2009-04-18 16:33:01

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar.


Sot e diel më 19 prill ,Kisha katolike kremtoi të Dielën II të Pashkëve, kushtuar Mëshirës Hyjnore.
E po sot më 19 prill, kalendari kishtar përkujton edhe Shën Leonin IX, papë. Liturgjia e ditës na rikujton se Jezusi vjen nga Lart. Ai është Biri që Ati e do: ka marrë Shpirtin Shenjt me begati e gjithçka është lënë në duart e tij. Të mos e pranosh Krishtin, të mos besosh në Birin, do të thotë të meritosh zemrimin e Hyjit.
Po sot më 19 prill, përkujtohet edhe katërvjetori i zgjedhjes së Shenjtërisë së Tij, Benediktit XVI në fronin e Shën Pjetrit.
Nesër, e hënë 20 prill, bie festa e Shën Aniçetit, papë dhe e Shën Anjezes nga Montepulçiano, virgjër dominikane, na kujton se Jezusi përkujdeset, me një mrekulli, t’i japë të hajë turmës që e ndiqte. Por ai ka ardhur për një jetë shumë më të lartë e i bën të gjithë ta kuptojnë këtë, duke u larguar nga skena e mrekullisë.
Të martën më 21 prill, do të përkujtohen Shën Anselmi, kryeipeshkëv i Kënterbërit e doktor i Kishës dhe Shën Apolloni filozof e martir romak. Liturgjia e festës së tyre na nxit të meditojmë se largimi i Jezusit në vende të vetmuara nuk do të thotë se ai i braktis nxënësit e vet. Vetëm kur Krishti është në barkë bashkë me ta, frika zhduket e barka i afrohet bregut aq të dëshiruar.
Të mërkurën e ardhshme më 22 prill, Kisha përkujtoi edhe Shën Sotirin papë, Shën Kajon papë shën Agapiton, papë e Shën Leonidën. Liturgjia e ditës na kujton dhurata e fesë në Krishtin, na sjell fryt dhuratën e Shpritit Shenjt që na bënë të njohim Atin Qiellor, i cili na bënë dëshmitarë të tij e na bindë të kthehemi në udhën e jetës.
Të enjten, më 23 prill do të kremtohet festa e Shën Gjergjit martir; e Shën Adalbertit, ipeshkëv i Pragës e martir dhe e Shën Maria Gabriela Sagedus, virgjër çistecense. Liturgjia e ditës na kujton se turma e kërkon Jezusin, kryesisht sepse shpreson të hajë e të ngihet mrekullisht. Në sa Jezusi duhet kërkuar sepse Zoti na e dërgoi si shujtë shpirtërore për jetën e pasosur.
Të premtën e ardhshme më 24 prill do të përkujtohen Shën Fedeli i Sigmaringen, meshtar kapuçin e martir dhe Shën Maria Heselblad, themeluese e brigjidineve. Liturgjia e festës së tyre na nxit të meditojmë se për të mos pasur më uri as etje, duhet besuar në Jezu Krishtin, që është buka e jetës. Buka që u jep Mosiu hebrenjve, ndonëse zbret nga qielli, mbetet bukë që ushqen jetën tokësore e jo jetën hyjnore, jetën e amshuar.
Të shtunën 25 prill Kisha do të përkujtojë Shën Markun ungjilltar, i cili me jetën e me veprën e tij na nxit t’ia kumtojmë vëllezërve lajmin e madh të shëlbimit, të ecim në gjurmët e apostujve, për të përhapur në të katër anët e botës Ungjillin, forcë që e shndërron gjithësinë e që provon praninë e Zotit ndërmjet njerëzve.
Të dielën e ardhshme më 26 prill, bie e diela e 3-të e Pashkëve e po më 26 prill, sipas kalendarit kishtar do të kremtohet festa e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve. Festa i bashkon shpirtërisht gjithë shqiptarët rreth figurës së Zojës në shenjtëroren kombëtare rrëzë Kështjellës Rozafa, rrenimi dhe rindërtimi i së cilës do të mbetet në shekuj si simbol i ikjes e i rikthimit të përsëritur të Nënës së Zotit në trojet e në zemrat e shqiptarëve. Figurja e mrekullueshme, origjinali i së cilës ndodhet në Gjenacan të Italisë, pasqyron gjithë historinë e katolicizmit në Shqipëri.







All the contents on this site are copyrighted ©.