2009-04-14 16:20:58

Nesër në Asizi, Kapitulli ndërkombëtar i Urdhërit françeskan.


(14.04.2009 RV)RealAudioMP3 Për herë të parë në histori, Asizi do të presë të gjithë Familjen françeskane në vendin ku filloi gjithçka, para Porciunkolës, që sot ruhet në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve, ndërtuar për të mbrojtur kishën e vogël, ku Shën Françesku kuptoi se duhej të jetonte “sipas Ungjillit të shenjtë”. Nesër, në qytetin italian, do të hapet Kapitulli ndërkombëtar i të gjitha degëve të Urdhërit françeskan, në 800-vjetorin e miratimit të Rregullës nga ana e Papës Inoçenci III. Sot paradite, në Asizi u mbajt një konferencë shtypi, ku u shpjegua se në Asizi do të vijnë dymijë fretër nga 65 vende të botës. Ata përfaqësojnë 35 mijë françeskanët e katër urdhërave të ndryshme. Kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme, që do të shërbejë për të përtërirë besnikërinë ndaj karizmës dhe për t’u dhënë përgjigje sfidave të kohës. Në mikrofonin tonë, atë Enco Fortunato, zëdhënës i Kapitullit:
Është një mesazh domethënës për shumë aspekte. Së pari, sepse kjo ngjarje bie në një moment dramatik për shoqërinë ndërkombëtare, në mesin e krizës ekonomike. Prandaj, thjeshtësia françeskane mund të jetë një rrugë e mirë për t’u ndjekur. Aspekti i dytë lidhet me vuajtjen që po kalon një pjesë e popullsisë italiane me tërmetin në Akuila. Shën Françesku është pranë të vuajturve. Aspekti i tretë, që ka të bëjë me aktualitetin, është se ndodhemi para një individualizmi dhe egoizmi të shfrenuar. Propozimi vëllazëror për të ndenjur sëbashku, njëri pranë tjetrit, njëri për tjetrin, mund të jetë edhe kjo një rrugë për t’u ndjekur. Rregulla jonë tregon se françeskanët kanë një busull, që i udhëheq, por edhe një mesazh për të gjithë ata, që duan ta shuajnë etjen në një nga burimet më të pastra të përshpirtërisë së krishterë, që duan të kenë një jetë me parime, rregulla e respekt. Rregulla françeskane na ndihmon të mbetemi të lidhur pas atyre vlerave, që nuk na lenë ta humbim rrugën.







All the contents on this site are copyrighted ©.