2009-04-15 18:48:46

Benedikti XVI: Ngjallja e Krishtit, ngjarje e pamohueshme historike që i hap rrugën një shprese më të fortë se çdo e keqe.


(15.04.2009 RV)RealAudioMP3 Ngjallja e Jezusit nuk është mit, të cilin teoritë e vjetra duan ta mohojnë, por fakt historik, që revolucionarizoi jetën e breznive të tëra. Benedikti XVI ia kushtoi audiencën e parë pas Pashkëve ‘zemrës së mesazhit ungjillor’, besimit në Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur, thelb i Besojmës sonë, në një kohë kur Kisha është në festë. E kjo festë do të zgjasë deri në solemnitetin e Rrëshajëve. Papa, ardhur nga Kastel Gandolfo, mbajti katekizmin e së mërkurës në Sheshin e Shën Pjetrit, përballë 40 mijë besimtarëve dhe shtegtarëve nga mbarë bota.

Me Ngjalljen e Krishtit, Fjala e Hyjit u bë histori e njerëzve, madje diçka më shumë, u bë ‘njeri’. E të pesëdhjetë ditët, që fillojnë me Pashkët e shkojnë deri tek Rrëshajët, nuk janë tjetër, veçse një Aleluja e vetme, që Kisha e këndon që prej më se dymijë vjetësh duke e kumtuar, epokë pas epoke, këtë të re tronditëse. Benedikti XVI u ndal posaçërisht tek misteri i Pashkëve i cili – tha - pushton gjithë harkun e jetës sonë e na ngarkon me detyrën për t’ua shpallur të gjithëve:
“Prandaj është themelore për fenë tonë e për dëshminë tonë të krishterë ta shpallim Ngjalljen e Jezusit të Nazaretit si ngjarje reale, historike, të vërtetuar nga dëshmitarë të shumtë, të besueshëm. Pohojmë me forcë se, edhe në kohët tona nuk mungojnë ata, të cilët përpiqen t’ia mohojnë karakterin historik, duke e parë rrëfimin ungjillor si mit, si vegim të apostujve e duke iu rikthyer teorive tashmë të vjetëruara, që na paraqiten si të reja e shkencore”.
Papa, që për audiencën erdhi me helikopter nga Pallati Apostolik i Kastel Gandolfos – shpjegoi edhe natyrën e misterit të Pashkëve. Ngjallja për Jezusin – pohoi – sigurisht:
“Nuk ishte një rikthim i thjeshtë në jetën e mëparshme. Në këtë rast, do të ishte vërtetë diçka që i përket së kaluarës: dymijë vjet më parë një njeri, siç ishte, për shembull Lazri, u ringjall, u rikthye në jetën e mëparshme. Ringjallja vendoset në një përmasë tjetër: është kalim në një jetë thellësisht të re, që ka të bëjë edhe me ne, me të gjithë familjen njerëzore, me historinë e me universin”.
Këtë kumt, brezni të tëra burrash e grash në rrjedhë shekujsh e pranuan me fe dhe e dëshmuan, shpesh herë edhe me çmimin e gjakut të tyre, me martirizim – vijoi Ati i Shenjtë, duke iu drejtuar mijëra besimtarëve, që e ndiqnin në Sheshin e Shën Pjetrit, të ndriçuar nga dielli i fortë i prillit e të stolisur me lulet mahnitëse të pranverës së re, që vijojnë të lulëzojnë në treme e në shkallët që ditën e Pashkëve.
E, duke rikujtuar fragmentin e famshëm të Letrës së Shën Palit Apostull drejtuar Korintianëve, Benedikti XVI pohoi se çdo aspekt shpirtëror e historik i Ngjalljes është fryt i transmetimit besnik të asaj që ndodhi qysh nga dita në të cilën varri u gjet i zbrazët. Ngjallja, shkroi Shën Pali, ndodhi ‘sipas Shkrimeve”, e kjo edhe një herë:
“Na lë të kuptojmë se vdekja e Birit të Hyjit i përket indit të historisë së shëlbimit e se kjo histori e merr pikërisht prej saj logjikën dhe kuptimin e vërtetë (…). Vdekja e Krishtit dëshmon se Fjala e Hyjit u bë deri në fund të fundit ‘njeri’, ‘histori njerëzore”.
Benedikti XVI e përfundoi katekizmin duke i ftuar të gjithë t’ia hapin zemrat dritës së Krishtit të ngjallur, që kështu të ndriçohen e të bëhen kumtues të Tij në mijëvjeçarin e tretë, ashtu si Apostujt në orën e parë të Kishës:
“Nuk mund ta mbajmë për vete kumtimin e kësaj së vërtete, që ua ndryshon jetën të gjithëve. E me besim të përvujtë, lutemi: “Jezus, që duke u ngjallur prej së vdekurish, u bëre fryti i parë i ringjalljes sonë, ne besojmë në Ty!”.
Në përfundim të katekizmit, përmbledhjen e të cilit e shqiptoi në tetë gjuhë të ndryshme, Papa përshëndeti posaçërisht një grup diakonësh së Shoqërisë së Jezusit si dhe grupin e rektorëve e të edukatorëve të Seminareve Papnore Zonale të Italisë.

I bukur, pastaj, çasti i paparashikuar në program, kur folësi në gjuhën franceze – duke kujtuar 82-vjetorin e ditëlindjes, që Papa do ta kremtojë nesër, dhe përvjetorin e katërt të zgjedhjes së tij në fronin e Shën Pjetrit – shkaktoi një stuhi të pandërprerë duartrokitjesh e brohoritjesh në Shesh.







All the contents on this site are copyrighted ©.