2009-04-16 14:19:26

82-vjetori i lindjes së Papës Benediktit XVI. "Ad multos annos" -Urime Atë i Shenjtë!


(16.4.2009 RV)"Gëzim” Kjo fjalë-shtyllë e magjisterit të Bariut universal Jozef Racinger ngazëllen shumë zemra në këto ditë kaq të ngarkuara me ngjarje, me festa, me hare. Era e mirë e flladit të Pashkëve bëhet edhe më e këndshme e na e mbush shpirtin plot me atmosferën e kremtimit të ditëlindjes së Atit të Shenjtë, Papës Benediktit XVI.
Është festë! Vatikani ka festë! Mbarë bota katolike kremton e me të, edhe ne jemi në festë. Është festa e bukurisë, e madhështisë dhe e qartësisë së Fesë. E asaj Feje, të cilën Papa me sytë e qeshur e ëmbëlsisht atëror, e rindez në mendjet e në zemrat e besimtarëve dhe të gjithë atyre që e shikojnë, e dëgjojnë, e ndjekin plot shpresë.
Është festa e Pjetrit. Festa e Bariut të Kishës, që t’i freskon trup e shpirt.
Është festë! Festë që ka shijen e familjes, aromën e kemit në bashkësinë kishtare të famullisë, kufijtë e universalitetit!
Gëzuar Atë i Shenjtë! Urimi i shprehur nga zërat tonë shqiptarë, ka aromat e krishterimit të lashtë të një vendi e popull të vogël, që ju ka për zemër, sepse edhe ju e keni për zemër!







All the contents on this site are copyrighted ©.