2009-04-04 16:54:56

Nga vijnë palmat e së Dielës së Larit në Vatikan


(04.04.2009 RV)Siç është traditë, në të Dielën e Larit, Sheshi i Shën Pjetrit do të mbushet me degë të gërshetuara palmash, të cilat vijnë nga komunat e Bordigerës dhe San Remos, në Itali. Ardhja e palmave në Vatikan nga Riviera e Luleve është një privilegj i lashtë, që i ka fillesat në vitin 1586, kur Papa Siksti V vendosi të falenderonte në këtë mënyrë sanremezin Kapedan Brenska. Tradita tregon se me britmën provencale “Aiga ae corde!” (Ujë litarëve) Breska ndërpreu heshtjen e detyrueshme gjatë ngritjes së obeliskut në Sheshin e Shën Pjetrit. Me këtë britmë, sanremezi nuk lejoi ngrohjen e skajshme të litarëve, që u përdorën për të ngritur monolitin, duke shmangur rënien e obeliskut e pra, edhe masakrimin e mundshëm të besimtarëve, që kishin ardhur të shumtë për të marrë pjesë në ngjarje.
Obelisku egjiptian, i sjellë në Romë nga perandori Kaligola në vitin 39 pas Krishtit, u vendos në Sheshin e Shën Pjetrit nga arkitekti Domeniko Fontana, i urdhëruar nga Papa Siksti V. Operacioni nuk ishte i lehtë. Obelisku, që zbukuron edhe sot e kësaj ditë sheshin, është 26 metra i lartë dhe peshon 350 ton. Për ta ngritur, u impenjuan 900 punëtorë, 140 kuaj dhe 44 argane (lloj vinçi). Më 10 shtator, ditën e ngritjes së obeliskut, kushdo që do të fliste gjatë këtij operacioni të vështirë, do të dënohej me vdekje. Por, në një moment, obelisku u lëkund rrezikshëm dhe litarët, që e mbanin, gati po këputeshin. Kapiteni sanremez Breska, pa marrë parasysh dënimin me vdekje që e priste, bërtiti: “Hidhuni ujë litarëve”. Këshilla e marinarit u zbatua atypëraty nga inxhinjerët e Vatikanit, duke shpëtuar kështu obeliskun dhe njerëzit e grumbulluar. Papa nuk e dënoi kapitenin, por e falenderoi duke i dhënë atij dhe pasardhësve të drejtën për të sjellë në Romë degët e gërshetuara të palmave për festat e Pashkëve në Shën Pjetër.
Që atëherë, për katër shekuj me radhë, Sanremo dhe Bordigera janë pazgjidhshmërisht të lidhura me ceremonitë e së Dielës së Larit në Vatikan. Kur degët e palmave vinin në Romë nga deti, me të arritur në lumin Tiber, që përshkon Romën nga fillimi në fund, anija vendoste një palmë të gërshetuar në direkun e majstrës. Ky lloj flamuri i jepte anijes ligure të drejtën për të parakaluar të gjitha të tjerat, duke bërë që palmat të arrinin sa më shpejt në Vatikan.
Degët e gërshetuara të palmave që do t’u jepen kardinajve dhe ipeshkvijve këtë vit, do të jenë 1 m e gjysëm të larta, ndërsa për Atin e Shenjtë, palma do të jetë 3 metra. Zbukurimi i Sheshit të Shën Pjetrit më ullinj ofrohet sivjet nga Rajoni i Puljes, ndërsa degët e ullirit që bekohen e që merren pastaj nga besimtarët janë të Vilave Papnore në Kastel Gandolfo.








All the contents on this site are copyrighted ©.