E Premtja e Madhe –si duhet ta kuptojmë vdekjen e Krishtit në kryq?!
(10.4.2009 RV)E Premtja e Madhe përkujton Mundimet dhe Vdekjen e Zotit tonë,
Jezu Krishtit. Por, si duhet ta kuptojmë vdekjen e Krishtit në kryq? Përgjigje:
- Vdekja e Zotit mbi kryq është një mister aq i madh, sa s’ka fjalë që mund ta shpjegojë.
Nuk mjaftojnë shekujt për ta shpjeguar, sepse është një paradoks që tregon dashurinë
e Zotit. Në të vërtetë Jezusi thotë: “Gjithçka u krye…”, sepse në këtë çast përmbushet
e gjithë historia e shëlbimit - e Gjoni thotë: “Duke i pasë dashur të vetët që ishin
në botë, i deshi deri në fund të fundit”. Kryqi, vdekja e Jezusit, flet pikërisht
për këtë dashuri, që arrin deri në një kulm të padëgjuar… Pyetje:
- Shumë është folur këto më se 2000 vjet për flijimin e Krishtit në kryq, madje
ka lindur edhe pyetja: A nuk mund të përmbushej shëlbimi në një mënyrë tjetër, ndoshta
më pak të dhunshme? Përgjigje: - Po, është e vërtetë; por pikërisht
në ditët tona, një studiues i madh ka vënë në dukje se vdekja e Krishtit, gjaku i
Krishtit, nuk është pjesë e kësaj dhune, sepse flijimi i Jezusit është flijim i viktimës
së pafajshme, që u ngarkua me mëkatet e botës, ndryshe nga zakoni njerëzor për t’i
ngarkuar mëkatet e veta mbi shpatullat e të tjerëve. Jezusi bëri të kundërtën e asaj
që bëjnë zakonisht njerëzit. I ngarkoi mëkatet e të tjerëve mbi shpatullat e veta.
Prej këndej vdekja e Jezusit ka këtë kuptim të thellë: shpesh fenë duhet ta pranojmë,
më shumë sesa ta arsyetojmë. Pyetje: - Gjithsesi e keqja mbetet
një mister i thellë, që vijon të na shkandullojë. Pse nuk na e shpjegoi Zoti? Përgjigje:
- Zoti bëri diçka më të mirë, sesa ta shpjegonte të keqen, domethënë nuk erdhi
të na japë, në Krishtin, shpjegime diturake mbi të keqen – këtë mund ta bëjnë edhe
filozofët, madje edhe e kanë bërë – por erdhi për ta marrë mbi vete gjithë të keqen
e botës e për të fituar mbi të me të kundërtën, që është dashuria, prandaj Zoti ka
dhënë një shenjë të gjithëpushtetit të tij, të cilin ne nuk do të kishim mundur kurrë
as ta përfytyronim. Gjithëpushteti i Zotit nuk qëndron në dëbimin e së keqes përjashta
kufijve të botës, por në diçka shumë më të madhe, në shndërrimin e së keqes me të
mirë, e pikërisht këtë bëri Krishti në kryq: e shndërroi nga brënda të keqen në të
mirë, shndërroi urrejtjen në dashuri e padrejtësinë në shenjtërinë e në drejtësinë
më të lartë. Pyetje: - Shumë nuk e kanë kuptuar, madje edhe
janë shkandulluar, nga britma e Jezusit në Kryq: “Zoti em! Zoti em! Pse më ke lëshue
doret!... ç’kuptim ka kjo britmë? Përgjigje: - Mbi të gjitha,
duhet të kujtojmë se ky është fillimi i një Psalmi, e kur një hebre intononte një
Psalm, kishte parasysh gjithë psalmin, prandaj ky Psalm përfundon edhe me lumni, përfundon
duke folur për Shërbëtorin që ka vuajtur! Sigurisht kjo britmë që Shpirti Shenjt e
vuri në buzët e Jezusit, tregon se Krishti, si njeri, provoi atë që mistikët e quajnë
prova e skëterrës, dmth mungesën e Zotit. Jezusi si njeri deshi të bëhej solidar me
ne deri në kulmin e dhimbjes. E kulmi i dhimbjes nuk është fizik, kulmi arrin kur
Zotit hesht, kur Zoti të lëshon dore! Sigurisht e dimë se në këtë ças Ati qiellor
e shtrëngonte Jezusin ndër krahë më fort se asnjëherë tjetër gjatë jetës së tij, por
Jezusi, si njeri, provoi edhe largimin e Zotit, dmth dënimin e atyre që e kanë bjerrë
shpirtin!