(08.04.2009 RV)Me të Dielën e Larit, besimtarët katolikë filluan Javën e Madhe
të Pashkëve. Po cila është domethënia e ditëve të saj, që shënojnë kulmin e tërë vitit
liturgjik? Domethënia është se Kisha Shenjte Amë kremton misteret e Dhëndërrit
të vet Shpërblyes, Jezus Krishtit. Jezusi zbriti mbi tokë e u mishërua për dashurinë
e për shëlbimin tonë. Ai na shpëtoi me tërë jetën e tij: me mrekullitë, me predikimet
por në mënyrë të posaçme, me Mundimet, me Vdekjen e Ngjalljen e tij. Këtë kremtojmë
gjatë Javës së Madhe e të Shenjtë të Pashkëve. E dimë se kremtimi eukaristik i Meshës
Shenjte është ri-paraqitje e mistereve të Krishtit që mundohet, vdes, ngjallet; e
flijimi i Kryqit është ora e Jezusit. Çdo i krishterë, çdo katolik e rijeton këtë
flijim, kremton me Kishën, në Kishë, bën përpjekje për t’i lexuar ritet, para se të
niset drejt Kishës, për t’i ndjekur pastaj më mirë, për të marrë pjesë më me pëshpirtëri
e fe.. Pjesëmarrja nuk është thjeshtë veprimtari e jashtme: në radhë të parë është
bashkim shpirtëror me Kishën e me Krishtin. Natyrisht çdo besimtar kërkon më parë
të rrëfehet, ta marrë në zemër Jezusin Eukaristi, të vihet për udhë së bashku me Kishën,
së bashku me të Lumen Mari, gjithmonë Virgjër, që ishte pranë Krishtit kudo, posaçërisht
mbi Kalvar. Vihet për udhë edhe me Apostujt. Kush nuk e kupton Javën e Madhe të Pashkëve,
nuk e kupton krishterimin; kush nuk merr pjesë në ritet kishtare, është tepër i cektë
në jetën e krishterë. E kjo, sepse Pashkët i japin kuptim çdo të diele që ne e kremtojmë
në ditën e parë të javës. E ditën e parë të javës, jo më të shtunën, por të dielën
- ne e kremtojmë si ditën e Zotit. S’kemi jetë pa të dielën – kanë thënë martirët
e Abitenes, në Afrikën veriore. Ja, pra, kuptimi i Javës, që është zemra e vitit liturgjik
të Kishës. Në atmosferën e shenjtë të kësaj Jave, është e trishtueshme të mendosh
se për disa njerëz Pashkë do të thotë vezë të kuqe, shëtitje në det, vizita në shtëpitë
e miqve, udhëtime pa fund, shëtitje në mal, ndeshje futbolli, ngujim para televizorit….
Të gjitha këto gjëra janë të mira, nuk janë të këqija. Por sigurisht nuk janë zemra
e kremtim i Pashkëve. Zemra e Pashkëve është pjesëmarrja në kremtimet e mistereve
të Krishtit, të pranishme në Kishë. Secili nga ne duhet ta programojë gjithçka tjetër
rreth kremtimit të këtyre mistereve, përfshirë këtu edhe pushimin. Kujtojmë edhe
hiret e posaçme Hyjnore që fitohen duke marrë pjesë me fe, binde, shpresë e dashuri
në kremtimet e Javës së Madhe. Si gosti shpirtërore rreth sofrës së Zotit, Jezusi
na ushqen me Fjalën e tij, me Sakramentet e tij, me Korpin e Gjakun e tij, na ushqen
edhe me shoqërinë e mbarë bashkësisë së krishterë, sepse Zoti nuk na shpëtoi si një
njeri i vetëm, por edhe si bashkësi. Kemi nevojë për të tjerët: për të qenë bashkë,
sikur apostuj e nxënësit që rrinin së bashku në emër të Krishtit Zot e Shpëtimtar.