2009-04-11 13:28:08

E Hëna e Pashkëve


(13.04.2009 RV)Krishti duhet të ngjallej në një ditë të bukur pranvere, kur ajri është plot me aroma e të fton të dalësh nga skutat, të bredhësh në blerim e të thithësh lirisht kumtimin e ri të jetës.
Pas vdekjes së Zotit, dishepujt e patën kaluar kohën të ngujuar në një shtëpi, të tmerruar nga tragjedia që panë me sytë e tyre e të trembur nga rreziku i ndonjë sulmi të papritur, që mund të përfundonte me një kryqëzim të ri.
Jetonin në një atmosferë të rëndë. Nuk parashikonin asnjë rrugëdalje. Nga që e kishin lidhur jetën me një të Kryqëzuar, ishin të bindur se e kishin humbur. Kumti i ngjalljes, që sollën gratë, krejt i pabesueshëm, veç sa i kishte ngacmuar. E ardhmja mbetej pa asnjë formë. Nuk është për t’u çuditur, prandaj, në se dy prej tyre vendosin të largohen, të shtyrë nga nevoja për të thithur një ajër tjetër, për të kërkuar prehje. Njëri prej tyre ka një shtëpi në Emaus, fshat pranë Jeruzalemit. Kanë vendosur ta harrojnë për një çast ç’ka ndodhur këto ditë e ç’pasoja do të ketë mbi jetët e tyre. Por s’munden e s’munden të mos flasin për atë, që ua mbushi shpirtin e që, me vdekjen e tij, i flaku në një shteg të verbër: Shpresonim! I përgjigjen udhëtarit të çuditshëm, që bashkohet me ta e nis t’i pyesë, krejt i paditur për tragjedinë e tyre. Shpresonin se ishte Krishti, shpëtimtari! Ndërsa ai vdiq e gjithçka mori fund një herë e mirë!
Fjalëve të tyre, ngarkuar me mosbesim, shoku i udhës, që dukej se s’dinte gjë fare për ngjarjet vendimtare të këtyre ditëve, u përgjgjet: “O të pamend e të ngadalshëm që të besoni”, e i zbulon misterin e Kryqit shpërblyes. Kryqi nuk është shkandull, por parakusht i nevojshëm për hyrë në jetën e pasosur.
E ata dy qyqarët e harrojnë fare ankthin, të tërhequr nga joshja misterioze e të panjohurit e nga premtimi për një gëzim të ri, ende të pakapshëm, por që ua pushton zemrat e i bën të pangopur: “Fol - e lusin shokun e papritur të udhës - na fol, sepse zemra jonë ka etje për këto fjalë jete; mos na lërë vetëm, tani, kur dyndet terri e ne kemi ftoftë e frikë.
E njohin, pastaj, në të thyer të bukës, e rikthehen atje, prej nga kishin ardhur, me një siguri të panjohur më parë, që do t’i shndërrojë jetët e tyre, do t’i mbushë me lumturi e do t’i bëjë dëshmitarë besnikë të Krishtit të ngjallur.
O Zot Jezus, Shëlbuesi ynë e Miku ynë, të falënderojmë për këtë mësim mbi jetën e mbinatyrshme, por të lutemi me përvujtëri e besim ta bësh të depërtojë në mendjet tona të çkujdesura, tepër larg misterit të Kryqit. Ti e di, o Zot, se Kryqi për ne është shkandull, se dhimbja na mbush me trishtim, se kërkojmë ngushëllime krejt të tjera në orët e dëshpërimit. Ndiqi, Jezus i mirë, edhe hapat tonë, që ravgojnë në udhë përplot me leqe e prita, e shpjegona edhe ne të vërtetën tënde.
Na e shpjego, të lutemi, që të mund ta bëjmë tonën jo si njohuri, që pasuron mendjen, por si ushqim që e mban gjallë gjithë jetën. Ti e di sa e cektë është besojma jonë, ndërsa jemi të lidhur ngushtë me interesat tona, me lakmitë tona për pasje. Na shpëto nga mosbesimi e na ushqe me fenë e vërtetë. Rri me ne, në sa bie nata. Shpjegona të vërtetën e gëzimin. Gëzimin e pafund të premtimit tënd. Të falënderojmë, o Zot. E në këtë falënderim kemi vënë gjithë zemrën tonë e dëshirën për të të dashur sot e në shekuj të shekujve.







All the contents on this site are copyrighted ©.