Imzot Mirdita mesazh urimi Benediktit XVI me rastin katër vjetorit të Papnisë.
(20.4.2009 RV)Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, imzot
Rrok Mirdita uron Benediktin XVI në katër vjetorin e Papnisë dhe e falënderon
për shërbimin e udhëheqjen e Kishës. Ta dëgjojmë....
Ja mesazhi
i plotë i imzot Rrok Mirditës:
Tiranë, 15 prill 2009
Shenjtëria
juaj, Në emër të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, dëshiroj t’ju përshëndes
Juve në përvjetorin e katërt të zgjedhjes si Papë. Të gjithë ne ruajmë kujtime
të këndshme për mënyrën atërore më të cilën na pritët, kur erdhëm për vizitë “ad Limina”
në majin e vitit të kaluar. Na bien ndërmend shumë gjëra për të cilat duhet t’u jemi
mirënjohës Juve, si Bariu më i lartë i Kishës Katolike. Jo e fundit, ju falenderojmë
për sa herë keni folur gjatë muajve të kaluar për jetën shpirtërore e plot lutje të
ipeshkvijve. Ne kemi nevojë të ndriçohemi nga fjala juaj e mençur. Meqë do të
kremtojmë meshë për të përkujtuar këtë përvjetor të dielën e ardhshme, në katedralen
e Tiranës, meshë që do ta kryesojë nga Nunci Apostolik, do t’u kërkojmë besimtarëve
t’ju kenë gjithnjë parasysh në lutje, që Bariu i Mirë të vazhdojë t’ju ndriçojë e
t’ju përforcojë në detyrën tuaj të vështirë. E meqë jemi akoma në Tetëditshin
e Pashkëve, ju urojmë paqen e gëzimin, që Zoti i ngjallur ndikoi mbi të gjithë ata,
të cilëve iu duk.
Me dashuri birnore në Krishtin Imzot Rrok Mirdita Kryeipeshkëv
i Tiranë-Durrësit Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.