2009-04-06 17:39:42

Sindona e Shenjtë duhet të jetë ruajtur nga Templarët. Hamendje e botuar në ‘L’ Osservatore Romano’.


(06.04.2009 RV)Pritet që së shpejti të botohet një libër, kushtuar Sindonës së Shenjtë, apo Pëlhurës me të cilën qe mbështjellë Korpi i Krishtit para se të varrosej, shkruar nga Barbara Frale, nëpunëse e Bibliotekës së Vatikanit. Autorja botoi këto ditë në gazetën ‘L’Osservatore Romano’ një shkrim, përmes të cilit hamendëson se relikja duhet të ketë qenë në duart e Templarëve. Sindona Shenjte u zhduk nga kapela e perandorëve bizantinë gjatë plaçkitjes së Kostandinopojës, në vitin 1204. Më pas nuk pati më asnjë lajm për të. Studiuesja përpiqet të sjellë prova të rëndësishme, që të vërtetojë tezën e saj: “Templarët e morën reliken, për ta shpëtuar nga rreziku që urdhëri i tyre të njollosej me damkën e herezisë, e cila po prekte një pjesë të mirë të shoqërisë së krishterë të kohës; e panë si ilaçin më të mirë, për t’u mbrojtur nga çdo lloj herezie”. Në të vërtetë, katarët e heretikët e tjerë pohonin se Krishti nuk kishte trup të vërtetë njerëzor, as gjak të vërtetë, se nuk kishte pësuar kurrë Mundimet, nuk kishte vdekur e as ishte ngjallur; prandaj nuk e kremtonin Eukaristinë, sepse e konsideronin rit pa pikë kuptimi, me që Krishti nuk kishte pasur kurrë korp e gjak. Templarët, në kohën e tyre, u akuzuan nga mbreti i Francës se adhuronin në fshehtësi një ‘idhull’ misterioz, një portret që paraqiste një “burrë me mjekërr”, për shumë studiozë, Sindonën që sot ruhet në Torino. Pëlhura qe mbyllur në një peshtaf të bërë në mënyrë të tillë, që të shihej vetëm fytyra e të nderohej në fshehtësi të plotë, sepse vetë ekzistenca e saj në gjirin e Urdhërit, ishte bërë një fakt tepër komprometues. Sindona, më pas, duhet të jetë vjedhur gjatë një plaçkitjeje tjetër, autorët e së cilës qenë shkishëruar nga Papa Inoçenci III. I njëjti dënim u caktua nga Koncili IV Lateranens i vitit 1215, për të gjithë ata bënin tregti me relike.








All the contents on this site are copyrighted ©.