2009-04-08 17:34:15

Natën e Triditshit të Pashkëve, Papa i fton besimtarët t’ia hapin zemrat misterit të Ngjalljes.


(08.04.2009 RV)RealAudioMP3 Gjatë katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme, Papa e vuri theksin mbi rëndësinë e riteve të Javës së Madhe, thelb i gjithë vitit liturgjik. Benedikti XVI i ftoi të pranishmit në një reflektim të thellë për Javën e Madhe që - tha – na krijon kushtet e përshtatshme të thellohemi në kuptimin e ngjarjeve kryesore të Shëlbimit, duke i hapur zemrat tona për të kuptuar dhuratën e paçmueshme të shëlbimit, që u arrit përmes flijimit të Krishtit:
“Sa i mrekullueshëm e njëheresh mahnitës është ky mister! Jezusi, megjithëse është Zot, nuk dëshiron t’i mbajë vetëm për vete privilegjet hyjnore; është Hyj, por nuk do ta përdorë hyjninë e tij, dinjitetin e tij të lavdishëm e pushtetin e tij si mjet ngadhënjimi e shenjë që tregon sa larg është nga ne. Përkundrazi “e zbraz vetveten’, duke marrë natyrën e mjerë e të ligshtë njerëzore”.
U bë njeri si ne, në gjithçka, përveç mëkatit – shpjegoi Papa – gjë që e çoi Krishtin deri tek kufiri, i cili është shenjë e fundit tonë: tek vdekja. Por – nënvizoi Benedikti XVI - kjo që ngjau, nuk ishte fryt i lojës së verbër të fatit. Krishti e zgjodhi lirisht rrugën e tij, duke pranuar të përmbushte me bujari planin shëlbues të Atit:
“Gjithë këtë Zoti i gjithësisë e bëri për dashurinë tonë; për dashuri ai e zbrazi vetveten e u bë vëllai ynë; për dashuri u bë njeri si ne, si çdo burrë e si çdo grua”.
Më pas Benedikti XVI shpjegoi domethënien e riteve, që kremtohen gjatë Javës së Madhe, java më e rëndësishme e vitit. Prelud i Triditshit të Pashkëve - kujtoi Ati i Shenjtë – është Mesha e Bagmit, që kremtohet paraditen e së Enjtes së Madhe. Në këtë kremtim solemn – vijoi Papa – përsëriten premtimet meshtarake, të shqiptuara ditën e shugurimit. Është rast i përshtatshëm për meshtarët – shtoi Benedikti XVI – për të përsëritur besnikërinë e tyre ndaj Krishtit, që i zgjodhi në shërbim të tij. Ky takim – vijoi – është pothuajse parapërgatitje për Vitin meshtarak, që do të kremtohet me rastin e 150- vjetorit të vdekjes së famullitarit të Arsit, shën Gjon Vianeit.
Me Meshën e Darkës së Mbrame të Zotit pasdite - shpjegoi Benedikti XVI – Kisha përkujton themelimin e Eukaristisë, të Meshtarisë e të urdhërimit të ri të dashurisë së krishterë. Nën trajtën e bukës e të verës – reflektoi Papa – Krishti bëhet i pranishëm me korpin, që dhuroi e me gjakun, që derdhi në shpërblim të mbarë njerëzimit:
“Është flija e Besëlidhjes së re e të amshuar, që u dhurohet të gjithëve, pa dallim race e kulture. E për këtë rit sakramentor, të cilin ia dorëzon Kishës si provën më të lartë të dashurisë së tij, Jezusi cakton si mbarështues nxënësit e vet e të gjithë ata, që do të vijojnë shërbimin e tyre në rrjedhë shekujsh”.
E Enjtja e Madhe – shtoi Shenjtëria e Tij – na fton ta falënderojmë Zotin për dhuratën më të lartë, Eukaristinë, e cila duhet marrë me devocion e duhet adhuruar me fe të gjallë. Prandaj – tha Papa – Kisha i inkurajon besimtarët që, pas kremtimit të Meshës Shenjte, të rrinë pranë të Shenjtnueshmit Sakrament e të luten, në këtë natë kur mbarë Kisha rri zgjuar, në pritje.
E arrijmë, kështu, tek e Premtja e Madhe, ditë në të cilën – pohoi Ati i Shenjtë – gjunjëzohemi në heshtje para Jezusit të mbërthyer me gozhda mbi drurin e Kryqit, ku flijon jetën për faljen e mëkateve të njerëzimit:
“Ashtu si përballë Eukaristisë, edhe përballë mundimeve e vdekjes së Jezusit në Kryq, misteri bëhet i pamatshëm për arsyen e njeriut. Jemi para një ngjarjeje që mendjes njerëzore mund t’i duket fare pa kuptim: para një Zoti i cili jo vetëm që bëhet njeri, jo vetëm që vuan për të shpëtuar njeriun, duke marrë mbi vete gjithë barrën tragjedisë së njerëzimit, por edhe vdes për njeriun”.
Vdekja e Krishtit – shtoi Ati i Shenjtë – na kujton dhimbjet e të këqijat pa mbarim që rëndojnë mbi njerëzimin në të gjitha kohët: barrën shtypëse të vdekjes sonë, urrejtjen e dhunën, që vijojnë ta gjakosin tokën. Mundimet e Krishtit vijojnë në mundimet e njerëzve. E Premtja e Madhe – vërejti Ati i Shenjtë – është ditë e ngarkuar me trishtim, por njëkohësisht edhe dita më e përshtatshme, në të cilën mund e duhet ta rizgjojmë fenë tonë, ta fuqizojmë shpresën tonë e, sidomos, guximin për ta mbartur secili kryqin e vet me përvujtëri e besim, i lëshuar plotësisht në dorën e Zotit. E kjo shpresë – vijoi të reflektonte Papa – ushqehet në heshtjen e thellë të së Shtunës së Madhe, në pritje të Ngjalljes së Jezusit:
“Lutja e heshtja e së Shtunës së Madhe na çojnë tek nata solemne, e pagjumë, e Pashkëve, ‘nënë e të gjitha netëve pa gjumë’, kur në mbarë kishat e bashkësitë shpërthen gëzimi për ngjalljen e Krishtit. E shpallet përsëri fitorja e dritës mbi errësirën, e jetës mbi vdekjen, e Kisha galdon në takimin me Zotin e vet”.
Në përfundim Papa i ftoi besimtarët ta jetojnë thellësisht Triditshit të Shenjtë, për të marrë, kështu, pjesë me gjithë shpirt në Misterin e Krishtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.