Papa në lutjën Mbretëresha Qiellore në Kastel Gandolfo:"Ngjallja e Krishtit ka vendosur
urën ndërmjet njerëzimit e Qiellit!"
(13.4.2009 RV)Sot Papa e kremtoi lutjen
e Mbretëreshës Qiellore nga Kastel Gandolfo, ku ndodhet që dje pasdite e ku do të
qëndrojë deri në fund të javës. Ati i Shenjtë Benedikti XVI e nisi lutjen me shpjegimin
e Ngjalljes së Krishtit. Duke u ngjallur “Jezusi ka përuruar ditën e tij të amshuar”.
“Në këto ditë pashkësh shpesh jehojnë fjalët e Jezusit: “Jam ngjallur e jam gjithmonë
me ty”. Duke i bërë jehon këtij kumtimi, Kisha shpall plotë gëzim: “Po, jemi të sigurt!
Zotëria Jezus më të vërtetë është ngjallur, aleluja! Atij i qoftë lavdi e fuqia në
shekuj”. E tërë Kisha në festë, - tha Papa Racinger - i shpreh ndjenjat e veta duke
kënduar: “Kjo është dita e Krishtit Zot”. Më të vërtetë, duke u ringjallur, Ai thotë
– do të jam në jetë”. Biri i njeriut të kryqëzuar, guri i hedhur prej ndërtuesve,
tashmë është bërë themel i sigurt i ndërtesës së re shpirtërore, që është Kisha, Trupi
i tij mistik. Prandaj, bashkësia e krishterë gëzon sepse ringjallja e Zotërisë
Jezus na siguron se plani hyjnor i shpëtimit do të plotësohet me siguri. Ja se pse
Pashka e tij është më të vërtet shpresa jonë. E ne, - shtoi Papa - të ringjallur në
Krishtin përmes Pagëzimit, duhet ta ndjekim besnikërisht më shenjtërimin e jetës,
duke ecur pa u ndalur e pa u lodhur drejt Pashkëve të amshuara, të mbështetur nga
vetëdija se vështirësitë, betejat, sprovat, vuajtjet njerëzore të ekzistencës, duke
përfshirë edhe vdekjen, tashmë nuk do të munden më të na ndajnë prej Tij e nga dashuria
e tij. Ngjallja e Krishtit ka vendosur një urë ndërmjet botës e jetës së amshuar,
mbi të cilën çdo njeri e çdo grua mund të kalojë për të arritur cakun e vërtetë të
shtegtimit tonë tokësor. Është Ai pra, mbështetja e sigurt e shtegtimit tonë drejt
banesës Qiellore. Virgjëra Mari, e cila ka jetuar pranë të Birit të saj hyjnor
çdo fazë të misionit të tij mbi tokë, na ndihmoftë ta pranojmë me fe dhuratën e Pashkëve
e na ndihmoftë të jemi dëshmitarë besnikë e të gëzuar të Krishtit të Ngjallur. Në
përfundim të lutjes së Mbretëreshës së qiellit, Papa përsëri u uroi të gjithëve për
Shumë Mot Pashkët!