prandaj se Kisha nuk mund të ndahet kurrë nga Jezu Krishti”.
Pra mund të themi se jeta e kaluar në gjysëm hije e Ambrozit Autpert, që vdiq ndoshta i mbytur, në vitin 784, e edhe mësimet e tij, të cilat shpesh herë i atribuohen gabimisht shkrimtarëve të tjerë - theksoi Benedikti XVI – duke shprehur edhe çudinë e tij si dhe kritikën për lënien në harresë për shekuj të këtij autori të krishterë – “janë një thesar teologjik e shpirtëror”. E, kemi edhe një margaritar tjetër në këtë peshtaf: Autperti e shikon me sy tepër modern Marinë, si model i Kishës:
Nderimi i tij i madh e dashuria e thellë për Nënën e Hyjit i frymëzuan nganjëherë formulime të cilat i paraprijnë në një farë mënyre atyre të Shën Bernardit e të mistikës françeskane, pa dredhuar rrugë drejt formave të diskutueshme të sentimentalizmit, sepse ai nuk e ndan Marinë nga misteri i Kishës. Me të drejtë Ambrozi Autpert konsiderohet si mariologu më i madh në Perëndim”.
Ndërmjet përshëndetjeve përfundimtare, Benedikti XVI iu drejtua posaçërisht të rinjve të qendrës ndërkombëtare rinore të Shën Lorencit, të cilët sot kremtuan 25-vjetorin e 22 prillit 1984 kur, në përfundim të Vitit Shenjt të Shëlbimit, Gjon Pali II ua besoi të rinjve të botës Kryqin e madh jubilar prej druri, i cili më pas u vendos në Qendrën ndërkombëtare, prej nga niset shpesh udhëve të gjata, për të përshkuar kontinentet, posaçërisht në prag të Ditëve Botërore të Rinisë, duke u shndërruar kështu në simbol të tyre. Ja edhe fjalët e Papës:
“Të dashur miq, jua besoj përsëri këtë Kryq! Vijoni ta çoni në të katër anët e tokës, që edhe breznitë e ardhshme ta zbulojnë mëshirën e Hyjit e ta mbajnë gjallë në zemra shpresën në Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur”.







All the contents on this site are copyrighted ©.