Miqësia me Krishtin, shenjë dalluese e jetës së Benediktit XVI: sot Papa feston 82-vjetorin
e lindjes
(16.04.2009 RV)Papa Benedikti XVI
mbushi sot 82 vjeç, ngjarje që e festoi në Pallatin Apostolik të Kastelgandolfos.
Të shumta urimet nga e gjithë bota, për njeriun e dashuruar me Zotin e me Kishën,
bariun në shërbim të së Vërtetës. Që nga fëmijëria, miqësia me Jezu Krishtin karakterizon
jetën e Jozef Racinger. Vetë Papa e kujton këtë fakt me mirënjohje, me rastin e ditëlindjes
së 80-të: “Miqësia e Jezu Krishtit është miqësia e Atij, i cili na bën njerëz
që falim, e Atij që na fal, na largon vazhdimisht nga dobësia jonë e kështu, na edukon,
na ndikon vetëdijen e detyrës së brendshme të dashurisë, e detyrës për t’iu përgjigjur
besimit të tij në besnikërinë tonë” (Homelia e 15 prillit 2007, Sheshi i Shën Pjetrit)”. Jozefi
i vogël lindi më 16 prill 1927, e Shtuna e Madhe. Papa i ardhshëm pagëzohet në të
njëjtën ditë e kështu, nënvizon ai vetë, lindja qe “shenja e fillimit të Pashkëve”.
Në të njëjtën ditë u bë anëtar i familjes së vet dhe i familjes së madhe të Zotit: “Falenderoj
Hyjin, sepse kam mundur të provoj se ç’do të thotë “familje”; kam mundur të provoj
se ç’do të thotë atësi, kështu që emri i Zotit si Atë m’u bë i kuptueshëm nga brenda;
mbi bazën e përvojës njerëzore m’u hap rruga drejt Atit të madh e të mirë, që është
në qiell. (Homelia e 15 prillit 2007, Sheshi i Shën Pjetrit)”. Gjithnjë me
rastin e 80-vjetorit të lindjes, Benedikti XVI kujton se si u thirr nga Zoti për t’u
bërë meshtar. Një dhuratë e re e shumë kërkuese, siç thotë Papa: “Në festën
e Shën Pjetrit e të Shën Palit, Apostuj, në vitin 1951, kur ne – mëse dyzet shokë
– ndodheshim në katedralen e Frizingës të shtrirë mbi dysheme e kur mbi ne kërkohej
ndërhyrja e të gjithë shenjtorëve, vetëdija se isha krejt i mangët para kësaj detyre
më rëndonte. Po, më ngushëllonte fakti se mbrojtja e shenjtorëve të Zotit, e të gjallëve
dhe e të vdekurve, kërkohej për ne. E dija se nuk do të mbetesha vetëm”. E
për thirrjen e tij, Ati i Shenjtë foli gjerësisht në takimin me të rinjtë e dioqezës
së Romës, më 6 prill 2006. Benedikti XVI kujtoi situatën e vështirë në të cilën u
rrit në Gjermaninë naziste, që dëshironte t’i hiqte qafe meshtarët. Por, kujton Papa,
pikërisht për të kundërshtuar brutalitetin e regjimit, kishte nevojë për meshtarë,
për zëra të fortë që të shpallnin Ungjillin: “Në këtë situatë, thirrja për
meshtar u rrit gati natyrshëm sëbashku me mua e pa ngjarje të mëdha kthimi në rrugën
e Zotit. Gjithashtu, dy gjëra më kanë ndihmuar në këtë rrugë: që fëmijë, i ndihmuar
nga prindërit e famullitari, zbulova bukurinë e Liturgjisë dhe e kam dashur gjithnjë
e më shumë, sepse ndjeja se në të duket bukuria hyjnore e hapet zemra para qiellit”. Dashuri
për liturgjinë, pra, por edhe për teologjinë, “aventurën e madhe të dialogut me Zotin”.
Megjithatë, u thotë Papa të rinjve, gjatë viteve të para të meshtarisë nuk mungojnë
vështirësitë, por ato kapërcehen duke ia besuar veten krejtësisht Krishtit: “Duke
qenë njeri me formim teorik e jo praktik, e dija se nuk mjafton ta duash Teologjinë
për të qenë meshtar i mirë, por është e nevojshme edhe të jesh gjithnjë i gatshëm
për të ndihmuar të rinjtë, meshtarët, të sëmurët, të varfërit; është e nevojshme të
jesh i thjeshtë me të thjeshtët. Teologjia është e bukur, por edhe thjeshtësia e fjalës
dhe e jetës së krishterë është e nevojshme. E kështu, pyesja veten: a do të jem në
gjendje ta jetoj gjithë këtë e të mos jem i njëanshëm, vetëm teolog apo tjetër? Zoti
më ndihmoi e sidomos, më ka ndihmuar shoqëria e miqve, e meshtarëve dhe e mësuesve
të mirë”.