2009-04-12 17:50:04

Shtegtarë nga mbarë bota në Meshën e Pashkëve, kremtuar në bazilikën e Varrit Shenjt në Jeruzalem.


(12.04.2009 RV)Këmbanat ranë të gjitha përnjëherësh në Jeruzalem. Atmosferë gëzimi sot paradite në bazilikën e Varrit Shenjt, ku përreth Anastasis, si e quajnë grekët, apo ‘Kishës së Ringjalljes’, si e quajnë të krishterët vendas, një bashkësi besimtarësh e shtegtarësh, ardhur nga të katër anët e botës, mori pjesë në Meshën pontifikale solemne të Pashkëve.
E kryesuar nga patriku latin, imzot Fuad Tual, Mesha u kremtua mbi lterin e vendosur para Edikolës, që ruan Varrin e Krishtit. Kremtimi bëri të jehojë hareshëm në bazilikë kënga e Ngjalljes.
E në se është e vërtetë që në këtë bazilikë, zemër e Jeruzalemit, është gjithnjë Pashkë, kumtimi i ngjalljes dhe Aleluja shpërthyen sot paradite me gjithë fuqinë e tyre, duke i prekur thellë zemrat e mijëra besimtarëve, sidomos të atyre që i afroheshin për herë të parë këtij vendi, më i shenjti i mbarë krishtërimit.
Kulmi i liturgjisë së Pashkëve në Bazilikën e të Ngjallurit ishte procesioni me Ungjillin, i cili në përfundim të Meshës u mbart rreth varrit të zbrazur, duke shpallur në të katër pikat e ndryshme të bazilikës, Kumtimin e Ngjalljes, si të donte të tregonte se që këtu u nis, për t’u kumtuar në të katër anët e botës.
“Ta lemë Zotin të na e lehtësojë dhimbjen e plagëve” – ishte thirrja përfundimtare e Imzot Tualit, që i ftoi besimtarët ta shpallin Alelujën para të gjithë njerëzve, pa turp e pa frikë, si dëshmi të ringjalljes, duke e shoqëruar me dëshmi, me gëzim e dashuri vëllazërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.