Fidel Kastro: “Kuba nuk do ta shtrijë kurrë dorën për të kërkuar lëmoshë”. Lajme tjera
nga bota.
(14.04.2009 RV)Kështu u shpreh udhëheqësi suprem i revolucionit kuban në lidhje
me vendimin e administratës Obama për të hequr ligjin që iu ka ndaluar deri tashti
shtetasve amerikanë vajtjen në Kubë për t’u takuar me familjarët apo për t’i dërguara
atyre të holla. Edhe pse nuk e hoqi embargon tregtare ndaj Kubës, administrata e tanishme
amerikane bëri të mundur për herë të parë që nga 1962, që amerikanët të vizitojnë
lirisht ishullin karaibik. Sipas Shtëpisë së Bardhë, kjo gjë do të ndikojë në përforcimin
e opozitës kubane. Po ashtu u hoqën edhe pengesat për kompanitë amerikane të telekomunikacioneve
që dëshirojnë të hapin biznese atje. Sidoqoftë në deklaratën e Fidel Kastros thuhet
se ai “nuk e akuzon Obamën për krimet e kaluara të qeverive të tjera amerikane”.
Korea
e veriut lajmëroi se do t’i bojkotojë bisedimet ndërkombëtare për pezullimin e programeve
bërthamore të saja dhe se ka vendosur të vërë përsëri në funksionim reaktorin e Jongbjonit.
Lajmi u dha menjëherë pas komunikatës së djeshme të Këshillit të Sigurisë së OKB-së
i cili e dënoi ashpër hedhjen e raketës që koreanët bënë me 5 prillin e kaluar. Korea
e veriut e quajti këtë raketë vetëm si një provë për lëshimin në orbitë të një satelit
telekomunikacionesh, ndërsa SHBA dhe Japonia e konsideruan atë si provë për një raketë
luftarake me rreze të gjatë.
Po sot Moska e paralajmëroi qartë Korenë e
veriut për pasojat negative që mund të ketë vendimi për rifillimin e programit bërthamor.
“Shpresojmë se Korea e veriut do t’i mendojë pasojat e një hapi të tillë përsa i përket
zgjidhjes së problemeve të gadishullit korean”, u shpreh për shtypin ministri i jashtëm
rus. Reagimi i Moskës erdhi menjëherë pas vendimit të Koresë së veriut për të braktisur
bisedimet gjashtëpalëshe për pezullimin e programi të saj bërthamor, bisedime në të
cilat merr pjesë edhe Rusia.
Nga ana tjetër Kina e i ftoi bashkëbiseduesit
e tjerë që të qetësohen dhe të tregohen të matur ndaj qëndrimit të ri të Koresë së
veriut. Po ashtu Japonia u deklarua e gatshme t’i vazhdojë bisedimet gjashtëpalëshe
pavarësisht vendimit të Koresë së veriut për t’i ndërprerë ato. Në negociatat, që
kanë filluar më 2003 në Pekin, marrin pjesë përveç Koresë së veriut, ajo e Jugut,
SHBA, Japonia, Russia dhe Kina.
Në Iran nisi gjyqi kundër gazetares amerikane
Roksana Saberi, e akuzuar për spiunazh. Lajmi u dha nga zëdhënësi iranian Ali
Jamshidi, gjatë një konference për shtyp. 31-vjeçarja Saberi jeton në Iran që prej
gjashtë vjetësh, gjatë të cilëve ka studiuar por edhe ka shkruar një libër. Po ashtu
gazetarja ka bashkëpunuar me mjete të ndryshme informimi si BBC, NPR dhe Fox News.
Në janarin e kaluar ajo u arrestua fillimisht me akuzën se ka pirë alkohol e më pas
se ka punuar si spiune për SHBA-ës
Nëntë burra nga fisi Fur i Darfurit,
- të dënuar që më përpara për vrasjen e drejtorit të një gazete të rëndësishme
sudaneze, - u varën sot në burgun e Kartumit. Ekzekutimi, sipas gazetës Sudan Tribune,
u bë përpara familjarëve të viktimës. Fisi Fur është njëri nga ato fise që lufton
kundër qeverisë së tashme sudaneze. Pikërisht për këtë konflikt presidenti i tashëm
Omar Bashir është shpallur nga Gjykata e Hagës person në kërkim për krime lufte dhe
krime kundër njerëzimit. Procesi gjyqësor ndaj nëntë të akuzuarve ishte kundërshtuar
ashpërsisht nga Amnesti Internashional sipas së cilës mbi të pandehurit është përdorur
dhunë.
Tri partitë kryesore opozitare të Moldavisë kërkuan zyrtarisht
që zgjedhjet parlamentare të 5 prillit të shpallen të pavlefshme dhe të votohet përsëri.
Duke folur në një konferencë shtypi në Kishinau, udhëheqësi i partisë liberaldemokratike
Vlad Filat foli edhe për manipulime të provuara të listave elektorale. Ai gjithashtu
pohoi se opozita nuk do të marrë pjesë në rinumërimin e votave të autorizuar nga presidenti
Vladimir Voronin. Zgjedhjet në fjalë u fituan nga partia komuniste.