2009-04-15 18:28:12

Atë Lombardi: thelbi i papnisë së Benediktit XVI është t’i kthejë njerëzit në rrugën e Zotit, përmes dashurisë së Krishtit!


RealAudioMP3 Ditët që vijnë janë plot përvjetore për Papën Benedikti XVI. Nesër ai feston ditëlindjen e 82-të, ndërsa të dielën do të kremtojë 4-vjetorin e zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit. Për një bilanc të vitit të fundit të papnisë, të dëgjojmë drejtorin tonë të përgjithshëm, atë Federiko Lombardin:
Mund të kujtojmë se një vit më parë, Papa ishte në SHBA-të e se ky vit ka qenë viti i katër udhëtimeve, jashtë Italisë, në katër kontinente të ndryshme. Kjo besoj është për t’u vënë në dukje. Papa ka qenë në Amerikë, në SHBA, në Kombet e Bashkuara, ka qenë në Australi për Ditën Botërore të Rinisë; ka qenë në Francë, e së fundi, ka qenë në Afrikë vetëm pak javë më parë. Ka shtegtuar në katër kontinente brenda një viti e të gjitha këto udhëtime kanë qenë të rëndësishme për mikpritjen, për mënyrën se si është kuptuar mesazhi i tij edhe nga njerëz krejt të ndryshëm nga pikpamja e kulturës, apo e situatave që përjetojnë. Një ngjarje tjetër, që më duket shumë domethënëse, është Sinodi i Ipeshkvijve mbi Fjalën e Zotit, një ngjarje e Kishës universale, që u zhvillua me qetësi, me pjesëmarrjen dhe kënaqësinë e të gjithë atyre, të cilët u bënë lajmëtarë të këtij aspekti rrënjësor të jetës së Kishës, që është dëgjimi dhe shpallja e Fjalës së Zotit. Pastaj, sigurisht, është aspekti që vërehet më pak, pasi nuk lidhet me ndonjë ngjarje të madhe, por bën pjesë në natyrën e ministerit të Papës, të magjisterit të tij “të zakonshëm”, përmes homelive dhe katekizmit. Ky është një shërbim themelor për popullin e Zotit, shumë shpirtëror e teologjik, që e formon popullin e Zotit dhe që është, sipas meje, një nga karizmat më të jashtëzakonshme të Papës Benedikti XVI, pasi janë fjalime, homeli, katekizma shumë të pasura, që mund të mbeten për një kohë të gjatë pasuri e popullit të krishterë, për ta formuar nga pikpamja kulturore, teologjike e shpirtërore. Të mendojmë për homelitë e ditëve të fundit, ato që kemi dëgjuar me rastin e Triditshit të Pashkëve, për shembull, që kanë qenë me të vërtetë sublime. Nuk duhet t’i harrojmë, pavarësisht se nuk i gjen në gazeta, por në jetën e krishterë e në jetën e Kishës janë pika referimi e modele meditimi, thellimi në Fjalën e Zotit, në Lajmin e krishterë, janë absolutisht të rëndësishme.
Atë Lombardi, gjatë këtij viti Papa ka kaluar çaste delikate e të vështira. Si i ka përjetuar ato?
Besoj se aspekti më i qartë është ai i fundit, mbi diskutimet me rastin e heqjes së shkishërimit për katër ipeshkvijtë e shuguruar nga imzot Lëfevrë dhe diskutimet në lidhje me deklaratat mohuese të Holokaustit nga ana e ipeshkvit Uiliamson, njërit prej të katërve. Si e përjetoi Papa? E shohim nga letra, që u shkroi ipeshkvijve të krejt botës, një dokument i jashtëzakonshëm, shumë personal, intensiv, në të cilin vërejmë se si e përballoi gjendjen e tensionit brenda Kishës dhe konfrontimin me kulturën përreth saj. E përballoi duke sqaruar përparësitë e papnisë së vet, t’ia kthejë njerëzit Zotit dhe Zotin njerëzve, e duke vënë në dukje kriteret ungjillore mbi bazën e të cilave mori iniciativën për heqjen e shkishërimit, si gjest mëshire, frymëzuar nga fjalët e Ungjillit: “Pajtohu me vëllain tënd”. Patëm dëshminë e jashtëzakonshme të njeriut të fesë, të bariut që udhëheq Kishën me kritere feje të pastër e me dashuri e përgjegjësi të madhe shpirtërore para popullit të Zotit e njerëzimit të sotëm.
Gjatë këtyre ditëve, Papa i ka ftuar vazhdimisht besimtarët të luten për viktimat e tërmetit në Abruco të Italisë. Së shpejti, ai do të shkojë vetë në zonë…
Papa është person shumë i ndjeshëm, nuk është vetëm njeri me kulturë superiore e me teologji e përshpirtëri të thellë, është edhe njeri shumë human, i kujdesshëm, i dashur, me ndjenja njerëzore të thella. Këto pasqyrohen edhe në mënyrën me të cilën, vazhdimisht, që kur ndodhi tërmeti, ai i referohet kësaj tragjedie, kësaj ngjarjeje dramatike, në raste të ndryshme, në fjalime, në audienca, duke treguar afërsinë e tij, që shihet edhe në dëshirën për të shkuar atje, kur të jetë e mundur edhe nga pikpamja logjistike, organizative. Por afërsia e zemrës dhe e shpirtit vazhdon e është krejtësisht e sinqertë, njerëzore dhe shpirtërore njëkohësisht. Njeriu i fesë i përjeton këto ngjarje me dhimbje, merr pjesë në vuajtjen, por edhe në shpresën e personave. Papa e ndjeu veten kaq në sintoni me mënyrën me të cilën Kisha e Abrucos tregoi si i jeton me popullin këto ditë, që përkuan me misterin e vdekjes e të Ngjalljes së Jezusit, të përjetuar konkretisht.
Çfarë pret Papa nga udhëtimi i ardhshëm në Tokën Shenjte?
E ka thënë ai vetë, shumë qartë, në mesazhin e Pashkëve, në bekimin “Urbi et Orbi”. Papa tha se “me Pashkët, Krishti shkuli rrënjët e së keqes, por ka nevojë për burra e gra, që në çdo kohë e në çdo vend, ta ndihmojnë për të pohuar fitoren e tij me armët e veta, me armët e drejtësisë, të së vërtetës, të mëshirës, të faljes e të dashurisë”. Ky mesazh i Pashkëve është ai që Papa thotë se e ka çuar në Afrikë për shumë popuj të vuajtur, që dëshirojnë shpërblim. E të njëjtin mesazh do ta çojë edhe në Tokën Shenjte. Iu referua qartë temës së pajtimit, kur tha: “Pajtimi i vështirë, por i domosdoshëm, që është premisë për një të ardhme në siguri për të gjithë, në bashkëjetesë paqësore, mund të bëhet realitet vetëm me përpjekje të reja, këmbëngulëse e të sinqerta për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez”. Papa përgatitet të shkojë si shtegtar, si besimtar, që dëshiron të shohë vendet kryesore të historisë së Shëlbimit, të ngjarjeve të Besëlidhjes së Vjetër e të Re, por bart edhe mesazhin e pajtimit, të faljes e të paqes për të gjithë popujt, që jetojnë në këto toka. Prandaj, shtegtim feje, shtegtim paqeje.
Atë Lombardi, nesër Papa ka ditëlindjen. Çfarë i uroni?
I uroj të mund ta vazhdojë gjatë ministerin e tij, i cili është shërbim ndihme të madhe për burrat e gratë e kohës së sotme, që duan të takojnë Zotin. Shihet se ky është vërtet thelbi i shqetësimit të tij: t’i kthejë njerëzit në rrugën e Zotit e tua kthejë Zotin njerëzve, përmes një dashurie të madhe personale për Krishtin. Unë shpresoj vërtet që, për sa është e mundur, t’ia arrijë qëllimit, si brenda Kishës me anë të magjisterit të tij kaq të kualifikuar – ndoshta edhe përmes përfundimit të librit mbi Jezusin, pjesën e dytë të të cilit dëshiroj vërtet ta lexoj – ashtu edhe për njerëzimin e sotëm, që ta kuptojë se pavarësisht nga kritikat për shumë aspekte negative të kulturës apo të mentalitetit të sotëm, në fund të fundit, mesazhi kryesor është ai i dashurisë, i së mirës për njeriun, është pikërisht pajtimi me Hyjin e me të gjithë njerëzit që jetojnë mbi tokë.







All the contents on this site are copyrighted ©.