2009-04-15 19:22:59

Nga Ora nder valle: Uji i budallës.


(15.04.2009 RV)Kah’ishe tue lexue në numrin e mrâm të fletores “Ora e Maleve” proçesin – Ora e Maleve – Kalluçi e nuk dishe kurrsesi me i dhanë zhdrivillim atì lâshit aq të ngatërruem… më râ në mênd nji prrallë qi kam pasë ndî kah ditë e mot, por qi nuk dì mirë a âsht e vertetë.
Motit në nji gjytet kishte pasë kalue shumë kohë pà rà shì, e thatinë e madhe kishte kapë dhèn. Astronomët e atëhershem ngrehshin pà prà turbinat e veta kah qilla, per me muejtë me lexue në shndritësìn e ndryshme t’hyjvet ndoj shêj shiut t’aferm. Mbas sa vrejtjesh e studimesh të bâmuna, i lajmuene popullit se shì do te bite, porsè kush te pite prej asì ujit do te delte mêç.
Si me ja bâ ? Me dalë të tanë mêç përnjiherë ishte nji punë teper e pàbukur e e damshme. Mênduene prandej me i dà posë disà njerz mâ në shêj e të dashtun e me e rezervue per ta at pak ujë qi kishte teprue. E mbasi n’at gjytet njerzit mâ në shêj e mâ të dashtun per popull, ishin gjindja e Qeverrìs, populli mbushi fuçija, vozga e mastela me ujë e ja çoj personalit qeverritàr.
Qìlla vrâhet; rê të zeza e mbëlojnë anë e kand: ndihet krizmja e bumullimës: shiu nisë me cikrrue, e ne e mbram nji shtergatë e madhe bjè me furì mbî at gjytet.
Mbas pak orësh mbushen pusa e vija, e populli i edshem nget pà farë kasavetit me pì asì ujit. Por qe! Se parafolja e astronomvet vertetohet. S’met kush pà pì asì ujit perposë personalit qeverritar, por as met kush pà dalë meç…
Gjyteti u ndrue me ‘i herë në nji çmendore! Kuer njerzit e Qeverrìs duelne prej odave të veta e pane të tanë popullin tue dhanë shêje mârrijet e konstatuene se ata vetem t’urtë s’kishin çka të bâshin me nji popull të dalun meç, thane: A e bâjmë nji send? A pìm edhè na asì ujit shiut qi kà rà sot? S’kèm si rrîm kështu! Të marrët janë bâ shumicë… e shumica, na e diejmë se fiton gjithherë! Po bâhena prà edhe nà me ta!...
Si thane, ashtu edhè bâne. Edhè Qeverrija piu asì ujit, dhè Qeverrìs marë i pat luejtë çekerku…
Prralla në Lesh, shndedja prej nesh! Ndish due me thanë…

Y. , “Ora e Maleve”, Shkoder, e Shtunde , 18 gusht 1923, nr. 19. (Y. është pseudonimi i Dom Lazër Shantojës).

 







All the contents on this site are copyrighted ©.