2009-04-14 13:47:30

Pashkët, Ngadhënjim i Jetës!


(14.4.2009 RV)Pashkët, Ngadhënjim i Jetës!
"Me fytyrën e kthyer drejt lindjes për të pritur agimin
Dhe zemrën drejt lindjes më të bardhë nga do të vijë ringjallja,
më zuri gjumi.
Ç’rëndësi ka se për një natë o për të gjitha?
Po i njëjti Zot më tregon rrugën
drejt agimit e drejt ringjalljes".
Ndoshta, nganjëherë, një mendim na e ka përshkuar mendjen para se të flemë: po sikur kjo të ishte nata e fundit, pa zgjim në agim? E kjo është edhe pyetja që duket nëpër vargjet e thjeshta, por intensive, të njërës nga poeteshat më të mira italiane të ‘900-ës, Margerita Guidaçit. Poezia titullohet “Nokturn” dhe supozon pikërisht ditën e së Shtunës së Madhe, ditë-simbol për të pasqyruar ekzistencën tonë. Në fakt, çdo mbrëmje, kur hyjmë në gjirin e natës, kemi përpara dy mundësi. Nga njëra anë – e kjo ndodh zakonisht – presim që të kalojnë orët e gjumit dhe të zgjohemi në agimin e një dite të re. Por, nga ana tjetër – edhe nëse nuk e mendojmë – ajo natë mund të jetë shenjë e pragut të panjohur dhe të skajshëm të jetës tokësore: ajo nuk do të përfundojë më në dritaren e agimit e në një datë të re të biografisë sonë historike, por në agimin e Pashkëve, në atë ringjallje që na ka premtuar “i Parëlinduri” i të ringjallurve, Krishti. Me fenë e saj të qartë e të qetë, poetja na fton të biem në gjumë me fytyrën e me zemrën e kthyer “nga lindja më e bardhë”: ai nuk është agimi i thjeshtë i përditshëm, por agimi i ndritshëm i Pashkëve. Por – vazhdon Guidaçi – qetësia e brendshme, që do të donim ta kishim të gjithë, lind nga një siguri e vetme: është vetë Zoti që na merr për dore e na çon nga nata drejt një dite të re, ose drejt amshimit. Sepse, siç thoshte shën Pali, “në qoftë se jetojmë e në qoftë se vdesim – jemi të Zotit” (Rom 14,8).







All the contents on this site are copyrighted ©.