2009-04-09 17:17:17

Arriti në 281 numri i viktimave të tërmetit. Ndër to ka edhe shqiptarë.


(09.04.2009 RV)Në plan të parë të programit tonë, tërmeti dhe pasojat e tij në Abruc.
Sot pas katër ditësh nga e hëna e datës 6 prill, numri i viktimave të tërmetit që rrënoi krahinën e Abrucit vazhdon të rritet. Deri tani bëhet fjalë për 281 persona që kanë humbur jetën si pasojë e këtij tërmeti të rëndë që tronditi Abrucin. Ndër këta viktima ka edhe shqiptarë. Një ndër ta është edhe djali trivjeçar, me origjinë nga Shkodra Elsajed Boshti i cili banonte me familjen e tij në qytetin Paganika. Hidhërimin dhe pikëllimin e familjes shqiptare e përcjellë në mikrofonin e radios sonë halla e viktimës, intervistuar nga Don David Gjugja. Ta dëgjojmë:......RealAudioMP3

Ndërkaq toka vazhdon të lëkundet. Përsëri sot pati lëkundje të tjera, por tashmë sipas gjeologëve duket se epiqendra po shpërngulet nga zona e Akuilës drejt veriut sipas drejtimit Akuila – Picòli – Barete.
E ndërsa kërkimet për të mbijetuarit do të vazhdojnë deri të Dielën e Pashkëve, nesër, të Premten e Madhe, do të bëhen salikimet e viktimave. Ati i Shenjtë Benedikti XVI pas paraqitjes së kërkesave të autoriteteve civile dhe fetare, ngarkoi Hirësinë e Tij, Sekretarin e Shtetit Kardinalin Tarçizio Bertone të kryesojë kremtimin e Meshës Shenjte të Dritës për viktimat e tërmetit. Duke parë rrethanat e jashtëzakonshme të ngjarjes së hidhur në fjalë, Kongregata për Kultin e Shenjtë dhe për Disiplinën e Sakramenteve dha lejen për kremtimin e Meshës Shenjte për viktimat të Premten e Madhe, ditë kjo në të cilën, siç dihet, liturgjia nuk parashikon rite të tjera përveç atyreve të Mundimeve të Tenzot. Në salikime, si shenjë e afërsisë së Papës me familjet e viktimave do të marrë pjesë edhe sekretari personal i Benediktit XVI, Imzot Georg Genshvajn.







All the contents on this site are copyrighted ©.