Sot kalendari kishtar përkujton Shën Simeonin Bar Sabbà, Ustazaden e shokët Martirë
në Persi.
(17.4.2009 RV)Shën Simeoni, i njohur ndryshe me emrin Bar Sabbŕ, që do të thotë
‘biri i dërstilarit”, u emërua ‘catholikos’ – ‘ipeshkëv’ i Seleuçisë në Persi, menjëherë
pas ipeshkvit të mëparshëm, që u shkarkua nga detyra në vitin 324. Në vitin 340 mbreti
persian Sapori II, që rifilloi persekutimin e egër kundër të krishterëve, nuk ngurroi
t’i detyronte që të paguanin dyfishin e taksave e të mbyllte të gjitha ndërtesat e
kultit. Duke parë varfërinë e thellë të njerëzve, Simeoni nuk pranoi t’i mblidhte
taksat. I vunë menjëherë prangat. E hoqën, pastaj, zvarë para mbretit dhe deshën
ta detyrojnë të përulej para e tij e më pas të adhuronte zotin diell. Natyrisht nuk
pranoi. E ky mospranim u përdor si pretekst për ta mbajtur në burg, së bashku me njëqind
të krishterë të tjerë. Në birucën e burgut, i ngarkuar me zinxhirë, ipeshkvi shenjt
arriti të kthente në fenë e krishterë Ustazaden, eunuk i sallës mbretërore dhe edukator
i mbretit, i cili më pas do të martirizohej së bashku me atë që e ringjalli për një
jetë të re në gurrën e Pagëzimit. Simeoni kaloi shumë kohë në burg, së bashku
me njëqind shokët e tij, ipeshkvij, meshtarë e anëtarë të urdhrave të ndryshme rregulltare.
Iu pre koka, pasi i therën para syve të tij, një nga një të gjithë shokët e fesë e
të mjerimit, të cilët ai i kishte përforcuar në fe aq, sa ta pësonin me guxim të pashoq
martirizimin për Krishtin. Në Martiriologun e mëparshëm Romak përmendeshin me emër
disa nga shokët e martirizimit të Simeonit, e pikërisht meshtarët Abdaikla e Hanania
si dhe zyrtari mbretëror Pusaik. Simeoni kujtohet si kryetar i këtij grupi martirësh
në Shkurtoren siriane të vitit 412 si dhe në Martiriologun Romak, që e shënon përkujtimin
e martirëve të Persisë më 17 prill. Po në këtë datë kalendari katolik përkujton
edhe Ustazaden, që pësoi martirizimin së bashku me shumë të krishterë të tjerë
nga të katër anët e Persisë, gjithnjë me urdhër të mbretit Sapori II.