2009-04-06 17:38:43

Benedikti XVI të rinjve spanjollë: DBR dëfton fytyrën përjetësisht të re të Kishës.


(06.04.2009 RV)RealAudioMP3 Sot paradite Benedikti XVI priti në audiencë, në Vatikan, të rinjtë spanjollë të cilët dje, gjatë Meshës të së Dielës së Larit, morën nga bashkëmoshatarët e tyre australianë Kryqin e Ditës Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në nivel ndërkombëtar më 2011 në Madrid. Duke folur për këtë takim, Papa theksoi se periudha përgatitore e DBR-së krijon menjëherë mundësi të jashtëzakonshme për të provuar hirin, që buron nga Kisha.
Ditët Botërore të Rinisë i dëftojnë botës rininë e përjetshme të Kishës. Një Kishe, e cila të mahnit, sepse është shtëpi ku thithet gëzimi e perceptohet dashuria që ka Zoti për çdo njeri. Foli me ton entuziast Benedikti XVI duke iu drejtuar rreth shtatë mijë të rinjve spanjollë – dhe kryeipeshkvit të Madridit, kardinalit Antonio Ruoko Varela – mbledhur në Sallën e Palit VI për këtë takim me Papën, pas Meshës solemne të djeshme. Kryqi i DBR-së, i marrë në dorëzim nga të rinjtë e Sidneit përfaqëson, tha Papa – takimin me Krishtin, që vdiq e u ngjall. U gëzova – vijoi Ati i Shenjtë – kur mësova se këtë Kryq që morët, do ta lartoni të Premten e Madhe nëpër rrugët e Madridit, që të brohoritet e të nderohet. E shtoi:
“Responded vosotros al amor de Cristo...
Përgjigjiuni dashurisë së Krishtit, duke dhuruar jetën tuaj me dashuri. Kështu përgatitjet për Ditën Botërore të Rinisë, të cilat kanë nisur me entuziazëm e impenjim të madh, do të shpërblehen me frytin që pritet nga kjo Ditë: me risimin e fuqizimin e përvojës së takimit me Krishtin e vdekur e të ngjallur për ne”.
“Ju ftoj të edukoheni në fe, që i jep kuptim jetës suaj e ta thelloni gjithnjë këtë fe, sepse ju ndihmon t’i përballoni pa u lëkundur vështirësitë e përditshme” - kjo ishte ftesa që u bëri Benedikti XVI të rinjve spanjollë. E, në rrugën që të çon tek Krishti, vijoi:
“Sepais atraer a vuestros jovenes amigos...
Tërhiqini edhe miqtë tuaj të rinj, shokët e studimit e të punës, që edhe ata ta njohin e ta pranojnë si Zot të jetës së tyre (...). Të rinjtë e sotëm kanë nevojë ta zbulojnë jetën e re, që vjen nga Hyji, ta shuajnë etjen për të vërtetën, të cilën Kisha e mori si thesar për të gjithë njerëzit, në burimin e saj, në Krishtin e vdekur e të ngjallur”.
Papa e përfundoi fjalimin drejtuar të rinjve, duke uruar që një sjellje e tillë, thellësisht e krishterë, ta bëjë Madridin vend, i cili rrezaton fe e jetë, ku të rinjtë e mbarë botës të kremtojnë me entuziazëm Krishtin:
“Orad en comun, abriendo las puertas...
Lutuni së bashku, duke hapur portat e famullive, të shoqatave, të lëvizjeve, në mënyrë që të gjithë ta ndjejnë veten në Kishë, si të ishin në shtëpinë e tyre, të dashur me të njëjtën dashuri, që ka për ta vetë Zoti. Kremtojeni e jetojeni fenë tuaj me gëzimin e madh, që është dhuratë e Shpirit Shenjt. Kështu zemrat tuaja e ato të miqve tuaj do të parapërgatiten për ta kremtuar festën e madhe, Ditën e Rinisë, e të gjithë do të provojnë Dëftimin e ri të rinisë së Kishës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.