(09.04.2009 RV)Në Jezusin e dënuar me vdekje, do të njohim gjyqtarin universal; në
Të, ngarkuar me Kryq, Shëlbuesin e botës; në Të të kryqëzuar, Zotërinë e historisë, Birin
e vetë Zotit. Natë e së Premtes së Shenjtë, natë e vaktë, e dridhshme e hënës
së parë të plotë të pranverës. Jemi mbledhur në emër të Zotit, Ai është këtu,
me ne, ashtu si na pati premtuar. Me ne është edhe Shenjtja Mari. Ajo ishte
në majë të Golgotës, si Nënë e Birit që vdiste. Nxënëse e Mësuesit të së vërtetës Evë
e re rrëzë drurit të jetës. Grua e dhimbjes, pranë "Njeriut të dhimbjeve", që
e di mirë ç'është vuajtja; Bijë e Adamit, Motra jonë, Mbretëresha e Paqes. Nënë
e mëshirës, ajo përkulet mbi bijtë e vet që rishtas janë në rrezik, e janë plot
ankth për t'ua lehtësuar vuajtjet, për të dëgjuar rënkimet që ngrihen nga mjerimi
i tyre; për t'i ngushëlluar e për të ngjallur shpresën e paqes. Nga kraharori
i shporuar i Shëlbuesit gufon ende gjak; gjak derdhet e shtohen viktimat e urrejtes,
të luftës, të terrorizmit. Bëj, o Zot, që ngjarjet e botës të rrjedhin sipas
vullnetit tënd, në drejtësi e paqe, e Kisha jote t'i kushtohet me besim të plotë,shërbimit
tënd e çlirimit të njerëzimit!