2009-04-04 16:59:23

Editorial i atë Federiko Lombardit: “Ta ndërtojmë të ardhmen mbi bazën e besimit”


(05.04.2009 RV)RealAudioMP3 Gjatë muajit të marsit, në SHBA-të humbën vendin e punës 660 mijë vetë e treguesi i papunësisë u rrit deri në 8,5%. Nga fillimi i krizës ekonomike botërore, në fund të vitit 2007, mëse 5 milion amerikanë kanë humbur punën. Masat e marra në mbledhjen e G20-ës, që u zhvillua javën e kaluar, me caktimin e fondeve për ekonomitë në vështirësi, me vendimin për t’u dhënë fund parajsave fiskale dhe për të imponuar rregulla të reja për tregjet financiare, synojnë t’i bëjnë ballë krizës. Me urimin, që të mos harrohen vendet më të varfëra! Të dëgjojmë për këtë, opinionin e drejtorit tonë të përgjithshëm, atë Federiko Lombardi:
"Besimi i vërtetë tek njeriu, sidomos besimi tek më të varfërit, do të jetë prova se ekziston dëshira për të dalë nga kriza, pa përjashtime, dhe se do të shmanget me vendosmëri përsëritja e situatave të ngjashme me ato që na takon të jetojmë sot”. Kështu i shkroi Papa kryeministrit anglez Gordon Braun, në prag të mbledhjes së G20-ës në Londër, e cila sapo përfundoi.
Pas kthimit nga Afrika, Benedikti XVI mban para sysh e në zemër problemet dramatike dhe varfërinë e atij kontinenti, por edhe vullnetin për të jetuar e shpresën e shëlbimit të banorëve të tij. Papa paralajmëron të pasurit se nuk duhet e nuk mund ta ndërtojnë të ardhmen, pa marrë parasysh të varfërit.
Por, gjëja më themelore është të gjendet baza, nga e cila të fillohet ndërtimi i një rendi botëror të drejtë, solidar dhe të qëndrueshëm. “E vetmja bazë e vërtetë dhe e qëndrueshme është besimi tek njeriu”, shkruan Papa. Pra, jo më një besim i verbër tek financa, tregtia apo tek sistemet e prodhimit, pa asnjë mbështetje etike, por një ekonomi që bart në vetvete vetëdijen për dinjitetin e të gjithë njerëzve dhe përgjegjësinë për t’i shërbyer zhvillimit të përgjithshëm.
Të gjithë duam të dalim nga kriza aktuale, por është e kotë të mendojmë se mund të dalim, duke lënë mënjanë ata që e vuajnë më shumë e që sot nuk kanë zë, por që mund të japin shumë për të ardhmen e familjes njerëzore. Të luftojmë për të zhdukur varfërinë e skajshme e kështu, të çlirojmë pasurinë e vërtetë të botës: krijesat e Zotit, bërë në shembëlltyrë me Të. Kjo është përparësia më e denjë për t’u ndjekur nga ata që vendosin sot fatet e kësaj bote.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.