2009-04-17 17:36:41

Kardinali Bertone do të përurojë ekspozitën e Biblës karolinge të shekullit IX, në Abacinë e Shën Palit jashtë mureve të Romës.


(17.04.2009 RV)RealAudioMP3 Është hera e parë, në historinë e saj mijëvjeçare, që Bibla me 336 faqe pergamene, e porositur nga Karli i Shogët, dhuruar Papës Gjoni VIII, mund të admirohet në Abacinë e murgjërve benediktinë të Shën Palit jashtë Mureve të Romës, të cilët që nga shekulli VIII kremtojnë liturgjinë mbi Varrin e Apostullit të Popujve, në Bazilikën papnore mbi rrugën Ostiense. Nismën për ta ekspozuar Biblën e mrekullueshme, përplot me kryevepra të miniaturës, e morën vetë murgjërit si dhe abati i tyre, atë Edmund Pauer, për të nënvizuar kështu vlerën e Vitit kushtuar Shën Palit, përmes një ekspozite me vlera të mëdha artistike e shpirtërore. Ekspozitën do ta përurojë të dielën e ardhshme kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit.
Bibla karolinge është shumë e veçantë nga pikëpamja stilistike, ilustrative e edhe e teksteve, të cilat janë ato të Vulgatës, në qendër të vëmendjes së opinionit të kohës. Teksti i Vulgatës, përkthyer në latinisht nga Shën Jeronimi, u rishkrua në pergamenë e u stolis me miniatura nga amanuensët, sipas porosisë së Karlit të Shogët. Mbreti karoling i dha një shtytje të madhe zhvillimit të kulturës në përgjithësi e, në veçanti, asaj që kishte të bënte me Fjalën e Zotit e me liturgjinë, me këngën liturgjike e me gjithçka lidhej me veprimtarinë e Kishës.
E pyetëm abatin, Atë Edmund Pauer, ç’i bëri më shumë përshtypje duke parë një vepër të kësaj natyre, si Bibla karolinge?

Përgjigje: - Kur e shikoj këtë vepër arti, mbetem i mrekulluar nga disa gjëra. Nga historia e saj, për shembull. Ekziston që prej 1 mijë e 100 vjetësh, e megjithatë ngjyrat janë ende të ndritshme, si të ishin përdorur sot. Ka, pastaj një faqe, që tregon ngjarjet kryesore të jetës së Shën Palit, kur ndodhet para Sinedrit e kryepriftërinjve, e pastaj edhe kthimin e Apostullit. Shihet qartë se çdo fjalë është shkruar me dashuri, me kujdes e me bindjen se ajo që shkruhej e pikturohej, do të ndikonte mbi gjithë kulturën e Evropës.







All the contents on this site are copyrighted ©.