2009-04-08 15:13:51

Tërmeti në Abruco/Itali: 251 të vdekur, mbi 17 mijë të ndihmuar nga mbrojtja civile.


(08.04.09 RV)Janë 251 të vdekur të regjistruar deri në këtë moment. 9 persona ende nuk janë identifikuar. Akoma po bëhen kërkimet e të mbijetuarve pas mrekullisë që ndodhi gjatë kësaj nate, kur pas 42 orësh u gjet e gjallë një vajzë 20 vjeçare. Gjashtë dridhje të tërmetit janë regjistruar nga ora 19.47 e ditës së djeshme deri në ora 6.27 të mëngjesit në provincën e Akuiles. Mbi 17.000 persona janë ndihmuar nga personeli i Mbrojtjes civile në tendopoli.
*********
Bilanci i viktimave të tërmetit në Abruco, sipas qeverisë italiane, ka arritur në mbi 251 të vdekur, 9 prej të cilëve nuk janë identifikuar akoma. 15 të tjerë nuk dihet ku janë e rreth 17 mijë vetë kanë mbetur pa strehë. Sot një tërmet tjetër prej 4,7 gradë të shkallës Rihter, goditi sërish zonën duke shkaktuar shembje të tjera ndërtesash. Fytyra tjetër e medaljes tregon për 150 vetë të nxjerrë gjallë nga rrënojat, për punën e jashtëzakonshme të zjarrfikësve e të veprimtarëve të Mbrojtjes Civile, për një solidaritet të pashembullt. Papa Benedikti XVI ndjek me vëmendje situatën e lutet. Sapo të jetë e mundur do të shkojë në Abruc kardinali Paul Jozef Kordes, i Këshillit Papnor “Cor Unum”. Dje, në zonën e tërmetit mbërriti edhe një skuadër zjarrëfikësish të Vatikanit, të cilët iu vunë punës menjëherë. Në mikrofonin tonë drejtori vatikanas i Shërbimit të sigurisë e të mbrojtjes civile dhe kreu i Xhandarmërisë, Domeniko Xhani:
Gjatë natës, sapo morëm vesh për këtë tragjedi të jashtëzakonshme, fola me eprorët, me imzot Bokardon dhe me kardinal Lajolon. Pastaj informuam Atin e Shenjtë, Sekretarin e shtetit dhe krejt Sekretarinë e Shtetit. Na u duk për detyrë, në këtë moment dhimbjeje të madhe, të dërgonim një skuadër zjarrfikësish për të ndihmuar në këtë çast emergjence të madhe.
Komandant Xhani, sa njerëz e mjete të Zjarrfikësve të Vatikanit ndodhen në rajonin e Abrucit?
Në këtë moment, është i impenjuar në vend oficeri përgjegjës i Zjarrfikësve, inxhinjer De Anxhelis, ekspert në këtë fushë. Kemi gjithashtu një skuadër prej tetë vetësh, me disa mjete të pajisura me sisteme të sofistikuara të mbrojtjes civile. Gjithashtu, kemi çuar materiale dhe gjëra të tjera për popullsinë e Onës, këtij fshati, që është shkatërruar krejtësisht. Tanët po punojnë me Zjarrfikësit italianë dhe me forcat italiane të policisë.
Cila është detyra e tyre në këtë moment?
Kanë punuar edhe gjatë natës së djeshme, kanë nxjerrë viktimat, por në këtë moment detyra e tyre është të ndihmojnë popullsinë për t’u kthyer në banesë e për të marrë ç’mundet. Po japin edhe ndihmë morale. Selia e Shenjtë, me strukturat e saj – mendoj për shembull për “Cor Unum”, apo Karitasin – kur ka ndonjë emergjencë, çon kudo ndihmat në emër të Papës. Në këtë rast mendoj se përveç ndihmës materiale dhe ekonomike, kemi pasur edhe një ndihmë profesionale nga prania e zjarrfikësve ekspertë në kërkimin dhe në ndihmën për popullsinë që vuan.
Zjarrfikësit e Vatikanit, siç thamë, punojnë në zonën e Onës, vend simbol i tragjedisë, që ka humbur 40 vetë ndër 250 banorë. Si u pritën zjarrfikësit e Papës nga kjo popullsi? Ja dëshmia e inxhinjer Paolo De Anxhelis, në krye të skuadrës së Vatikanit:
Na pritën pozitivisht: mesazhi që donim të sillnim, ai i solidaritetit me popullsinë, u kuptua plotësisht. Tani këtu, në këtë çast, mungon sidomos ngushëllimi për personat që shohin se kanë humbur gjithçka nga tërmeti.
Cila është atmosfera në mesin e personave?
Atmosfera tani është e tmerrshme. Njerëzit, në pjesën më të madhe, nuk kanë më asgjë, por në të tilla raste tregohet solidariteti ndërmjet personave.







All the contents on this site are copyrighted ©.