2009-04-21 15:17:21

Letër e Papës për Abatin Primat të benedektinëve, me rastin e përfundimit të Vitit Anselmian.


(21.04.2009 RV)RealAudioMP3 Piku i javës që mbyll kremtimet e vitit kushtuar Shën Anselmit, u arrit sot, në ditën që bie 900-vjetori i vdekjes së shenjtit, murg benedektin në Francë fillimisht e pastaj, kryeipeshkëv i Kanterburit. Në orën 18.00, në Aosta, vendi ku lindi Shën Anselmi në vitin 1033, u kremtua Mesha Solemne, e kryesuar nga i dërguari i veçantë i Papës, kardinali Xhakomo Bifi, kryeipeshkëv nderi i Bolonjës. Me këtë rast, Benedikti XVI i ka dërguar një letër Abatit Primat të Benedektinëve të bashkuar, dom Notker Ulf.
Në letër, Papa i fton benedektinët ta ruajnë me xhelozi thesarin e diturisë së Shën Anselmit e ta përhapin mendimin e tij, në mënyrë që njerëzit, sidomos evropianët, të mund t’i afrohen sadopak këtij ipeshkvi të madh, doktor i Kishës. Megjithëse kryeipeshkëv – kujton Papa – Shën Anselmi deshi të ishte para së gjithash murg benedektin, duke qenë krejtësisht i ndërgjegjshëm për rëndësinë e jetës murgare. Në “Epistulam de Incarnatione Verbi” e quan veten thjesht “frat Anselmi”, mëkatar në jetë e murg nga veshja. Në letrën që i dërgon një murgu të ri – nënëvizon Ati i Shenjtë – Shën Anselim kujton se para së gjithash duhet dashur qëllimi, dëshira për t’u bërë murg. Rëndësia që i jep Shën Anselmi “Lectio Divina” (Fjalës së Zotit), qendër e jetës benedektine, është e qartë në librin e tij “Prologus orationum sive meditationim”, të cilin e shkroi për t’i nxitur lexuesit ta duan Hyjin e ta kenë frikën e Tënzot.
Duke cituar fjalët e Shën Anselmit, Benedikti XVI kujton se Fjala e Zotit “nuk duhet lexuar në mes të zhurmës, por në qetësi, jo me vrap e shpejtësi, por pak nga pak e më meditim intensiv”. Në shkrimet e tij – pohon Papa – nuk ka asnjë ndarje ndërmjet erudicionit dhe devocionit, ndërmjet teologjisë e mistikës, kur përpiqet të kuptojë misteret e fesë. Vepra e tij më e njohur, me titull “Proslogion”, ashtu si Rrëfimet e Shën Agustinit, është njëkohësisht lutje e dëshirë për të kundruar fytyrën e Zotit. Duke iu referuar një vepre tjetër, “Cur Deus homo”, Ati i Shenjtë vë në dukje se si për Shën Anselmin, arësyeja arrin të kundrojë bukurinë e së vërtetës në kërkimin e fesë në nivelin më të lartë: “Nëse nuk do të besoni, nuk do të kuptoni”; sa më shumë që përdoret intelekti – shkruan Shën Anselmi – aq më shumë i afrohemi asaj që njerëzit duan me gjithë shpirt. Duke pasur parasysh magjisterin e këtij doktori të Kishës – lexohet në letrën e Atit të Shenjtë – Kolegji i Shën Anselmit, themeluar nga Papa Leoni XIII për të formuar të rinjtë nga e gjithë bota, ruan e nxit ato mësime të domosdoshme për jetën murgare. Ky Kolegj – shkruan së fundi Benedikti XVI – është kthyer në një institut akademik ndërkombëtar, që ofron formim filozofik, teologjik e liturgjik, duke bashkuar, siç bëri Shën Anselmi, fenë me njohjen e fesë falë intelektit.
Në veprat e Shën Anselmit, kundrimi është i lidhur me kërkimin. Cili do të ishte mesazhi i tij për të rinjtë e sotëm? Pyetëm ipeshkvin e Aostës, imzot Xhuzepe Anfosi:
Shën Anselmi na ka mësuar të kemi respekt për të rinjtë, e sidomos për ndërgjegjen e tyre. Ka thënë se duhet edukuar zemra, ndërgjegja. E ndërsa edukon ndërgjegjen, jep edhe një mesazh tjetër: duhet të mësojmë si të mendojmë mirë, si ta përdorim arësyen për të kuptuar misterin e krishterë. Lutjet e tij – megjithëse mesjetare, të lashta – janë shumë personale, flet shumë për veten, për mëkatin e vet, për ndjenjat e veta. Në këtë rast, është shumë modern.







All the contents on this site are copyrighted ©.