Papa në Udhën e Kryqit: në Krishtin kuptojmë misterin e vuajtjes.
(10.04.2009 RV)Një shtegtim në
udhët e njerëzimit. 14 stacione në të cilat gjejmë padrejtësitë e vuajtjet e sotme,
urrejtjet e luftërat që shkallmojnë kombe të tëra: kjo është Udha e Kryqit e së Premtes
së Madhe në Koloseo, kryesuar nga Papa e medituar nga kryeipeshkvi i dioqezës indiane
të Guvahatit, imzot Tomaz Menamparampil. Meditimet e prelatit, salezian indian,
në krye të një dioqeze me 5 milionë katolikë, ndërmjet 6 milionë banorëve, hapin
një horizont të gjërë të realitetit të sotëm, në të cilin gjithnjë më shpesh shenjtëria
e etja për Zotin mbyten nga kërkimi i kënaqësive kalimtare e nga fryma e oportunizmit. “Në
çastet e vështirësive, nuk duhet menduar se gjithçka është e humbur. Nuk humbet gjithçka,
edhe atëherë kur lajmet e këqija vijonë njëri pas tjetrit, kur të pushton ankthi për
të sotmen e të nesërmen, kur fatkeqësia t’i përmbys shpresat, kur natyra shkakton
viktima e feja vihet në provë”. Kjo është edhe zemra e mesazhit të meditimeve të imzot
Tomaz Menamparampil. Tekstet e Udhës së Kryqit 2009 të bëjnë të meditosh për misterin
e vuajtjes së krishterë, për dhunën që thellon urrejtjen ndërmjet grupeve etnike e
fetare e ndërmjet kombeve, për konfliktet, për ndeshjen ndërmjet interesave ekonomike
e politike. Të këqija që burojnë nga babëzia, nga mendjemadhësia, nga lakmia, nga
prirja për kënaqësi kalimtare e ide të paprovuara. Por të njihemi më hollësisht me
tekstin e Udhës së Kryqit, që do të fillojë pas pak ( 21. 15) në Koloseo, në përfundim
të së cilës Papa do të përshëndesë besimtarët. Ati i Shenjtë do ta hapë Udhën e
Mundimeve të Krishtit me këtë meditim:
Të dashur vëllezër e motra, erdhëm
të këndojmë së bashku një ‘himn shprese’. T’i themi vetvetes se kur kalojmë çaste
të vështira, nuk kemi humbur gjithçka. Kur lajmet e kobshme ndjekin njëri-tjetrin,
pushtohemi nga ankthi. Kur na bie mbi kokë fatkeqësia, e humbasim guximin. Kur një
gjëmë e natyrës na bën viktima, besimi në vetvete lëkundet e feja jonë vihet në provë.
Por jo gjithçka është e humbur. Si Jobi, jemi në kërkim të kuptimit të asaj që na
ndodh. Në këtë përpjekje, kemi një shembull: “Abrahami besoi, i patundur
në shpresë, në kundërshtim me çdo shpresë. Në të vërtetë në çaste të vështira nuk
kemi asnjë shkak për të besuar e as për të shpresuar. E megjithatë, shpresojmë. Kjo
mund të ndodhë në jetën e secilit prej nesh. Kjo ndodh edhe më gjërë, në rrethana
shoqërore. Së bashku me Psalmistin pyesim: “E pse ngushtohesh, shpirti im,
pse po gjëmon brenda meje? Shpreso në Zotin, të jeshë i fortë, zemra mos të lëshojë
e shpreso në Zotin!”. Ta përtërijmë e ta forcojmë fenë tonë e të vijojmë të shpresojmë
në Zotin. Sepse ai i shpëton ata që e kanë humbur çdo shpresë. E kjo shpresë në fund
nuk të zhgënjen. Vetëm në Krishtin mund ta kuptojmë plotësisht ç’do të thotë
vuajtje. Gjatë këtij meditimi, ndërsa kundrojmë plot ankth anën e dhimbshme të vuajtjes
së Jezusit, ta shikojmë me vëmendje edhe vlerën e saj shpërblyese. Ishte në planin
e Zotit që Mesia të vuante; të vuante për ne. Kjo vetëdije na mbush plot me shpresë.
Pikërisht kjo shpresë na bën ta përballojmë me gëzim e qëndrueshmëri çdo mundim. Rruga
e fesë dhe e shpresës është rrugë e gjatë shpirtërore, plot vëmendje për planin më
të thellë të Hyjit në proceset kozmike e në ngjarjet e historisë njerëzore. Sepse
nën sipërfaqen e fatkeqësive të natyrës, të luftërave, revolucioneve e konflikteve
të të gjitha natyrave, fshihet gjithnjë një shpresë e heshtur, ka përherë një veprim
hyjnor me pikësynim të caktuar. Zoti mbetet i fshehur në botë, në shoqëri, në univers.
Shkenca e teknologjia zbulojnë mrekullitë e madhështisë së tij e të dashurisë së tij:
“Nuk ka gjuhë, as s’gjindet shprehje, të cilave zëri të mos u jehojë e fjala. Nëpër
tokën mbarë shpërndahet zëri i tyre, e në katër anët e dheut u ndihet fjala”. Fryma
e tij është shpresa. I zbulon planet përmes ‘Fjalës’ së tij, duke na mësuar
ta dallojmë të mirën nga e keqja si në ngjarjet e vogla të jetëve tona personale,
ashtu edhe në ngjarjet e mëdha të historisë njerëzore. ‘Fjala’ e tij e bën të njohur
‘pasurinë e lavdishme’ të planit të Zotit, që na çliron nga mëkatet tona e na siguron:
“Krishti është në ju, shpresa e lavdisë”. Uroj që ky mesazh shprese të jehojë
nga Hoang-Ho në Kolorado, nga Himalaja në Alpe e në Ande, nga Misisipi në Brahmaputra.
Na thotë: “Të jeni të fortë e zemër merrni, o ju të gjithë, që në Zotin shpresoni!
Të lutemi: Shikoje, o Hyj i gjithëpushtetshëm njerëzimin
e sfilitur për shak të ligështisë së tij vdekjeprurëse, e bëj që të rikthehet në
jetë për virtyt të mundimeve të Birit tënd të vetëm!
Nis, pastaj Udha e Kryqit
me 14 stacione tradicionale, që na çojnë nga Gjetsemani, tek Maja e Rrashtave. Po
ndalohemi tek Stacioni I: Jezusi në agoni në Kopshtin e Ullinjve
Meditim:
Jezusi
ishte në agoni. I dërmuar nga dhimbja e ankthi. Mëkati i mbarë njerëzimit e shtypte
nën peshën e vet të padurueshme. Por sa më e madhe bëhej dhimbja, aq më e thellë,
lutja. Dhimbja mbetet gjithnjë sfidë për ne. Ndjehemi të vetmuar, të braktisur nga
bota. Harrojmë të lutemi e shembemi nën peshën e vetmisë. Aq sa ndokush arrin deri
atje sa t’i japë fund jetës. Por në se i drejtohemi Zotit, shpirti ynë fiton një forcë
të pathyeshme e na shtyn t’i ndihmojmë edhe të tjerët, që kalojnë çaste të vështira. Jezusi
vijon të vuajë në dishepujt e vet të persekutuar. Papa Benedikti XVI pohon se edhe
në kohët tona ‘Kishës nuk i mungojnë martirët”. Krishti është në agoni mes nesh e
në kohët tona. Ne lutemi për ata që vuajnë. Misteri i vuajtjes së krishterë duhet
kërkuar në vlerën e saj shëlbuese. Urojmë, prandaj, që persekutimet e pësuara nga
besimtarët të plotësojnë mundimet e Krishtit , mbartëse të shëlbimit.
Lutja: O
Zot Jezus, na ndihmo ta kuptojmë më thellësisht misterin e së keqes e sa e kemi ndihmuar
këtë mister. Me që vuajtja hyri në jetën njerëzore përmes mëkatit, plani yt parashikon
që njerëzimi të shpëtojë nga mëkati, përmes vuajtjes. Mos premto që të shkojë kot
asnjë nga kundërshtimet e vogla, nga poshtërimet e zhgënjimet që pësojmë në jetët
tona të përditshme e që asnjë fatkeqësi të mos na gjejë të papërgatitur. Bëj që mundimet
tona, të bashkuara me tuajat, të ngjallin kudo shpresën e amshimit.
O Zot,
na mëso të jemi të mëshirshëm jo vetëm me ata që kanë uri, që kanë etje, që janë të
sëmurë a që kanë nevojë, por edhe me ata që janë të vrazhdë, që tallen me gjithçka
e fyejnë gjithkënd. Kështu, për hir tënd, që na ngushëllove në të gjitha vështirësitë
tona, edhe ne t’i ngushëllojmë njerëzit që pësojë vuajtje të të gjitha natyrave, me
atë ngushëllim që na e dhurove ti vetë, o Zot.
Udha e Kryqit kapet në Stacionin
e dytë: Jezusi tradhtohet nga Juda e e ndalon Pjetrin të përdorë dhunën. Është
pikërisht ky mesazhi që na përcjell: Dhuna është vrasëse e mbi të nuk mund të fitohet
me një dhunë të re! Jezusi e prek shërbëtorin e kryepriftit dhe e shëron. Njeriu i
dhunshëm mund të ketë nevojë edhe sot, në kohët kur zjejnë konfliktet ndërmjet njerëzve,
grupeve etnike, fetare, kombeve, interesave ekonomike e politike, për një gjest të
tillë, që shëron!
Jezusi arrin në Stacionin e tretë të Udhësë Dhimbshme:
dënohet nga Sinedri. Na kujton kështu mijëra njerëz të pafajshëm që vuajtën e vdiqën
duke luftuar për liri, barazi, drejtësi. Ata që vijojnë të derdhin gjakun, për të
mbrojtur ‘të vegjëlit e Zotit’. Na kujton, sidomos, se lufta e Jezusit për drejtësi
kërkon sfidimin e kundështarit me drejtësinë e çështjes sate. Mahatma Gandi e solli
me shumë sukses në jetën publike këtë mësim të Jezusit mbi mospërdorimin e dhunës.
Në
Stacionin e katërt, Jezusi mohohet nga Pjetri. Është stacioni i ligështisë
njerëzore, mbi të cilën mund të fitohet duke mohuar vetveten e duke e shikuar në sy
Jezusin. Kur Pjetri e pa në sy Zotin, nisi të qajë e vijoi të derdhte lot, derisa
arriti tek zbulimi: “ Nuk jetoj më unë, po është Krishti që jeton në mua”.
Në
Stacionin e pestë Jezusi gjykohet e dënohet nga Pilati. Njeriu që nuk e çante
kokën për të vërtetën, që llogariste vetëm interesat e veta politike, dënon me vdekje
atë që ishte vetë e Vërteta!
Rruga bëhet gjithnjë më tragjike. Arrijmë në Stacionin
e gjashtë: Jezusin e rrahin me kamzhik dhe e kurorëzojnë me ferra. Fshikullimi
i kamzhikut mbi trupin e zhveshur, të pafajshëm, na kujton historinë njerëzore, plot
me krime e ndeshkime, urrejtje e luftëra, dhunë e vrasje. Deri në ditët tona, plot
me dhunë, me rrëmbime, vrasje, vetvrasje, konflikte etnike, tortura fizike e mendore,
shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Jezusi vijon të vuajë, kur besimtarët
persekutohen.
Vijojmë ta ndjekim Zotin, që vihet për udhë me kryq në krah.
Në Stacionin e shtatë nis Udhën drejt kryqëzimit; në të tetin ndihmohet
për të mbartur kryqin nga Cireneu; takon gratë në Stacionin e nëntë;
kryqëzohet në të dhjetin;në Stacionin e njëmbëdhjetë i premton Mbretërinë
e tij Hajdutit të mirë; ia beson Nënën dishepullit të dashur në të dymbëdhjetin,
vdes në kryq në të trembëdhjetin.
Duhet rrëmuar mirë ndërgjegjja përballë
çnjerëzimit, që bëhet burim luftërash e mllefesh – shkruan imzot Tomaz Menamparampil
- përballë drejtësisë që vepron padrejtësisht ndër gjykata, korrupsionit që zgjat
qetësisht rrënjët, strukturave të padrejta që i shtypin nën thembër të varfërit,
pakicave që shpërfillen, refugjatëve e emigrantëve që keqtrajtohen. E nuk duhet ta
tregojmë me gisht tjetrin, kur shohim si çnderohet njeriu në ekranet televizive, si
poshtërohen gratë, si mbledhin plehrat rrugëve fëmijët e lagjeve të varfëra: jo nuk
mund e nuk duhet t’i tregojmë me gisht të tjerët, por duhet ta pyesim mirë veten:
thua jemi edhe ne vetë fajtorë për gjithë këtë çnjerëzim? E, sidomos, ta pranojmë
pjesën tonë të fajit.
Në realitetin e sotëm – vëren imzot Menamparampil - njeriu
shqetësohet vetëm për atë që i siguron kënaqësinë e menjëhershme, kënaqet me përgjigje
të përcipta, merr vendime që përkojnë me interesat e tij, shpërfill parimet e përhershme
të moralit njerëzor. Dëmton kështu rëndë, jo vetëm interesat e tij jetike, por edhe
ato të familjes njerëzore. Në heshtje të thellë, gjunjëzohemi para Kryqit në Stacionin
e katërmbëdhjetë, kur Krishtin e zbresin nga Kryqi dhe e varrosin.
Të meditojmë,
në këtë çast, më tragjiku i historisë njerëzore, kur duket sikur gjithçka ka marrë
fund, pa asnjë shpresë për të ardhmen e njerëzimit.
Meditim:
Tragjeditë
na bëjnë të reflektojmë. Kur vjen papritmtas cunami, na kujton se jeta duhet marrë
seriozisht. Hiroshima e Nagasaki mbeten vende shtegtimi. Kur vdekja godet fare pranë,
ndjejmë afërsinë e një bote krejt të re. Atëherë çlirohemi nga shpresat e rreme e
perceptojmë një realitet shumë më të thellë. Në lashtësi indianët luteshin kështu:
“Më prij nga irrealja në realen, nga errësira në dritë, nga vdekja në amshim”. Pasi
Jezusi e pati lënë këtë tokë, të krishterët nisën të shikojnë pas e ta kuptojnë jetën
e tij, misionin e tij. E nisën ta çojnë Lajmin e Mirë deri në skajet më të largëta
të tokës. Ky lajm është vetë Jezu Krishti, pushteti i Zotit e dija e Zotit. Realiteti
është Krishti e fati ynë i mbramë, të jemi me Të. Zot, na bëj kasnecë të palodhshëm
të Lajmit tënd të mirë.
Me këtë thirrje mbaron Udha e Kryqit 2009 e besimtarët
e panumërt nga të katër anët e Botës, mbledhur në Koloseo, presin fjalën e Benediktit
XVI.