(04.04.09 RV) Hyrja e Jezusit në Jerusalem: Ngjitu në Jerusalem, Jezus, shaluar
mbi gomar, rrethuar nga shtegtarët. Ngjitu në Qytetin Shenjt ku të presin mundimet
e vdekja, pse dashurinë që ti ke për ne s’ka forcë në botë ta ndalojë! S’mund
ta ndalojë as dhuna e as poshtërsia njerëzore. Shtegtimi yt cak tjetër s’ka:
mbaron këtu! Në këtë vend do të bësh dëshmi duke dhuruar jetën. Ti e
di mirë ç’të pret: Tmerri e terri e dhimbja, tradhtia e braktisja. Të pret
kodrina e Kalvarit, kryqi të pret e gozhdat janë gati. Përpara të gjithëve ti
do të lartohesh, mbi kryqin e lagur me djersë e me gjak… pas pak… Po tash
për tash njerëzia që të njohu, që të pa e të dëgjoi e mbrapa po të ndjek të
shpreh veç entuziazëm. E bën këtë me gjestet e të varfërve të cilët, të çuditur,
njohin Dikë, dikë që i do, dikë që i mbron, dikë që i rrethon me kujdes, që
i shikon me mëshirë. E e bën me fjalë në të cilat zëri i profetëve jehon thellësive
të kohës. E ti e ndjen si përmbushet premtimi i bërë ç’prej kahmot. Ata
brohorasin! Si mund t’i bësh të heshtin? Për këtë ke ardhur, Që të dhurosh
jetën për jetën, për ta, për shëlbimin e botës.