2009-04-20 17:07:59

Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, Papa fton për t’i besuar Jezusit të mëshirshëm e bën thirrje kundër racizmit.


(20.04.2009 RV)RealAudioMP3 Dje, në të dielën me të cilën përfundon Tetëditëshi i Pashkëve e kremtohet Mëshira Hyjnore, Benedikti XVI i falënderoi të gjithë ata që e uruan përzemërsisht këto ditë, duke ripohuar me forcë ‘nuk ndjehem kurrë i vetëm’. Më pas, reflektimi për Konferencën e OKB-së, hapur sot në Gjenevë, ku filluan diskutimet lidhur me Deklaratën e Durbanit mbi racizmin e diskriminimin racor. E pastaj, urimi drejtuar Kishave lindore, dje në festë për Pashkë. Këto ishin temat kryesore që preku Papa në lutjen e djeshme të Mbretëreshës Qiellore, kremtuar në Oborrin e Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos, në përfundim të së cilës Ati i Shenjtë u takua me kardinalin Lozano Barragan, Kryetar nderi i Këshillit Papnor për baritorinë e shëndetit. Pasdite, në orën 18. 30 Benedikti XVI u largua me helikopter nga Vilat Papnore, për t’u rikthyer në Vatikan.

“Falënderoj Zotin për korin e urimeve të përzemërta, tha Benedikti XVI. Ndjeva një solidaritet shpirtëror, të ushqyer kryesisht nga lutja, që shprehet në mijëra mënyra. Prandaj i falënderoj nga zemra të gjithë ata – e janë shumë – që më uruan këto ditë për kremtimet e Pashkëve, për ditëlindje - më 16 prill e për katërvjetorin e zgjedhjes sime në fronin e Shën Pjetrit, që bie pikërisht sot”. Pa i përfunduar mirë këto fjalë, Oborri i Kastel Gandolfos ushtoi nga duartrokitjet e brohoritjet festive. E Papa pohoi përsëri: “Nuk ndjehem kurrë vetëm:
Duke filluar nga bashkëpunëtorët e mi të Kuries Romake, deri tek famullitë gjeografikisht më të largëta, ne katolikët formojmë e duhet të ndjehemi një familje e vetme, e frymëzuar nga të njëjtat ndjenja të bashkësisë të të krishterëve të parë, për të cilët teksti i shkëputur nga Veprat e Apostujve, që lexohet këtë të dielë, pohon: “Shumica e atyre, që u bënë besimtarë, kishin një zemër të vetme e një shpirt të vetëm(Vap. 4, 32)”.
Papa kujtoi edhe se bashkësitë e para të krishtera u themeluan mbi Krishtin e Ngjallur që u dha të vetëve një bashkim të ri, më të fortë se përpara; bashkim të pathyeshëm – kujtoi Benedikti XVI – sepse nuk bazohej mbi pasuritë njerëzore, por mbi mëshirën hyjnore, që i bëri ta ndjenin fuqimisht se Zoti i donte e i falte. E është pikërisht dashuria përdëllyese e Hyjit – vijoi të kujtonte Ati i Shenjtë – ajo që e bashkon fuqimisht, edhe sot, ashtu si dje, Kishën dhe që e bën njerëzimin një familje të vetme. E më pas Benedikti XVI kujtoi se me këtë bindje Gjon Pali II e quajti të Dielën II pas Pashkëve, e Diela e Mëshirës Hyjnore , duke iu përgjigjur mesazhit shpirtëror, që ia përcolli Zoti Shën Faustinës Kovalaska, përmbledhur shkurtimisht në lutjen: Jezus, besoj në Ty!”.
Ashtu si në bashkësinë e parë, është Maria ajo, që na shoqëron në jetën tonë të përditshme. Ne e quajmë Mbretëreshë Qiellore, duke e ditur se madhështia e saj mbretërore është si ajo të Birit; krejtësisht dashuri, e dashuri përdëllyese. Ju kërkoj t’ia besoni përsëri shërbimin tim ndaj Kishës, ndërsa ju ftoj të themi së bashku, plot besim: “Nëna e Mëshirës, lutu për ne!”.
Pas lutjes mariane Papa kujtoi Konferencën, që u hap sot në Gjenevë, për të shqyrtuar Deklaratën e Durbanit 2001 kundër racizmit, diskriminimit racor, ksenofobisë, apo urrejtjes kundër të huajve e intolerancës, që lidhet me të. Është një nismë e rëndësishme – vlerësoi Papa – sepse edhe sot e kësaj dite, pa marrë parasysh mësimet e historisë, fenomene të tilla të dënueshme vijojnë të trondisin jetën e njeriut e të njerëzimit. Deklarata e Durbanit – shpjegoi Benedikti XVI – pohon se mbarë popujt e të gjithë njerëzit formojnë një familje të vetme njerëzore, të pasur me larmi, e promovon tolerancën, pluralizmin e respektin për një shoqëri më vëllazërore. Duke u nisur nga këto pohime, Papa kërkoi një veprimtari të vendosur e konkrete, në nivel kombëtar e ndërkombëtar, për parandalimin dhe zhdukjen e çdo forme të diskriminimit e të intolerancës. Benedikti XVI shtoi se “duhet zhvilluar një veprimtari e gjërë edukative, që vlerëson lart dinjitetin e njeriut e që mbron të drejtat e tij themelore. Lidhur me këtë Papa kujtoi mësimin kryesor të Kishës:
Kisha ripohon se vetëm njohja e dinjitetit të njeriut, krijuar sipas shembëlltyrës së Zotit, mund të jetë pikë e sigurtë referimi për një impenjim të tillë. Nga kjo zanafillë e përbashkët buron edhe fati i përbashkët i njerëzimit, që duhet të ngjallë në shpirtin e secilit nga ne e në atë të të gjithëve, ndjenjën e fortë të solidaritetit e të përgjegjësisë”.
Prej këndej, inkurajimi i Papës:
“Uroj sinqerisht që delegatët e pranishëm në Konferencën e Gjenevës të punojnë së bashku me frymën e dialogut e të mirëkuptimit reciprok, për t’i dhënë fund çdo forme të racizmit, të diskriminimit e të intolerancës, duke bërë kështu një hap themelor drejt pohimit të vlerës universale të dinjitetit të njeriut e të drejtave të tij, në perspektivën e respektit e të drejtësisë për çdo njeri e çdo popull”.
Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI i inkurajoi të gjithë ta pranojnë gëzimin që buron nga drita e Pashkëve, me ndihmën e Zojës së Bekuar. Në gjuhën gjermane përshëndeti posaçërisht ata që e kanë mbështetur e vijojnë ta mbështesin në Gjermani, duke kujtuar se katër vjet më parë, në sa ulej në fronin e Shën Pjetrit, u pati kërkuar ndihmë shpirtërore e lutje. Në polonisht, një mendim të veçantë për bashkatdhetarët e Shërbëtorit të Zotit, Gjon Palit II, duke nënvizuar se ishte pikërisht ai, që na e kujtoi të gjithëve mesazhin e Krishtit të mëshirshëm, zbuluar Shën Faustinës.
Pastaj përshëndetja në gjuhën italiane, me vlerë për besimtarët e të gjitha gjuhëve:
“Të dashur miq, ju keni me vete figuren e Krishtit mëshirplotë: ruajeni gjithnjë në shpirtin tuaj e bëhuni kudo dëshmitarët e Tij. Të dielë të gëzuar të gjithëve!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.